1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli kërkon ndihmë në konflikt me Iranin

27 Gusht 2019

Kryeministri izraelit Netanjahu i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë vendin e tij. Sipas tij, Irani po kryen "sulme vrastare terroriste kundër shtetit të Izraelit". Kjo duhet të kundërshtohet.

https://p.dw.com/p/3OYJF
Israel Premierminister Benjamin Netanjahu
Fotografi: Getty Images/L. Mizrahi

"I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përgjigjet menjëherë, në mënyrë që Irani t'i ndalojë këto sulme," tha kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. Fakt është se ditët e fundit tensionet në rajonin e Lindjes së Mesme janë rritur ndjeshëm. Aeroplanët luftarakë izraelitë bombarduan pozicionet e supozuara të Iranit pranë kryeqytetit sirian Damask. Sipas aktivistëve, të shtunën u vranë të paktën pesë luftëtarë. Sipas ushtrisë izraelite, bëhej fjalë për një sulm paralajmërues kundër "dronëve vrasës" iranianë, që donin të sulmonin objektiva në veri të Izraelit.

Beiruti flet për një "deklarim lufte"

Përveç kësaj, të dielën një aeroplan izraelit pa pilot u rrëzua në Beirutin jugor, pranë qendrës mediatike të shiitëve Hizbollah, tha një zëdhënës i grupit. Një dron i dytë shpërtheu në ajër. Presidenti libanez Michel Aoun deklaroi se incidenti është i barabartë me një "deklarim lufte". Sipas zyrës së presidentit, një dron izraelit në Lindje të vendit kishte pasur si objektiv një grup besnik të Iranit.

Ushtria izraelite vazhdimisht sulmon objektiva në Sirinë e përfshirë nga lufta civile, por e pranon këtë rrallë zyrtarisht. Sipas vëzhguesve, sulmet drejtohen kundër forcave të lidhura me Iranin. Izraeli do të pengojë që Irani të konsolidohet më tej ushtarakisht në Siri dhe Liban. Të dyja vendet janë në kufi me Izraelin.

Hizbollahu mbështetet po ashtu nga Irani shiit dhe ngjashëm si qeveria e Teheranit, e konsideron shtetin hebre armik për vdekje. Milicët Hizbollah kanë ndikim të madh politik dhe ushtarak në Liban.

haz/wa (dpa, afp)