1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jeta e vështirë e romëve në Maqedoni

13 Mars 2010

Gati 11 vjet që prej fillimit të bombardimeve kundër forcave serbe në vitin 1999, në Maqedoni ende jetojnë 1.630 romë të zhvendosur nga Kosova. Ata kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre.

https://p.dw.com/p/MSBl
Fotografi: Mirsad Camdzic

Në lagjen Shuto Orizari, ku janë vendosur shumica prej tyre, gjendja dhe kushtet për jetë janë jashtëzakonisht e këqija. Deri tani për gjendjen e tyre janë kujdesur Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe Kryqi i Kuq. Ndërsa prej këtij muaji, do të përkujdeset Ministria për Punë dhe Çështje sociale.

Të zhvendosurit nga Kosova çdo muaj marrin ndihma sociale për të mbijetuar, çdo tri muaj furnizohen me paketa higjenike, e kohë pas kohe ju jepen dhe ndihma të tjera. Ndihmat e deritanishme për personat e rritur kapnin shumën prej 3.000 denarë, ndërsa për fëmijë 2.500 denarë, që për kushtet e tyre të jetës nuk është edhe tepër pak. Prej këtij muaji ndihmat do të jenë më të ulëta. Qëllimi i autoriteteve është që të krijohen kushtet për kthimin e tyre në Kosovë.

"Kushtet për kthim ekzistojnë, por varet se në cilin vend duhet të ktheheni. Më së shumti njerëz janë lajmëruar për kthim në komunën e Gjilanit, Ferizajit dhe Prishtinës. Tani po pritet ndërtimi i shtëpive. Unë vij nga një komunë ku nuk ka shumë romë", thotë Samet Aliu. Ai bashkë me prindërit dhe dy motra kanë ikur nga një fshat i komunës së Vitisë. Tani ata jetojnë në një banesë me dy dhoma dhe një banjo, për të cilën në muaj paguajnë 6000 denarë.

Kamp romësh.
Fotografi: N. Osman

Kaq paguan në këtë lagje edhe Biserka Krasniqi, e cila me burrin e saj dhe katër fëmijë jeton në një dhomë. Kushtet për jetë janë jashtëzakonisht të vështira. Biserka thotë se nuk ka para të mjafuteshme për ushqim dhe ngrohje.

Më shumë fat ka pasur Sali Kryeziu nga Gjakova, i cili me gruan dhe pesë fëmijë jeton në fshatin Trubarevo. Ai punon vullnetarisht për Kryqin e Kuq në lagjen Shuto Orizari dhe nuk planifikon të kthehet në vendlindje.

"Momentalisht nuk ka kushte për kthim, sepse nuk ka siguri. Kam dëgjuar se atje po ndodhin shumë gjëra të këqija. Në shtëpinë time jetojnë tani disa njerëz të tjerë, të cilët nuk duan ta lirojnë. Me ta kanë pasur problem edhe vëllezërit e mi. Po përpiqem që përmes UNHCR-së ta shes shtëpinë dhe të blej një tjetër këtu", thotë ai.

Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Sali Kryeziu nuk mund të merret me punë fizike. Ndërkohë që bashkëkombasit e tij merren me punët më të ndryshme, për të mbijetuar. "Secili punon atë çka mundet - disa punojnë privatisht, disa mbledhin shishe nëpër kontejnerë, disa shesin nëpër tregje, punojnë si mekanikë, pastrojnë dhe bëjnë gjëra të ndryshme", tregon Kryeziu.

Punëtori social Ivan Kiseloski për Deutsche Welle-n pohon se të gjithë të ikurit gëzojnë të drejtën e sigurimit primar shëndetësor, e disa prej tyre edhe terciar, që do të thotë se janë të siguruar në raste intervenimesh kirurgjikale.

"Në përgjithësi shumë prej tyre jetojnë në kushte të rënda, shumë larg standardeve të domosdoshme për jetë normale dhe zhvillim të shëndetshëm të personit. Si të rriturit ashtu dhe fëmijët", - thotë Kiselovski.

Shumë prej tyre kanë probleme edhe me dokumentat personale. Ndërkohë që ka pasur edhe raste të sulmeve fizike dhe dhunës seksuale. Ata që kanë probleme me gjëra të tilla mund t'i drejtohen Qendrës për Punë Sociale.

Autor: Sashko Dimevski / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani