1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli mbyll hermetikisht kufirin me Rripin e Gazës

Clemens Verenkotte27 Qershor 2006

Dy ditë pas sulmit të ekstremistëve palestinezë kundër ushtarëve izraelitë, ushtria izraelite ka bllokuar me tanke kufirin me Rripin e Gazës.

https://p.dw.com/p/Aqd6
Kryeministri izraelit, Ehud Olmert
Kryeministri izraelit, Ehud OlmertFotografi: AP

Kryeministri izraelit Ehud Olmert ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë negociatë me Hamasin për lirimin e ushtarit të rrëmbyer izraelit. Olmert ka urdhëruar mbylljen hermetike të Rripit të Gazës. Askush nuk mund të hyjë apo të dalë më nga Rripi i Gazës. Ky është një ndër hapat që po ndërmerr qeveria, vazhdoi Olmert më tej.
Vazhdimi i sulmeve me raketat Kassam dhe sulmet e ekstremistëve palestinezë kundër postblloqeve ushtarake, kërkojnë një përgjigje nga Izraeli, tha Olmert. "Ne do të reagojmë ndaj çdo terroristi dhe ndaj çdo organizate terroriste, kushdo qoftë ajo", tha Olmert.

Sipas vlerësimeve të forcave izraelite të sigurisë, shefi i byrosë politike të Hamasit, i cili jeton në kryeqytetin sirian Damask, është përgjegjës për sulmet kundër postblloqeve ushtarake izraelite të dielën e kaluar, gjatë të cilit u vranë dy oficerë dhe u morr peng një ushtar izraelit. Po sipas forcave izraelite, zyrtari i lartë i Hamasit ka urdhëruar gjithashtu moslirimin e pengut izraelit. Kjo duhet të jetë arsyeja përse presidenti Abaz nuk mundet të bjerë dakord me kryeministrin Ismail Hanija, mbi lirimin e pengut.

Ndërkohë banorët e Rripit të Gazës kërkojnë gjithashtu lirimin e palestinezëve të burgosur në Izrael. Me thirrje të përbashkëta, dhjetëra palestinezë kërkuan lirimin e familjarëve të tyre nga burgjet izraelite në këmbim të ushtarit peng. Ata mbanin në duar fotografitë e të afërmve të tyre. Sipas burimeve palestineze në burgjet izraelite ndodhen rreth 9.400 palestinezë, ndër ta rreth 100 gra dhe mbi 300 të rinj nën moshën 18 vjeçare.

Ndonëse Rripi i Gazës është tani krejtësisht i bllokuar nga tanket dhe forcat ushtarake, kryeministri izraelit Olmert tha se Izraeli do të përpiqet ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë diplomatike. Një aksion i madh ushtarak do të rrezikonte jetën e ushtarit të marrë peng, përfundoi Olmert.