1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kartëmonedhat e reja

Dirk Kaufmann / Vilma Filaj-Ballvora7 Nëntor 2012

Banka Qendrore Evropiane (BQE) do të prodhojë kartëmonedha të reja të euros. Nga viti 2013 kartëmonedhat aktuale të euros do të zëvendësohen me të reja. BQE do t'i bëjë më të sigurta bankënotat e veta.

https://p.dw.com/p/16dqM
Fotografi: picture-alliance/dpa

Enti federal i Kriminalistikës ka numëruar bankënotat e falsifikuara, të cilat ose janë konfiskuar nga policia gjatë vitit 2011, ose kane qenë në qarkullim. Fjala është për ato kartëmonedha, me të cilat qytetarët kanë paguar faturat e tyre nëpër dyqane, apo hotele. Vlera e këtyre kartëmonedhave arrin në rreth 6,5 milionë euro.

Krahasuar me sasinë e përgjithshme të parasë kjo shumë është minimale. Madje edhe Helmut Schäfer nga Enti i Kriminalistikës për landin e Bavarisë në Mynih ka të njëjtin mendim. Në intervistë për DW ai tha: "Dëmi për ekonominë është minimal."

Schäfer është zëvendësdrejtor i sektorit të Entit të Kriminalistikës për "paratë e falsifikuara". Nëpunësit, sipas Schäfer, në punën e tyre nuk janë mbrojtësit e stabilitetit të monedhës, ata kanë për detyrë të garantojnë "sigurinë dhe lehtësinë në xhiron e pagesave".  Ata përndjekin falsifikuesit e parave, në mënyrë që qytetarët të mund të jenë të sigurtë gjithmonë se kanë në dorë para "të vërtetë", bankënota këto që paraqesin një "barazvlerë reale".
 

Raundi i ardhëshëm në ciklin e bankënotave

Nëse BQE nga viti 2013 do të hedhë në qarkullim kartëmonedhat e reja, këtë nuk do ta bëjë për të luftuar inflacionin, sepse për shkak të falsifikimeve do të kishte shumë para në qarkullim. Banka emetuese më shumë synon me serinë e re, që "t'ua vështirësojë punën falsifikuesve", thotë Schäfer.  Falsifikuesit e parave kanë gjithmonë nevojë për një farë kohe derisa t'i njohin mirë dhe të jenë në gjendje t'i imitojnë bankënotat. Vetëm pas një kohe të caktuar hidhen në qarkullim para të falsifikuara, të cilat normalisht dallohen lehtë. Kur falsifikuesit janë të ushtruar dhe kryejnë sërish "punë të pastër", atehërë nga këndvështrimi i një banke emetuese nis një cikël i ri bankënotash: Kartëmonedhat ekzistuese ripunohen dhe ndryshohen.

Përveç kësaj kartëmonedhat aktuale të euros janë tashmë qysh prej dhjetë vjetësh në qarkullim, shumë prej tyre janë vjetëruar dhe dëmtuar, ndaj gjithësesi ato duhet të këmbëhen me te reja. Gjatë emetimit të kartëmonedhave të reja banka emetuese shfrytëzon edhe rastin për t'i ripunuar shenjat e sigurisë të kartëmonedhave të veta.

Euro / Zerstörte Banknote / Geldschein
Fotografi: dapd

Dobësia e euros

Artisti nga Këlni Hans-Jürgen Kuhl i njeh mirë paratë. Jo sepse ai posedon shumë para, por sepse ai vet ka prodhuar para - madje për këtë ai ka qenë gjashtë vjet i dënuar me burg. Ndonëse Kuhl nuk falsifikon më para, ai ende vazhdon t'i shohë kartëmonedhat me një sy tjetër. Ai i tha DW-së, se çfarë nuk i pëlqen tek euroja aktuale: "Kodi i BQE-së në pjesën e përparme është paksa konveks, fare pak. Me mundim atë mund ta perceptosh. E kjo për falsifikuesit e rafinuar nuk përbën ndonjë problem të madh."

Ky s'është problem për një falsifikues si artisti Hans-Jürgen Kuhl p.sh. Ai është bërë i njohur edhe prej kartëmonedhave të dollarit të prodhuara në punishten e tij private: Ato janë konsideruar si falsifikimet më të mira të realizuara ndonjëherë të monedhës amerikane. Kuhl ka parë edhe bankënota të falsifikuara të euros, p.sh. të ashtuquajturat  super-euro nga Evropa Lindore, të cilat konsiderohen si falsifikime të mira.  Por edhe në rastin e "gonxheve" më të mira, sipas Kuhl, falsifikuesit dështojnë gjithmonë tek reliefet e njohura: "Problemi kryesor për falsifikuesit janë shenjat e fshehura dhe hologrami."

Një luftë pafund

Helmut Schäfer nga Enti i Kriminalistikës së landit të Bavarisë në Mynih beson, se edhe kartëmonedhat e reja të euros, që do të hedhë BQE-ja nga 2013 në qarkullim, mund të imitohen: "asnjëherë nuk do të ketë kartëmonedha absolutisht të sigurta prej falsifikimeve."

Bankat emetuese në fund të një cikli bankënotash gjithmonë do të përballen me sfidën nga falsifikuesit. Kjo nuk vlen vetëm për euron. Në sytë e  Hans-Jürgen Kuhl, një njohës i shkëlqyer i punës së bankës emetuese të SHBA-së, edhe dollari s'gjen mëshirë. Kuhl i ka vëzhguar me kujdes kartëmonedhat e reja të dollarit dhe ka konstatuar, se ato ndonëse janë prodhuar në mënyrë mjaf ttë sofistikuar, "për një falsifikues të arësyeshëm ato s'përbëjnë asnjë problem."

Dollarscheine
Fotografi: AP

Më shumë punë zanatçiu

Edhe për falsifikuesit dhe mashtruesit duket se tregu i së ardhmes ndodhet në internet. Përmes mashtrimeve në sistemin e online-banking p.sh. fitohet shumë më tëpër dhe më lehtë e me më pak rrezik. Për këtë duhet të jesh një kalibri tjetër, thotë polici Helmut Schäfer: nevojitet më shumë aftësi teorike se sa praktike. Ndonëse jo kushdo e ka këtë aftësi, "gjithmonë do të ketë falsifikues, sepse ata thjeshte janë tipa zanatçinjsh."

Të mashtruarit e kanë fajin vet

Eksperti i parave të falsifikuara Hans-Jürgen Kuhl është i sigurtë, se "profesioni" i falsifikuesve të parave nuk do të zhduket kaq shpejt. Kjo, sipas tij, nuk ka të bëjë me paaftësinë e bankave emetuese për të prodhuar vërtetë kartëmonedha të sigurta nga falsifikimi, por më shumë me pakujdeisnë tonë.

Shumë njerëz teksa paguajnë në arkat e supermerkatove as që i numërojnë paratë e kusurit dhe në stresin për ta mbyllur sa më shpejt turnin shitëset në arkë jo gjithmonë i kushtojnëvëmendje se çfarë kartëmonedhe marrin në dorë. Sa më të pakujdesshëm jemi ne, aq më e thjeshtë është puna për falsifiekusit, thotë Kuhn: "Për aq kohë sa njerëzve mund t'ua hedhë edhe me një kartëmonedhë 75 eurosh, falsifikuesit mund të bëjnë çfarë të duan."