1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja gjermane vazhdon udhëtimin në Izrael dhe në zonat palestineze

2 Prill 2007

Kancelarja Merkel po angazhohet për rigjallërimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme

https://p.dw.com/p/AqWt
Angela Merkel dhe Ehud Olmert
Angela Merkel dhe Ehud OlmertFotografi: AP

Emri i Angela Merkelit në Izrael dhe në zonat palestineze është i njohur. Ajo konsiderohet si mikeshë pa kushte e Izraelit, e cila është besnike ndaj Izraelit edhe në kohë të vështira. Në Izrael kjo vlerësohet shumë dhe shoqërohet me komente miratuese në gazeta. Kështu, gazeta me emër, Haarec theksoi para disa ditësh në një kryeartikull se kancelarja gjermane si presidente e Këshillit të BE është angazhuar disa herë që e drejta e Izraelit për të ekzistuar të theksohet vazhdimisht.

Në përputhje më këtë është e madhe dashamirësia me të cilën u prit Merkeli në udhëtimin e saj të dytë si kancelare në Jeruzalem. Në një fjalim që mbajti në Universitetin Hebre të Jeruzalemit, Merkeli theksoi se bota arabe është e gatshme për të folur për konfliktin dhe mundësitë e zgjidhjes së tij. Synim afatgjatë është një zgjidhje me dy shtete, në të cilën Izraeli dhe një shtet palestinez të ekzistojnë pranë njëri-tjetrit. Për meritat e saj, Merkeli u nderua nga universiteti hebre i Jeruzalemit me titullin e doktorit të nderit. Më parë kancelarja kishte vizituar qendrën përkujtimore hebreje, Jad Vashem duke vendosur atje një kurorë për viktimat e genocidit të Gjermanisë naziste ndaj hebrenjve. Në librin përkujtimor Merkeli shkroi:"Humanizmi rritet nga përgjegjësia për të kaluarën". Kryeministri Ehud Olmert e priti Merkelin që të shtunën në darkë për një shkëmbim jozyrtar mendimesh. Qarqe qeveritare gjermane bënë të ditur se dy kryetarët e qeverive do të takohen gjithsej tri herë me njëri-tjetrin. Merkeli takon një kryeministër të dobësuar. Brenda vendit, ndaj Olmertit po ushtrohen kritika të rënda. Vetëm midis një e gjysëm dhe tri përqind e popullit i besojnë atij ende. Këtë nuk e ndryshon edhe një sërë intervistash që ai dha ditët e fundit me rastin e festës së Pesahut. Në komentet e gazetave të së dielës Olmerti skicohet si një kryeministër vetëm për një periudhë të caktuar, i cili mbahet vetëm me mundim në pushtet. Kritikohen vecanërisht reagimet e vakëta arabe ndaj planit të paqes të Izraelit. "A nuk ka mbetur njeri në Jeruzalem, i cili të mund të na jepte një përgjigje më kreative, më pozitive, që të na japë sërish shpresë?" pyet gazeta Jediot Aharonot. Gazeta e konkurencës Maariv tërheq vëmendjen që shefi i Hizbollave Hasan Nasrallah gëzon më shumë besim në Jeruzalem se sa Olmerti. Populli konsideron më të besueshëm armikun për vdekje, se sa kryeministrin. Pas bisedimeve në Jeruzalem kancelarja u takua në Ramallah me kryeministrin palestinez, Mahmud Abas. Edhe pozicioni i presidentit palestinez është dëmtuar, sepse që prej zgjedhjes së tij dy vjet më parë ai nuk ka arritur të përmirësojë kushtet jetësore të palestinezëve dhe ta nxisë Izraelin që të bëjë lëshime. Në takimin me Abasin Merkeli cmoi pranimin nga presidenti palestinez të kritereve të kuartetit të Lindjes së Afërme. Por ajo theksoi se kriteret në fjale duhet të pranohen nga e gjithë qeveria palestineze. Merkeli kërkoi më tej edhe lirimin e ushtarit izraelit, Xhilad Shalit. Ai ndodhet që prej qershorit 2006 në duart e grupimeve palestineze. Abasi theksoi përpjekjet e tij për lirimin e ushtarit izraelit dhe tha së është e sigurtë se ai do të lirohet së shpejti.

Të hënën janë parashikuar takime të kryetarës së radhës së BE me kryeministrin e Libanit, Fuad Siniora.