Kerry tek Putini: jo kthesë, por takim konstruktiv
13 Maj 2015Rusia i lëvdoi bisedimet e krizës me ministrin e Jashtëm të SHBA John Kerry në Soçi si të hapura, konstruktive dhe miqësore. Vërtet që në diskutime, për shembull për luftën e Ukrainës nuk u shënua kthesë. Por takimi ngjall shpresa për një përmirësim të marrëdhënieve bilaterale, i tha këshilltari për politikën e jashtme i shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, Juri Ushakov agjencisë së lajmeve Interfax. Putini foli me Kerryn për një bashkëpunim më të ngushtë për zgjidhjen e krizës së Ukrainës. Por një pjesëmarrje e SHBA në "Formatin Normandie" të përbërë nga Rusia, Ukraina, Gjermania dhe Franca nuk kishte qenë temë e bisedimeve.
"Rusia është e gatshme që të luajë një rol konstruktiv me SHBA në nivelin bilateral dhe ndërkombëtar", plotësoi ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, i cili pati diskutuar më parë me Kerryn. Por kjo do të jetë e mundur vetëm po të bëhet fjalë për një partneritet "të barabartë" pa "përpjekje të diktatit dhe të detyrimit" - vërejtja e zakonshme e Kremlinit, se bashkëpunimi me SHBA mund të ndodhë vetëm në nivel të barabartësh.
Vizita e zyrtarit më të lartë amerikan që prej krizës së Ukrainës
Edhe Kerry i vlerësoi gjithashtu si të "hapura" bisedimet në Soçi të Detit të Zi. Është e rëndësishme që të ruhet kontakti. Në fakt, vizita e Kerryt synoi t'i shërbejë qëllimit që filli i bisedimeve të mos ndërpritej krejtësisht. Marrëdhëniet e dy fuqive atomike kanë mbërritur në një pikë shumë të ulët për shkak të krizës së Ukrainës. Kerry ishte politikani amerikan me rang më të lartë që e viziton Rusinë që prej shpërthimit të luftës së Ukrainës në vitin 2013.
Në rend të ditës së bisedimeve ishin edhe negociatat atomike me Iranin dhe konflikti i Sirisë. Këto tema dhe tensionet midis Perëndimit dhe Rusisë mbizotërojnë edhe në takimin dyditor të ministrave të jashtëm të NATO-s (13.05) në Antalya të Turqisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi së fundi për një marshim të ri të trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën. Veç kësaj, Rusia sipas tij ka dërguar në Ukrainën Lindore armë të tjera të rënda si tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe artileri. Kjo e bën të mundur që kryengritësit të kalojnë pa paralajmërim në ofensivë.