1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kievi e Moska dakord për krijimin e korridoreve humanitare

4 Mars 2022

Për popullsinë civile në Ukrainë do të krijohen korridore humanitare, për këtë ranë dakord delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë gjatë bisedimeve (03.03), që u mbyllën me shtrëngimin e duarve mes negociatorëve.

https://p.dw.com/p/47yjP
Belarus Russia Ukraine War
Fotografi: picture alliance / ASSOCIATED PRESS

Një javë pas fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës, Kievi dhe Moska në kuadrin e bisedimeve për një armëpushim, gjatë takimit të delegacioneve për herë të dytë në Bjellorusi ranë dakord për krijimin e korridoreve humanitare për popullsinë civile. Kjo u bë e ditur nga pala ukrainase. Qëllimi është që përmes këtyre korridoreve të garantohet siguria për largimin e civilëve nga zonat e luftimeve. Pala ruse u shpreh për një përparim substancial. Eshtë rënë dakord për ta mbështetur krijimin e këtyre korridoreve.

Ky është i vetmi rezulat i raundit të dytë të bisedimeve me Rusinë, deklaroi në twitter kryenegociatori ukrainas Mychailo Podoljak në përfundim të takimit. "Raundi i dytë i bisedimeve u mbyll. Për fat të keq ende nuk është arritur rezultati për të cilin ka nevojë Ukraina", shkruan Podoljak. Raundi i parë i bisedimeve mes ukrainasve dhe rusëve të hënën (28.02) në Bjellorusi u mbyll pa rezultat. Kievi pati kërkuar armëpushim të menjëhershëm.

Presidenti rus Vladimir Putin përpara raundit të dytë të bisedimeve përmes një telefonate me presdientin e Francës, Emmanuel Macron ritheksoi kërkesat e Rusisë për demilitarizimin e Ukrainës dhe për një status neutral të saj. Njëkohësisht Putin kërcënoi me kërkesa të reja. Sipas tij çdo përpjekje e Ukrainës për të shtyrë bisedimet ka si pasojë që Rusia të paraqesë më shhumë kërkesa, citon zyra presidenciale Vladimir Putinin. Sipas të dhënave nga Parisi nisma për telefonatën me Macron ishte e vet Putinit.