1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270809 Juden Köln

27 Gusht 2009

Këln ka qenë qendër e një prej komuniteteve më të mëdha hebraike evropiane gjatë antikës dhe mesjetës. Dëshmi të kulturës hebraike janë njerrë nga zona e re arkeologjike e Këlnit, dëshmi që do të ekspozohen më vonë.

https://p.dw.com/p/JJDA
Sinagoda e Këlnit.
Bashkësia hebraike në Këln ka një histori thuajse 2000 vjeçare.Fotografi: dpa

Bashkësia hebraike në Këln ka një histori thuajse 2000 vjeçare. E përmendur për herë të parë në anale të shekullit të katërt para Krishtit, bashkësia u rrit gjatë mesjetës nën mbrojtjen e metropolit tregtar urban të Këlnit dhe u bë bashkësia më e madhe hebraike në Gjermani. Hebrejtë e Këlnit nuk kanë financuar vetëm ndërtimin e katedrales, por edhe kanë krijuar emblemën e flamurit izraelit. Nga gjurmët antike, tek përndjekja mesjetare e hebrejve, deri te nata e pogromit të nazistëve, historia e tyre e rëndë ka lënë gjurmë të qarta në fytyrën e qytetit. Varre dhe monumente të shumta pasqyrojnë qëndrimin e ndryshueshëm të qytetarëve të Këlnit, ndaj bashkëqytetarëve hebraike dhe perlat e kulturës hebraike të Këlnit përmblidhen tani në zonën arkeologjike në një muze të rëndësishëm nën tokë.

Judengasse në Këln
Judengasse në KëlnFotografi: picture-alliance/dpa

Mikva e shekullit të tetë

Kush kërkon zanafillën e Këlnit hebraik, duhet të shkojë në zemër të pjesës së vjetër të qytetit. Në sheshin para bashkisë nën një mbulesë në forme piramide duket mikva, banja rituale hebreje, boshti i së cilës mbërrin 15 metër poshtë. Rrënjët e tij në Këln mbërrijnë deri në shekullin e tetë. Anëtarët e bashkësisë duhet të shkonin në këtë banjë për t'u pastruar. "Burrat shumë fetarë përpara se të preknin torën. Gratë pas përfundimit të periodës. Dhe enët përpara se të bëhen kosher, duhet të pastrohen edhe një herë në mikva, " thotë Tal Kaizman, i bashkësisë hebraike përpara se të zbresim me drejtorin e zonës arkeologjike të Këlnit, Sven Schütte në ndërtimet antike. "Pra, këtu ku ndodhem unë tani, është paradhoma e mikvës. Ju duhet ta merrni me mend, që gratë kanë pritur. Këtu është bërë mblesëria për këtë, apo atë martesë dhe është bërë edhe ndonjë thashethem. Pastaj kemi një dhomë të vogël për zhveshje, që ndodhet më poshtë dhe disa këmbë shkallë dhe pastaj duhej të zhyteshe tri herë komplet - ishte ftohtë akull dhe për më tepër errësirë."

Mikva, lagja më e vjetër në tokë gjermane

Një dritë e dobët vinte vetëm prej disa qirinjve, që ishin vendosur në disa të futura në mure. Mikva është një ndër lagjet më të vjetra dhe më të rëndësishme të hebrejve në tokë gjermane. Një dekret i mbretit Constantin i vitit 321, dëshmon se që në kohën e romakëve në Këln ka ekzistuar një bashkësi e madhe dhe e pasur hebreje.

Sinagoga e Këlnit.
Sinagoga e Këlnit është më e vjetra e llojit të saj në Gjermani.Fotografi: dpa

Sinagoga e Këlnit është më e vjetra e llojit të saj në Gjermani. Ajo u ngrit pas shkatërrimeve në fund të shekullit të tetë mbi muret e një ndërtese të periudhës së vonë antike, e cila ka mundësi të ketë shërbyer si sinagogë. Më 1424 Hebrejtë u dëbuan përfundimisht nga qyteti mesjetar. Sinagoga u plaçkit.

Sven Schütte dhe ekipi i tij arkeologjik grumbullojnë mbetjet e ndërtesës sakrale në gërmime të mundimshme. "Këta gurë të vegjël, që ndodhen këtu përgjatë çadrës, janë e gjitha, që ka mbetur nga sinagoga gjatë plaçkitjes. Këta gurë të vegjël janë mbetja arkitektonike. Dhe ne do të vizatojmë pastaj përmendësh kubaturën." Në fund të vitit 2012 e në fillim të 2013-ës mbetjet e rikonstruktuara të sinagogës së bashku me monumente të tjera antike do të mund të vizitohen në një muze të nëndheshëm.

Në një muze të nëndheshëm

Por historia hebreje e Këlnit ka lënë gjurmët e saj edhe në kohën e re, për të cilën dëshmojnë figurat e qytetarëve të Këlnit të besimit hebre në fasadën e bashkisë së vjetër. Tal Kaizman numëron: "Karl Marksi, Moshe Hessi, Zhak Ofenbahu, Abraham Openheimeri, dhe avokati Maks Bodenheimer." Marksi, që vinte në fakt nga Trier-i, shkruante për gazetën Rheinische Zeitung. Ofenbahu, i lindur në lagjen Deutz, kompozoi opera dhe u bë i njohur në Paris, ndërsa me juristin Bodenheimer, kryetarin e parë të shoqatës nacionale hebreje të Gjermanisë në vitin 1897, janë të lidhura ngushtë lëvizja sioniste dhe përpjekjet për themelimin e një shteti hebre. Në rrugën Hohe Strasse ka patur një tavolinë fikse të sionistëve të Këlnit, aty u projektua edhe flamuri izraelit një gjysëm shekulli para themelimit të shtetit nga Bodenheimer dhe David Wolfssohn.

Projekti në kompjuter i Muzeumit.
Perlat e kulturës hebraike të Këlnit do të përmblidhen tani në zonën arkeologjike në një muze të rëndësishëm nën tokë.Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai u shpëtoi jetën 130 fëmijëve

Periudha të gjata të krishterët dhe hebrejtë jetuan në paqe në Këln, pikën kulmore të përndjekjes së hebrejve në Këln e përbëjnë pogromet naziste – në portin e Deutzit ishte një pikë e kampit të përqëndrimit Theresienstadt. Në rrugën Apern ndodhej gjimnazi i vetëm hebraik i zonës së Rinit. Sot sheshi mban emrin e drejtorit të gjimnazit, Erich Klibansky. Pasi morën pushtetin nazistët, pedagogu krijoi një plan të zgjuar për të shpëtuar fëmijët. "Ai i ka detyruar prindërit e fëmijëve hebrejë, që t'i dërgonin në Angli në kuadër të shkëmbimeve shkollore, me qëllim që të qëndronin atje. Këtë ai e thelloi pas 1938-ës. Ai e ktheu mësimin pjesërisht në anglisht, me qëllim që fëmijët të fitonin të drejtë shkollimi në vendet anglosaksone." Në këtë mënyrë ai u shpëtoi jetën 130 fëmijëve.

Autor : Daniel Scheschkewitz / Angelina Verbica

Readktoi : Aida Cama