1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katarina Barley - arma universale e SPD-së për Europën

18 Tetor 2018

Ka gati një gjysmë viti që Katarina Barley është ministrja gjermane e Drejtësisë. Politikanja me dy pasaporta tani synon Brukselin, si kandidatja kryesore e Partisë Socialdemokrate për zgjedhjet europiane 2019.

https://p.dw.com/p/36iGp
Deutschland Kabinettssitzung
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Një njeri mund ta portertizosh në forma të ndryshme. Formalisht përmes biografisë. Politikanja socialdemokrate Katarina Barley lindi në 19 nëntor 1968 si vajza e një gjermaneje dhe një anglezi, i cili ka punuar madje redaktor për Deutsche Wellen. Ajo studioi shkenca juridike në Marburg, Paris dhe Mynster. Juristja me doktoraturë ka punuar si avokate në Hamburg, si punonjëse shkencore në Gjykatën Kushtetuese dhe si gjykatëse.

Katarina Barley është e martuar dhe ka dy fëmijë. Në vitin 2008 ajo u zgjodh referente në Ministrinë e Drejtësisë në Mainc. Ajo ka punuar atje derisa në vitin 2013 u zgjodh deputete në Bundestag. Në vitin 2015 ajo u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e partisë, në qershor 2017 ajo mori postin e Ministrisë së Familjes nga Manuela Schwesig.

Katarina Barley Bundesjustiz- und Verbraucherschutzministerin
Fotografi: Imago/S. Minkoff

Kaq e preferuar saqë krijohet edhe një klub fansash

Pas zgjedhjeve ë Bundestagut, ajo mori madje edhe postin e ministres së Familjes si ministre në detyrë, për të zëvendësuar kolegen e partisë, Andrea Nahles, që kaloi në postin e kryetares së partisë. Me fillimin e punës të qeverisë së re gjermane, 49 vjeçarja mori postin e ministres së Drejtësisë.

Kush do të dijë më shumë për Katarina Barley-n, më shumë për personin pas politikanes, mjafton të hedhë një sy në Twitter. Nën hashtagun #stilllovingkatarina, fansat e saj shkruan pa fund në twitter, me qëllim që idoli i tyre të vazhdonte karrierën politike.

Katarina Barley gëzohet për simpatinë që gëzon. Ajo konsiderohet si e natyrshme, e zgjuar, e hapur dhe miqësore. Me këtë simpati ajo rrëmbeu edhe zemrën e SPD-së, ku ajo shihet si një politikane e majtë e moderuar. Për postin e Sekretares së Përgjithshme kjo nuk mjaftonte. Shumë pak sulmuese, shumë pak aftësi për të çuar gjërat në fund, këto ishin kritikat që u dëgjuan, kur kandidati i SPD-së për kancelar, Martin Schulz pas një startimi të fuqishëm filloi rënien. Vërtet Katarina Barley nuk është një grua që ngre zërin, por ajo është e përkushtuar dhe këmbëngulëse.

Bundesjustizministerin Katarina Barley
Fotografi: BMJV/Thomas Köhler/photothek

Ajo di të pozicionohet

Ministrja e Drejtësisë, Katarina Barley nuk e ka të vështirë të pozicionohet. Ajo nuk i trembet as përballjes. Me Facebook-un Barley u grind për më shumë transparencë të rrjetit social. Në koalicionin me bazë të gjerë, ajo doli kundër nocionit të përdorur nga partneri i koalicionit, CSU, „azil-turizëm" që nënkuptonte ardhjen e refugjatëve. Po ashtu ajo doli kundër mbrojtjes së ashpër që unioni i bëri ndalimit të pllakateve për abortet. Si ministre e Familjes, Barley kritikoi një „kulturë të heshtjes" në biznesin gjerman të filmit, por kërkoi edhe „zbardhjen e plotë" të rastit të regjisorit Dieter Wedel, që u akuzua për përdhunime e dhunë seksuale.

Katarina Barley nuk e ka fshehur se është e hapur për shumë detyra. Ajo është „arma universale" e SPD-së, tha ajo, kur bëhej fjalë për postet ministrore në koalicionin e madh. Por ajo është përpjekur gjithmonë të pozicionohet tematikisht. Në faqen e saj të internetit gjenden temat sociale, ato të familjes, pensionet, shëndetësia, demografia, Europa, energjia dhe transporti.

Europa është po ashtu një temë që i intereson Katarina Barleyt edhe për shkak të sfondit të saj familjar. Megjithëse ajo nuk ka jetuar asnjëherë në Angli, Barley e sheh veten si gjermane dhe angleze, por në radhë të parë si europiane. Fjalimin e saj të parë në Bundestag në vitin 2013 ajo e mbajti mbi Europën.

Katarina Barley jeton në Trier dhe thekson gjithmonë avantazhet e një Europe të hapur për paqen dhe mirëqenien. „Këtu me biçikletë brenda ditës mund të kalosh nëpër katër vende", tha ajo në dialog për Europën me qytetarët e Trierit, duke pasur parasysh vendet fqinje Luksemburgun, Francën dhe Belgjikën.

Deutschland Bundeskabinett Katarina Barley
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Fillimisht ajo nuk e synonte Brukselin

Për një kohë të gjatë mendohej, se Martin Schulz do të kandidonte sërish si njeriu i socialdemokratëve për zgjedhjet e Parlamentit Europian në vitin 2019. Por në fund Martin Schulz vendosi kundër kandidimit. Kryetarja e partisë, Andrea Nahles arriti të bindte, Barleyn për të kandiduar. „Ajo është një zgjedhje shumë e mirë", tha Schulz. Një europiane e bindur, që zhvillon „luftë për Europën e humanitetit, të drejtësisë dhe solidaritetit". Ndryshe nga Schulz, Katarina Barley do të jetë kandidatja kryesore e socialdemokratëve brenda Gjermanisë. Kandidati kryesor i socialdemokratëve europianë, e me këtë edhe kandidat për postin e kreut të Komisionit Europian duket se do të jetë holandezi Frans Timmermans, i cili mbështetet edhe nga Andrea Nahles.