1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëIzrael

Izrael: Dita e vendimit në Kneset

24 Korrik 2023

Dhjetëra mijëra vetë protestuan sërish në Izrael, pro ose kundër reformës në drejtësi. Votimi vendimtar në Kneset pritet të hënën. Por surprizat nuk mund të përjashtohen.

https://p.dw.com/p/4UIu8
Protesta në Izrael kundër reformës
Protesta në Izrael kundër reformësFotografi: MENAHEM KAHANA/AFP/Getty Images

Debati i planifikuar për 36 orë filloi me një thirrje për miratimin e reformës: Simcha Rothman nga Partia e Cionizmit Fetar dhe forca shtytëse e reformës gjyqësore kërkoi thjesht një miratim. "Unë u bëj thirrje anëtarëve të Knesetit që të miratojnë projektligjin në leximin e dytë dhe të tretë dhe të hedhin poshtë kundërshtimet. Kjo do të rivendosë demokracinë në shtetin e Izraelit."

Fjalia e tij e fundit kundërshtohet fuqishëm nga kundërshtarët e reformës. Qëllimi i reformës në drejtësi është të kufizojë kompetencat e Gjykatës së Lartë në favor të qeverisë. Nëse kjo pjesë miratohet, gjykata nuk mund t'i refuzojë më vendimet e kabinetit apo ministrave si "të papërshtatshme”. Votimet pas leximit të dytë dhe të tretë ka të ngjarë të zvarriten deri të hënën në mbrëmje.

Por kundërshtarët e reformës nuk dorëzohen. Lideri i opozitës Yair Lapid përdori debatin për t'u përballur me qeverinë. Qeveria izraeliteka nisur një luftë shkatërrimi kundër qytetarëve të Izraelit, tha ai.

Protestat
ProtestatFotografi: DEBBIE HILL/newscom/picture alliance

Izraeli nuk është Poloni apo Hungari

"Ajo duhej të kuptojë se nuk mund të na lodhë. Ne nuk heqim dorë nga e ardhmja e fëmijëve tanë. Kjo qeveri dëshiron të na çojë në Hungari apo Poloni. Ne nuk jemi as hungarez, as polakë, as nuk do të jemi. Këto janë vende që nuk kanë qenë demokratike në pjesën më të madhe të historisë së tyre. Izraeli është një vend që ka lindur si demokraci. Qytetarët e Izraelit kanë një instinkt demokratik", theksoi Lapid.

Megjithatë në rrugë kishte jo vetëm kundërshtarë, por edhe mbështetës të reformës. Dhjetëra mijëra u mblodhën në Tel Aviv në mbrëmje, shumë prej tyre të ardhur me autobusë nga vendbanimet në Bregun Perëndimor të pushtuar. Dëgjoheshin thirrje: populli kërkon reformën në drejtësi.

Ronel, nga një vend afër Tel Avivit, një mbështetës i qeverisë thotë: Tani qeveria dëshiron të ushtrojë pushtetin e saj dhe të zbatojë ndryshimet që u ka premtuar votuesve. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të mbështesim qeverinë dhe të themi: Ne ju dhamë votat tona për të qeverisur, kështu funksionon demokracia. Nëse dorëzohemi atëherë kemi anarki dhe nuk ecim përpara.

Benjamin Netanjahu
Benjamin NetanjahuFotografi: Abir Sultan/EPA POOL/AP/dpa/picture alliance

Demonstrata më e madhe e kundërshtarëve të reformës u zhvillua në Jerusalem, në afërsi të Knesetit. Aty kishte ardhur edhe Udi, ish-pilot. Më shumë se 11.000 rezervistë kanë njoftuar se nuk do të jenë më në detyrë nëse miratohet reforma. Ky është problem për sigurinë e Izraelit.

"Duam demokraci"

"Ne duam të mbetemi një demokraci, pavarësisht se çfarë ndodh,” thotë Udi. "Miqtë e mi ushtarë janë seriozë - kështu janë të gjithë në ushtri. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne jemi demokratë, ne nuk duam diktaturë. Ne do të luftojmë deri në fitore, nuk kemi frikë as nga policia, nga askush. Sepse ne jemi të guximshëm dhe themi: Duam një demokraci."

Edhe Reuven Rivlin, një mik i partisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe president i Izraelit deri dy vjet më parë, u shfaq në tubimin e madh në Jerusalem: "Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të ardhmen. Detyra jonë është të shohim, nëse mund ta shpëtojmë vendin tonë të mrekullueshëm në 24 orët e ardhshme. 120 pjesëtarët e Knesetit mund të vijnë dhe papritur të na thonë se shteti i Izraelit nuk është më demokratik. Izraeli është themeluar si shtet demokratik i hebrenjve”.

Në Kneset pritet edhe Benjamin Netanyahu, pas një ndërhyrje në zemër. Ai doli nga spitali dhe duket se është i vendosur ta kalojë reformën në Parlament. Por as surprizat në orët e ardhshme nuk mund të përjashtohen.

 

bc/tgsch