Kamp internimi për emigrantë në afërsi të Athinës
2 Maj 2012Një javë para zgjedhjeve parlamentare, autoritetet greke izoluan të dielën (29.04.2012) në një kamp internimi në afërsi të Athinës 50 emigrantët e parë të paligjshëm. Banorët u mblodhën menjëherë në një miting proteste, për shkak se nuk duan një kamp të tillë në lagjen e tyre. Qeveria greke synon të ngrejë 30 kampe të tilla në mbarë vendin për të futur aty 30.000 refugjatë.
Ne nuk i duam të huajt këtu bërtasin qytetarë të Amigdalezës në veriperëndim të Athinës. Ata janë mbledhur tek postblloku i policisë për të protestuar kundër kampit të internimit për emigrantët e paligjshëm, që është ngritur jo larg shtëpive të tyre. Ata kanë frikë se bashkë me refugjatët në Amygdalezë do të vijë edhe krimi.
Gjendja është e tendosur. Ministri i Brendshëm grek Mihali Krisochoidis, u garanton banorëve se refugjatët nuk do të lejohen të largohen nga kampi - ata jetojnë atje në kontejnerë, zona eshte e rrethuar me tela me gjemba disa metra të lartë. Në të njëjtën kohë, ministri iu kundërvu akuzave se Greqia i trajton refugjatët në mënyrë çnjerëzore: "Ne kujdesemi për të gjithë qytetarët në këtë vend, pa marrë parasysh se çfarë race, feje apo kombësie i përkasin. Në të njëjtën kohë unë duhet të them se me gjithë dhembshurinë ..nuk shkon që qindra e mijëra vetë jetojnë ilegalisht në rrugë. Ata janë viktima të trafikantëve të njerëzve, të drogës dhe të prostitucionit, dhe në këtë mënyrë përhapin edhe sëmundje."
Në kazerma të dikurshme qeveria greke dëshiron të ngrejë në shkallë vendi 30-50 kampe të tilla, secili për rreth 1,000 refugjatë. Në këto kampe ata duhet të presin deri sa t'i kthejnë në vendet e tyre të origjinës. "Jo kampeve të përqendrimit, jo racizmit" therrasin demonstruesit e skenës së majtë në Athinë. Ata e akuzojnë qeverinë se pak para zgjedhjeve tregohet e ashpër kundër të huajve duke i bërë ata kështu kokë turku për problemet e Greqisë.
Qeveria greke është e mbingarkuar me problemin e refugjatëve
Sipas vlerësimeve në Greqi, e cila ka një popullsi prej rreth 11 milion banorë, jetojnë rreth një milion refugjatë. Shumica e refugjatëve janë nga Afrika ose Azia dhe hyjnë në Greqi nga Turqia duke kaluar brezin e gjatë kufitar mes dy vendeve. Dikur shumë prej tyre kishin mundësi të gjenin punë në Greqi, por sot kjo nuk funksionon më. Tani nëpër Athinë qarkullojnë pa punë e pa strehë mijëra refugjatë - si p.sh. pakistani Abdul Amid: "Që nga viti i kaluar është bërë shumë e vështirë këtu. Nuk ka më shumë punë, as banesa, as për të ngrënë dhe për të jetuar. Ne jemi kaq shumë dhe nuk ka asgjë. Dhe ata nuk na japin leje dhe dokumente."
Refugjatët në Greqi nuk kanë praktikisht se ku të bëjnë kërkesë për azil, për shkak se autoritetet përgjegjëse nuk kanë as para dhe as personel - zyrat thjesht rrinë të mbyllura. Vetëm Policia e të Huajve në Athinë përpunon kërkesa për azil : 20 në ditë - dhe kjo kur numri i kërkesave eshte dhjetëra e mijëra.
Por edhe kush ia ka arritur të marrë azil, si 18-vjeçari Ali Amami nga Afganistani jeton në rrezik: Pasi mori azilin ai ndjek në Athinë shkollën. Por, rrugës për në shkollë, atë e sulmuan. Tani ai ecën me paterica dhe këmbën e djathtë e ka të bandazhuar: "U desh të shkoja në spital. Më sulmuan me thikë dhe më rrahën. Ishin dhjetë persona."
Grupe agresive ekstremistësh të djathtë patrullojnë në disa lagje të Athinës dhe rrahin e përndjekin të huajt. Tani gjatë fushatës elektorale çështja e refugjatëve diskutohet me zjarr të madh.
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, paralajmëroi se kapet e rinj të internimit nuk do të zgjidhin problemin. Dhe shumë organizata bamirëse në Athinë mendojnë se Greqia nuk ia del dot vetë dhe se BE-ja duhet të ndihmojë, jo vetëm me para, por edhe me ekspertë, në mënyrë që gjendja e patolerueshme të marrë fund.
Autor: Thomas Bormann/ Dr.Pandeli Pani
Redaktoi: Aida Cama