Karaxhiqi pretendon për një marrëveshje me Richard Holbrooke
25 Maj 2009As në kërkesën e Karaxhiqit e as në deklaratat e Peter Robinsonit nuk kishte asgjë të re lidhur me imunitetin nga ndjekja penale për të cilin Karaxhiqi pretendon t'ia ketë garantuar ndërmjetësuesi amerikan Richard Holbrooke.
Që prej arrestimit në korrik të vitit të kaluar në Beograd dhe dërgimit të tij në burgun e Gjykatës së Lartë të Kombeve të Bashkuara në Hagë, Karaxhiqi nuk rresht së përsërituri se ka pasur një marrëveshje me Holbrook-un, të cilën sipas tij e kanë lidhur në korrik të vitit 1996 në Beograd. Karaxhiqi në deklaratat e tij të mëparshme kishte deklaruar se ka 'dëshmi të pamohueshme' sa i përket kësaj marrëveshjeje të lidhur jo vetëm në emër të administratës amerikane por edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Andaj Karaxhiqi i kundërshton kompetencat e Gjykatës së Hagës, e cila sipas tij po e mban atë dhe po zhvillon gabimisht proces kundër tij.
Tribunali i Hagës i quan kërkesat si të paargumentuara dhe jo të sakta
Pala mbrojtëse ka kërkuar që prokuroria të kërkojë të gjitha dokumentat e shkruara, shënimet, incizimet audio-vizuele të cilat janë bërë më 18 dhe 19 korrik të vitit 1996 në Beograd, ku sipas tij është arritur marrëveshja për imunitetin. Prokuroria i ka paraqitur të gjitha dokumentet që ka në dispozicion, por Karaxhiqi ka kërkuar t'i ofrohen të gjitha dokumentat, të cilat mund të dëshmojnë ekzistencën e marrëveshjes. Tribunali i Hagës këtë kërkesë e ka quajtur si të paargumentuar dhe jo të saktë.
Edhe nëse ekziston një marrëveshje e tillë ajo nuk do të kishte kurrfarë rëndësie për Tribunalin e Hagës
Gjykatësit e Tribunalit të Hagës u janë përgjigjur fillimisht me gojë e më vonë edhe me shkrim kërkesave të Karaxhiqit dhe kanë theksuar se edhe nëse ekziston një marrëveshje e tillë me Holbrook-un, ajo nuk do të kishte kurrfarë rëndësie për Tribunalin e Hagës dhe do të ishte jashtë juridiksionit të Gjykatës. Sipas tyre për akuzat për krime lufte dhe gjenocid nuk mund të ketë imunitet. Megjithatë Karaxhiqi po vazhdon të përpiqet që imunitetin dhe marrëveshjen me Holbrook-un ta paraqesë si çështjen kryesore të procesit, i cili duhej të fillonte në vjeshtë.
Për këtë qëllim Karaxhiqi kishte kërkuar edhe organizimin e një konference për shtyp në të cilën donte të merrte pjesë personalisht. Kërkesa e tij është refuzuar nga Gjykata. Avokati amerikan Peter Robinson e mbajti vetë të hënën (25.05.) në Hagë konferencën për shtyp, gjatë së cilës përsëriti se marrëveshja Karaxhiq-Holbrook ekziston dhe kjo marrëveshje e detyron Tribunalin që të ndërpresë procesin. Megjithatë avokati Robinson nuk solli asnjë argument të ri apo dëshmi, përse një marrëveshje eventuale mes Holbrook-ut dhe Karaxhiqit do të duhej ta detyronte Tribunalin e Hagës që të hiqte dorë nga akuzat për krime lufte dhe gjenocid ndaj ish-udhëheqësit serbo-boshnjak Radovan Karagjiq.
Autor: Xhevat Sabljakoviq/Esat Ahmeti