Kerry në Bagdad - diskuton për krizën e shkaktuar nga ISIS
23 Qershor 2014Kryediplomati John Kerry do të diskutojë me kryeministrin irakian Nuri Al-Maliki dhe me politikanë të tjerë, se si SHBA mund të ndihmojnë në luftën kundër grupit islamist ISIS, tha zëdhënësja e State Department, Jen Psaki. Iraku duhet të ketë një qeveri, që përfaqëson interesat e të gjithë qytetarëve.
Konflikti i grupeve fetare është ashpërsuar javët e fundit, pasi grupi terrorist sunit ISIS (shteti islamist në Irak dhe Sirinë e Madhe) vendosi nën kontroll pjesë të tëra të veriut dhe përëndimit të Irakut. Sipas të dhënave zyrtare nga Bagdadi në luftime janë vrarë "qindra ushtarë". Qindramijëra civilë janë në arrati.
Ekstremistët duan të ndërtojnë një shtet islamist fetar nga Mesdheu deri në Gjirin Persik. Ata i konsiderojnë shiitët si heretikë. Rreth 60 përqind e popullsisë në Irak janë muslimanë shiitë. Në luftën civile në Siri ISIS lufton kundër trupave të presidentit Bashar al-Assad, por edhe kundër grupeve të tjera islamiste.
Jordania mobilizon trupat në kufi
Luftëtarët e ISIS kanë mundur të zgjerojnë pozitën e pushtetit. Ata po kërcënojnë edhe digën e dytë më të madhe në vend në një hidrocentral të rëndësishëm strategjik. Sipas njoftimeve të mediave, ISIS ka vënë nën kontroll edhe disa vendbanime në kufi me Sirinë dhe Jordaninë. Jordania ka mobilizuar forcat ushtarake në kufirin e saj.
Në jug të Bagdadit luftëtarë deri tani të panjohur kanë sulmuar një një konvoi, që transporte të burgosur duke vrarë 69 prej tyre. Në luftimet e mëtejshme është vrarë një polic dhe tetë sulmues, njoftuan një oficer policie dhe një mjek.