1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëIzrael

Kneseti miratoi reformën e diskutueshme, protestat vazhdojnë

25 Korrik 2023

Parlamenti i Izraelit ka miratuar një pjesë të madhe të një reforme të diskutueshme që cënon pavarësinë e gjyqësorit. Vendi para protestave të reja.

https://p.dw.com/p/4UL0a
Kneseti
KnesetiFotografi: Maya Alleruzzo/AP/picture alliance

Në parlamentin izraelit të hënën (24.07), u dëgjuan protesta të zëshme të opozitës në drejtim të koalicionit në pushtet, duke thirrur "Turp!", Turp!", para se ajo të largohej nga Kneseti. Pas largimit të opozitës, koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu pranoi me 64 vota (nga 120 vende në parlament) një reformë të diskutueshme të ligjitqë do t'u lejonte përfaqësuesve të Knesetit të refuzonin vendimet e Gjykatës së Lartë në lidhje me punën e qeverisë, në rastet kur parlamenti i konsideron ato "të paarsyeshme".

Sipas opozitës dhe qindra mijëra protestuesve, të cilët protestojnë kundër reformës që nga fillimi i vitit, ekuilibri mes pushtetit gjyqësor dhe legjislativ, një nga themelet e demokracisë moderne, është prishur.

Gjendja e jashtëzakonshme

Netanjahu realizon qëllimin, përkundër protestave
Netanjahu realizon qëllimin, përkundër protestaveFotografi: Maya Alleruzzo/AP/dpa/picture alliance

Presidenti izraelit Isaac Herzog, i cili është përpjekur pa sukses të gjejë një kompromis për çështjen e reformës që ka përçarë kombin për muaj të tërë, tha para votimit në parlament se Izraeli po përballet me "një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare". Se si duket vërtet gjendja u pa edhe në rrugët e Izralit kur dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër vendimit të Knesetit. Ndërsa Netanyahu, i cili doli në parlament vetëm një ditë pasi iu nënshtrua një operacioni në zemër, tha se reforma ishte e nevojshme për të rivendosur "ekuilibrin e pushtetit" në vend.

Ndarjet po shtohen

SHBA, një aleat tradicional i Izraelit, paralajmëroi për pasoja të mundshme disa orë para votimit. Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje të dielën qeverisë që të shtyjë votimin në mënyrë që të gjejë një zgjidhje kompromisi. "Nga këndvështrimi i miqve të Izraelit në SHBA, reforma aktuale ligjore nuk e ka zvogëluar por e ka thelluar përçarjen", tha Biden. Në të njëjtën deklaratë, ai theksoi se nuk ka arsye për të nxituar miratimin e ligjit. "Fokusi duhet të jetë tek bashkimi, jo tek ndarja", tha presidenti amerikan në një deklaratë.

Reformat gjyqësore në Izrael u kritikuan edhe nga kancelari gjerman Olaf Scholzgjatë vizitës së Benjamin Netanyahut në Berlin në mars të këtij viti.

Grevat e mundshme

Protestat vazhdojnë
Protestat vazhdojnë Fotografi: Ariel Schalit/AP Photo/picture alliance

Herzog, i cili sapo u kthye nga Uashingtoni, vizitoi kryeministrin Netanyahu në spital të dielën. Me atë rast ai tha se qeveria konservatore dhe opozita duhet të tregojnë "më shumë përgjegjësi" në gjetjen e një kompromisi. Lideri i opozitës, Yair Lapid tha se "kombi po shkon drejt shkatërrimit". Ai akuzoi kryeministrin Netanyahu se është në një "konflikt interesi" kur bëhet fjalë për reformën në drejtësi, duke aluduar për aferat e shumta dhe procedurat gjyqësore me të cilat po përballet kryeministri 73-vjeçar.

Arnon Bar-David, president i sindikatës më të madhe izraelite Histadrut, njoftoi se do të takohej me drejtuesit e sindikatave të tjera për të rënë dakord për një grevë të përgjithshme në Izrael që do të bllokonte jetën publike dhe ekonomike. "Ose do të ketë përparim me mbështetjen e gjerë të popullit ose nuk do të ketë fare përparim," tha Bar-David, i cili gjithashtu u përpoq të gjente një zgjidhje për reformën.

Klauzola ku përmenden "vendimet e paarsyeshme” të Gjykatës së Lartë dhe e cila u pranua sot, është pjesë e reformës së përgjithshme në drejtësi, e cila ndër të tjera përmban dispozita që do t'u japin përfaqësuesve të Knesetit ndikim më të madh në përzgjedhjen e gjyqtarëve.

 

 

(AP, Reuters)