1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jack Smith-Kryeprokuror i Gjykatës Speciale për krime lufte

Bekim Shehu
7 Maj 2018

Amerikani Jack Smith zëvendëson në postin e kryeprokurorit të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë amerikanin tjetër, David Schvendiman. Jack Smith, tha se “është i gatshëm t'i çojë hetimet deri në fund”.

https://p.dw.com/p/2xJmE
US-Staatsanwalt Jack Smith wird Chefankläger von Kosovo-Tribunal
Kryeprokurori Jack SmithFotografi: Specialist Prosecutor's Office

Prokurori amerikan, Jack Smith u emërua në postin e kryeprokurorit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, gjykatë kjo që do të trajtojë pretendimet për krime lufte të supozuara të jenë kryer nga ish-pjesëtarë të UÇK-së. Njoftimi për emërimin e amerikanit Jack Smith në postin e kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, u bë i ditur në faqen në internet të vetë Gjykatës Speciale. Jack Smith, zëvendëson në këtë post prokurorin amerikan David Schvendiman, që u largua nga kjo detyrë në fund të muajit mars. Jack Smith citohet të ketë thënë se "është i gatshëm t'i çojë hetimet deri në fund”.

Trendafilova përshëndet zgjedhjen e Smith

Kryeprokurori i ri i Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, nga shkurti i viti 2015 deri në gusht të vitit 2017 ka qenë ndihmës prokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për qarkun e Tennessee-s.

Emërimin e amerikanit në detyrën e kryeprokurorit të gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë e përshëndeti, Ekaterina Trendafilova, kryetarja e kësaj gjykate apo si njihet në gjuhën juridike, Dhomat e Specializuara. Ajo deklaroi se "ka besim në punën e Jack Smith-it”.

"I drejtoj zotit Smith përgëzimet e mia të sinqerta me rastin e emërimit të tij dhe kam besim që përvoja e tij e gjatë në fushën e hetimeve dhe ndjekjeve penale, si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, do të shërbejë për përmbushjen e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Do të kem kënaqësinë të krijoj marrëdhënie të frytshme pune me zotin Smith dhe kam besim se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të bëjë përparim të mëtejshëm në drejtim të përmbushjes së mandatit të saj”, tha Trendafilova sipas medieve në Prishtinë.

Ende asnjë aktakuzë e ngritur

Në gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë. Në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UCK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa hetime në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.