1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina hap dyert për bankat e huaja

Astrid Fryeisen17 Nëntor 2006

Pesë vjet pas pranimit në Organizatën Botërore të Tregtisë Kina hap për herë të parë me rregulla të reja dyert e saj për bankat e huaja

https://p.dw.com/p/As6I
Fotografi: AP

Rregullorja e re e qeverisë kineze u mundëson bankave të huaja që të angazhohen në biznesin privat bankar në Kinë. Ato mund të ofrojnë në të ardhmen karta krediti apo shërbime të tjera në tregun kinez. Megjithatë rregullorja e re e miratuar prej qeverisë kineze nuk mundëson ndonjë hyrje të lehtë në tregun kinez, thekson për Deutsche Welle-n kryetari i Dhomës gjermane të tregtisë në Shanghai, Hans Schniewind:

"Bankat e huaja nuk mund të hyjnë pa një pa dy në tregun kinez. Atyre u duhet të themelojnë shoqëri aksionare dhe filiale. Këto shoqëri i nënshtrohen legjislacionit kinez dhe duhet që të pajisen prej bankës mëmë me një kapital tepër të lartë. Kjo do të thotë që bankat duhet ta mendojnë vërtet mirë, nëse do t'i hyjnë një hapi të tillë, sepse një gjë e tillë është e lidhur me investim të madh kapitali dhe natyrisht edhe me rreziqe të mëdha. Kuptohet që me vite një hap të tillë do ta bëjnë me siguri disa banka. Por në fillim hapin e parë do ta bëjnë vetëm bankat tepër të mëdha."

Sipas rregullores së qeverisë kineze bankat e huaja që lejohet të hapin veprimtarinë e tyre në Kinë duhet të kenë një kapital aktiv prej të paktën 7,8 miliardë eurosh. Në rast se ato themelojnë një degë të tyre në Kinë janë të detyruara që të vënë në dispozicion si garanci 99 milionë euro. Përveç kësaj për çdo filial që do të hapet edhe 10 milionë euro të tjera. Bankat që nuk dëshirojnë të themelojnë një degë të tyre si shoqëri aksionare në Kinë, janë të detyruara të ofrojnë garanci edhe më të larta financiare, ndërkohë që u lejohet të të hapin filiale që kanë të drejtë të hapin depozita me deri në 99 mijë euro. Kushte të tilla bëjnë që këto banka të mos jenë tërheqëse për klientët privatë.