1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kandidatë për pranim në NATO

Bernd Riegert/ Aida Cama22 Nëntor 2012

Në Aleancën Atlantike NATO bëjnë pjesë gati të gjitha vendet evropiane. Dhjetë vjet pas zgjerimit të madh në radhë për pranim janë vendosur edhe katër shtete. Rusia e shikon këtë me sy kritik.

https://p.dw.com/p/16nnZ
Shtetet anëtare me flamujt e tyre
Shtetet anëtare me flamujt e tyreFotografi: AP

Para dhjetë vjetësh Aleanca Veriatlantike e NATO-s morri vendimin e pranimit të shtatë vendeve të Evropës Lindore, e cila u përmbush në vitin 2004. Gjatë takimit të nivelit të lartë të mbajtur në vitin 2002 në Pragë, ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson theksoi se zgjerimi i ri i NATO-s nuk do të drejtohet kundër Rusisë dhe shteteve të tjera. "NATO nuk ka qenë kurrë një organizatë eksluzive. Nga 12 shtetet themeluese numri i vendeve anëtare është rritur në 14, 15 dhe 16. Në vitin 1999 numri i vendeve anëtare arriti në 19 dhe dera për NATO-n, është ende e hapur".

Në vitin 1999, me Poloninë, Çekinë dhe Hungarinë u bë pranimi në aleancë i tre vendeve të para, që kishin qenë më herët anëtarë të Paktit të Varshavës. Pakti i Varshavës, aleanca ushtarake e bllokut lindor, ishte zhdukur disa vjet më parë nga harta politike, siç ishte zhdukur pak vite më parë Bashkimi Sovjetik nga harta gjeografike. "Në atë kohë, në fillim të viteve 90-të, ne nuk e kishim ëndërruar që do të bëheshim një ditë anëtarë të NATO-s, tha në takimin e dhjetë vjetëve më parë në Pragë, kryeministri estonez, Siim Kallas.

Lord George Robertson, Pragë 2002
Lord George Robertson, Pragë 2002Fotografi: picture-alliance/dpa

Dera drejt NATO-s mbetet e hapur

Ajo që tha Lord Robertson që në vitin 2002, pra që NATO do të jetë e hapur, u konfirmua edhe një herë në kryeqytetin rumun Bukuresht, në vitin 2008. Në vitin 2008 kryetarët e shteteve dhe të qeverive morën vendim që anëtare të Aleancës të bëhen edhe Gjeorgjia dhe Ukraina. "Gjeorgjia do të bëhet anëtare e NATO-s," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen para disa ditësh gjatë një vizite në kuartierin kryesor të NATO-s në Bruksel, të kryeministrit gjeorgjian, Bidsina Iwanischwili. Por anëtarësia kërkon më shumë përpjekje dhe më shumë reforma dhe bashkëpunim midis të gjitha qeverive." Kryeministri i sapozgjedhur me zgjedhje të lira tha se do të bëjë gjithçka që pritet të bëjë një vend kandidat për pranim. Iwanischwilli njoftoi në Bruksel se kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë. Rusia dhe Gjeorgjia patënn një konflikt luftarak katër vjet më parë, për territore që pretendohen prej tyre. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lawrow e shikon me sy kritik kursin e Gjeorgjisë drejt NATO-s.

Rusia nuk ka të drejtë fjale

Rusia i ka shoqëruar të gjitha hapat e zgjerimit të NATO-s, pas vitit 1990 me kritika. Njëkohësisht NATO dhe Rusia kanë filluar një partneritet të veçantë. Një organizëm special, Këshilli NATO- Rusi është ngritur për këtë punë. Në vitin 2002 në takimin e nivelit të lartë që u mbajt në Pragë, kancelari i atëhershëm gjerman Gerhard Schröder tha: "Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të tregohet se ky proces zgjerimi do të diskutohet hapur dhe me ndershmëri me Rusinë. Unë mendoj se kjo është treguar në shumë bisedime, dhe do të vazhdojë të tregohet."

Kroatien Unterschriften für Nato Beitritt NO FLASH
Kroacia futet në NATOFotografi: AP

Por Rusia nuk ka të drejtë të jetë pjesëmarrëse në marrjen e vendimeve, tha sot deputeti i parlamentit gjerman, Karl Lamers (CDU), i cili është anëtar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s: "Transparenca dhe dialogu karakterizojnë marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë, por e drejtë fjale nuk do të jepet. Përkundrazi: Në të kaluarën ju keni përjetuar gjithnjë se Rusia ka patur kundërshtime. Unë mendoj kryesisht për pranimin e vendeve balltike Estonisë, Lituanisë, Letonisë. Kjo nuk ka sjellë asgjë", tha Lamers për Deutschen Welle-n. "NATO duhet të marrë vetë vendimet për veten." Anëtari i parlamentit Karl Lamers mendon se Rusia duhet ta kuptojë," se NATO nuk është e orientuar kundër Rusisë, por është një partner për sigurinë dhe stabilitetin në botë."

Ukraina nuk do më të bëhet anëtare

Në vitin 2008, Ukraina ka pasur po ashtu ambicie që të bëhet dikur anëtare e NATO-s. Por, pas zgjedhjes së prorusit, Viktor Janukoviç, si president i vendit, Ukraina i ndërpreu planet për pranim në NATO. "Nën presidentin aktual nuk ekziston asnjë perspektivë për një pranim në NATO," tha deputeti i parlamentit gjerman dhe specialist i NATO-s, Karl Lamers. Megjithatë vazhdon të ekzistojë një bashkëpunim i ngushtë, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen gjatë takimit të fundit zyrtar me udhëheqjen ukrainase, që u zhvillua në pranverë. Ukraina angazhohet në misionet e drejtuara nga NATO, si për shembull ai në Afganistan.

Shqipëria anëtare e NATO
Shqipëria anëtare e NATOFotografi: picture-alliance/ dpa

Tre kandidatë nga Ballkani perëndimor

Në vitin 2009, u pranuan në NATO Shqipëria dhe Kroacia, shumë më parë se të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian. Kriteret për pranim në NATO janë më pak të ashpra se ato për pranim në BE, megjithatë kandidatët e NATO-s duhet të jenë vende demokratike, dhe të kenë kontroll civil të ushtrive të tyre. Megjithatë, forcat e armatosura duhet t`i përgjigjen standarteve të Aleancës. Për këto standarte janë duke punuar tani Bosnje- Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. E paqartë është kur do të bëhet pranimi i tyre. "Vendimi kur do të pranohet një shtet, varet nga përparimi që arrijnë shtetet. Ato duhet të plotësojnë të gjitha vlerat, që mbështet NATO. Përparimet do të shihen dhe pastaj do të merren vendimet. Një datë konkrete nuk është dhënë për asnjë nga shtetet," tha parlamentari Karl Lamers.

Kriteret i ka plotësuar tashmë ish-Republika jugosllave e Maqedonisë. Por, meqenëse Greqia, vend anëtar i NATO-s, pretendon emrin "Maqedoni" për provincën e saj veriore, dhe nuk pranon që Maqedonia të prezantohet me këtë emër, pranimi i vendit në NATO është bllokuar".

Rast problematik Serbia

Në vitin 1999, NATO zhvilloi luftë me Serbinë, për të mbrojtur njerëzit që jetonin në Kosovë, që asokohe i takonte Serbisë. Prandaj, marrëdhëniet midis NATO-s dhe Serbisë janë të ftohta. Ndryshe nga fqinjët e tij në Ballkan, Serbia nuk dëshiron të hyjë në Aleancën ushtarake. Serbinë nuk mund dhe as nuk do njeri ta detyrojë, thotë parlamentari i NATO-s, Karl Lamers. "Është kusht i rëndësishëm, që njerëzit edhe ta duan pranimin në NATO. Që do të thotë se ne duhet të kemi tek popullsia shumicën që duhet të jetë për pranim dhe anëtarësim në NATO. Sa i takon Serbisë, ky do të jetë një proces i gjatë. "NATO i jep vlera të veçanta kushtit që të pranojë vetëm shtete që nuk janë të përziera në konflikte territoriale. Kështu duhet bërë një herë pastrimi i konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Serbia, ashtu si edhe disa vende të BE-së, nuk e njohin Kosovën si shtet. Në Kosovë vazhdon të qëndrojë i stacionuar një trupë mbrojtëse e komanduar nga NATO.