Izraeli shtyn votimin për marrëveshjen me Hamasin
16 Janar 2025Kabineti i Sigurisë i Izraelit e shtyu për një kohë të pacaktuar takimin e planifikuar për ditën e sotme, në të cilin do të diskutohej për miratimin e marrëveshjes së arritur të mërkurën për armëpushim të përkohshëm në Rripin e Gazës dhe lirimin gradual të pengjeve të mbajtura nga organizata terroriste Hamas.
Pak para fillimit të takimit qeveria izraelite e akuzoi organizatën radikale islamike Hamas se kishte vënë në pikëpyetje disa pjesë të marrëveshjes. "Hamasi po shkel disa pjesë të marrëveshjes së arritur me ndërmjetësit dhe me Izraelin për të bërë presion për disa lëshime në minutën e fundit”, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Kjo çoi në një "krizë në minutën e fundit". Kabineti nuk do të mblidhet deri sa të ketë një deklaratë nga ndërmjetësit "që Hamasi i ka pranuar të gjitha elementet e marrëveshjes", thuhet në deklaratë.
Hamasi hedh poshtë akuzat
Një zyrtar i Hamasit i hodhi poshtë akuzat e Netanyahut. Ato janë "plotësisht të pabaza", tha ai për agjencinë franceze të lajmeve AFP. Hamasi i bëri thirrje administratës amerikane në largim si dhe asaj që pritet të marrë detyrën që "ta detyrojnë Izraelin të zbatojë marrëveshjen".
Sipas presidentit izraelit, Izchak Herzog, ende vazhdon të ketë "negociata të vështira për një detaj shumë të rëndësishëm". Sipas njotimeve të zyrës së tij në një takim me të afërmit e pengjeve Herzog kishte thënë se pret që ato të "përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur". Sipas mediave izraelite Hamasi kërkon lirimin e të burgosurve, por Izraeli nuk dëshiron t'i lirojë ata për shkak se krimet e tyre janë të rënda.