1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kandidati i dobësuar "Kadima"- Zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Izrael

Peter Philip27 Mars 2006

Sipas sondazheve parazgjedhore, më e favorizuara është partia "Kadima" e themeluar nga Kryeministri, Ariel Sharon i cili prej disa muajsh ndodhet në koma. Megjithatë kohët e fundit partia "Kadima" është dobësuar

https://p.dw.com/p/Aqf0
Zgjedhjet në Izrael
Zgjedhjet në IzraelFotografi: AP

Kolltuku me ngjyrë kafe të çelët i Kryeministrit të Izraelit ka mbështetësen më të lartë krahasuar me ato të ministrave në tavolinën qeveritare. Megjithatë kolltuku ka qëndruar bosh edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë para zgjedhjeve. Zyrtarisht Ariel Sharoni, i cili ndodhet në koma që nga Janari është Kryeministër i vendit dhe Ehud Olmert "Kryeministër në detyrë". Olmeri e respekton këtë fakt dhe lë të lirë karrigen e Sharonit. Megjithatë asnjeri nuk e beson më se Kryeministri i sëmurë rëndë do të mund të kthehet ndonjëherë në detyrë. Kjo është ndoshta një shenjë e sjelljes së ndërgjegjshme modeste e Olmertit që paraqitet si burrë shteti dhe preferon të heq dorë nga shfrytëzimi i tavolinës qeveritare për fushatë elektorale: "Unë i bëj thirrje qytetarëve të Izraelit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Nuk ka shprehje më domethënëse dhe më të mirë të shprehjes të të drejtave të njeriut sesa të përcaktojë me zgjedhje fatin dhe karakterin e ardhshëm të vendit të tij."

Por duket se për qytetarët nuk është kaq vendimtar fakti që ata të martën (28.03) do të mund të vendosin për fatet e vendit të tyre. Sondazhet më të fundit flasin për zhgënjim nga politika, pasiguri dhe irritim dhe parashikohet një pjesëmarrje e ulët në zgjedhje.

Kjo gjendje ka të bëjë edhe me faktin se "burri i fortë" Sharon nuk është më prezent dhe se pasuesi Olmert është kryeministri i parë prej shumë vitesh që nuk vjen nga ushtria dhe nuk gëzon simpatinë dhe besimin e njerëzve që gëzonte Sharoni. Megjithatë Olmert dhe partia "Kadima" që do të thotë "përpara" janë favoritët e zgjedhjeve. Në janar partia "Kadima" siguronte sipas sondazheve 44 mandate nga 120 vende në parlament, kurse fundjavën e kaluar zbriti në vetëm 33 mandate. Megjithatë ajo është partia më e votuar e pasuar nga Partia punëtore dhe "Likud", të cilat mund të marrin vetëm gjysmën e votave.

Në vigjilje të zgjedhjeve po spekullohet se si do të mund të qeverisë Olmerti. Në Izrael nuk është e mundur të qeveriset pa bërë koalicion, por një koalicion i qëndrueshëm vetëm me partinë punëtore do të ishte i vështirë për të arritur numrin e kërkuar të 61 mandateve. Kështu tani vështrimi hidhet nga partitë e vogla fetare, që janë gjithmonë ato që sjellin shumicën. Shimon Perez që ka kaluar nga partia punëtore tek ajo "Kadima" paralajmëron për një fiksim të tillë tek partitë e vogla: "Problemi nuk është madhësia e partive të vogla. Problemi strategjik është se vetëm një parti e madhe mund të sjellë paqen."

Por një parti të tillë të madhe nuk do të ketë. Gjithashtu programi i "Kadima" nuk është garanci për paqen. Olmerti ka marrë përsipër atë që kishte bërë Sharoni në Rripin e Gazës. Tërheqja e njëanshme e Izraelit do të bëhet pas bisedimeve paraprake me SHBA-të në mënyrë të ngjashme në Bregun Perëndimor me ndryshimin e madh se Olmert është gati të lëshojë vetëm territore të vogla megjithë kritikën nga jashtë.

Shefi i partisë "Likud" Benjamin Njetanjahu është një kundërshtar i zjarrtë i planit të tërheqjes. "Ata duan të bëjnë tërheqjen e madhe që sipas mendimit tim do të ketë pasoja fatale, nëqoftëse shihet se çfarë po ndodh me goditjet nga Gaza në drejtim të Ashkelonit. Ata nuk kanë mësuar asgjë. Megjithatë ata duan ta bëjnë këtë dhe ju e dini se ka vetëm një forcë që e pengon atë."

Dhe kjo parti është Likud, por që nuk asnjë shpresë të marrë pjesë në koalicionin qeverisës pasi Olmert do në koalicion vetëm parti që mbështesin konceptin e tij.

Kjo parti do të jetë në rradhë të parë partia punëtore me liderin e saj të ri Amir Perez, partia e të cilit u tërhoq vitin e kaluar nga koalicioni me Sharonin që çoi edhe në zgjedhje të parakohshme. Perez është sindikalist dhe ai mund të fitojë vota me fushatën e tij për më shumë vende pune dhe siguri sociale por ai është pak i besueshëm kur flet për paqe dhe siguri.

"Siguri - kjo nuk është vetëm tanke, aeroplanë dhe anije luftarake. Siguria është në rradhë të parë njerëz…"

Njerëzit pyesin pse zgjedhje të reja dhe gjithë kjo fushatë elektorale kur partia punëtore do të jetë përsëri në koalicion, por tani në kushte më të këqija se në fund të vitit të shkuar. Atëhere mund të bisedohej për paqen me shefin e OÇP-së Mahmud Abaz, kurse tani palestinezët kanë zgjedhur Hamasin dhe për një periudhë kohe nuk do të ketë bisedime.