1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kampionati dhe kupa e Gjermanisë në futboll

Elert Ajazaj31 Tetor 2005

Bajerni, Verderi dhe Hamburgu fitojnë

https://p.dw.com/p/AsKJ
Dyluftim gjatë takimit Hamburg / Shalke 04
Dyluftim gjatë takimit Hamburg / Shalke 04Fotografi: dpa

Java e fundit ishte një javë angleze. Ekipet e Bundesligës zhvilluan ndeshje si për kampionatin ashtu edhe për kupën e Gjermanisë. Në kupë ra në sy humbja e thellë e Shalkes në Frankfurt ndaj Ajntrahtit 6:0. Ralf Rangnick, trajneri i Shalkes tha më pas:

"Në gjysmë orën e fundit kemi luajtur si fëmijë të vegjël; sigurisht që duhet t'u flas lojtarëve kur luajnë në këtë mënyrë."

Por duket se kjo nuk ka mjaftuar sepse seria negative e Shalkes vazhdoi edhe të shtunën në kampionat, ku ata humbën 1:0 ndaj të tretit në tabelë, Hamburgut. Ndërkohë hedhja e shortit për raundin e tretë në kupë përcaktoi si njërin prej çifteve derbin klasik veri-jug: Bajern i Mynihut kundër Hamburgut; kujtojmë se Hamburgu e ka mundur Bajernin këtë sezon.

Sa vjen e më dramatike po bëhet gjendja për Këlnin. Megjithëse këtë javë ofroi një paraqitje dinjitoze kundër kampionëve në fuqi të Bajernit duke kaluar edhe në avantazh i pari, Këlni u mund në fund 1:2 në fushën e vet nga bavarezët që mbeten të parët.

I dyti në renditje Verder Bremen morri po tri pikë duke mundur Frankfurtin 4:1. Po me këtë rezultat 4:1 përfunduan edhe dy takimet e djeshme Mainc / Nyremberg dhe Bilefeld / Hanover ku kundër njëri-tjetrit luanin dy futbollistë shqiptare: kapiteni i Hanoverit Altin Lala dhe Fatmir Vata. Në ndeshjen për kupën të dyja këto ekipe u kualifikuan për në raundin e tretë duke mundur me rezultat 2:1 kundërshtarët përkatës: Alemania Ahen dhe Energi Kotbus. Kundërshtarët e radhës në kupë janë: Verder Bremen për Hanoverin dhe Unterhahing për Bilefeldin.

Rezultatet e tjera të javës së njëmbëdhjetë janë:

Duisburg / Volfsburg 1:0
Borusia e Dortmundit / Borusia Mënhengladbah 2:1
Shtutgart / Herta e Berlinit 3:3 dhe
Kaizerlautern / Bajer Leverkuzen 2:2.

Pas rezultateve jo të kënaqshme të ndeshjeve të fundit të kombëtares gjermane është vendosur të ringrihet "grupi i punës i ekipit kombëtar", i cili do të mbështesë në përgatitjet e tij për Botërorin Gjermania 2006 trajnerin e kombëtares Jürgen Klinsmann. Ky ishte rezultati i takimit të zhvilluar në Frankfurt midis grupit të trajnerëve të klubeve dhe përfaqësuesve të federatës së futbollit.

Nga futbolli evropian:

Seria e fitoreve të Juventusit në kampionatin italian u prish. Në derbin Milan / Juventus bardhezinjtë u mundën 3:1 nga kuqezinjtë, të cilët u janë afruar tani të parëve deri në dy pikë.

Nga kampionati anglez veçojmë humbjen 4:1 këtë javë të Manchester United kundër Middlesbrough-ut.