1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-Presidenti i Shqipërisë Nishani ndërroi jetë në Gjermani

29 Maj 2022

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën, në moshën 56 vjeꞔare, në një spital në Gjermani, ku po trajtohej prej disa javësh nga një shërbim i specializuar për sëmundje të mushkërive.

https://p.dw.com/p/4C0Gt
Der frühere Präsident von Albanien, Bujar Nishani
Fotografi: Press Office, Albania Presidency

Ndërroi jetë në një spital në Gjermani, ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani (28.01). Nishani vuante nga një sëmundje auto-imuno, që rëndoi gjendjen e tij shëndetësore pas infektimit disa muaj më parë nga virusi Covid-19, që e kapërceu pas kurimit në Sanatoriumin "Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Por Nishani nuk u mbijetoi dot komplikacioneve të mëpasme në mushkëri, pasoja të Covid -19.

Sipas burimeve zyrtare ish-presidenti Nishani pësoi në spitalin gjerman, vdekje të pakthyeshme klinike, pa shpresa për t'u zgjuar nga koma. Mjekët gjermanë në marrëveshje me familjen përdorën euthanazinë.

Bujar Nishani shërbeu si president i pestë i Shqipërisë post-komuniste në moshën 46 vjeꞔare, nga viti 2012 deri në vitin 2017. Pas mbarimit të mandatit ai u rikthye në PD dhe u zgjodh kryetar i Këshillit të saj Kombëtar. Ish-presidenti Nishani ishte përkrahës i Grupit të Rithemelimit të PD dhe ish-kryeministrit Berisha dhe ishte propozuar për anëtar i kryesisë së këtij grupimi.

Kariera e tij politike nisi në vitin 1991 kur ai u bë anëtar i Partisë Demokratike,(PD) dhe u zgjodh deputet i kësaj force politike në 2 legjislatura. Bujar Nishani ka patur detyra të rëndësishme shtetërore në qeveritë e PD, 2005-2013, të kryesuara nga ish-kryeministri Berisha. Ai ka qënë Ministër i Drejtësisë, i Mbrojtjes dhe i Brendshëm.

Ish-Presidenti Nishani kreu studimet në Akademinë Ushtarake "Skënderbe” në Tiranë, në vitin 1988. Studimet pasuniversitare, në fushën e Mbrojtjes  i përfundoi në SHBA, në Kaliforni, për "Menaxhim të Resurseve të Mbrojtjes”. Në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës dhe pas një viti mori titullin "Master”në Studimet Evropiane.

Autoritetet e larta të vendit Kryeministri Rama, Presidenti Meta, kryebashkiaku  i Tiranës Veliaj, drejtues të PD zyrtare dhe Grupit të Rithemelimit, politikanë dhe drejtues të mediave lokale  shprehën të shtunën në median sociale ngushëllime familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-presidentit Nishani. Ngushëllime shprehën edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Në ngushëllimet e Delegacionit të Bashkimit Europian, (BE) në Shqipëri vihet në dukje që "Nishani ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për afrimin e Shqipërisë me BE."Ambasada e SHBA në Tiranë thekson në ngushëllimin e saj, se "kontributet e ish-presidentit Nishani në PD, zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë mandateve të tij si President dhe Ministër.” 

Prania e OSBE-së në Tiranë shprehu "hidhërimin për humbjen e parakohshme e Presidentit  Nishani dhe ngushëllimet e ndjera për familjen, të dashurit e tij dhe mbarë popullin shqiptar.” 

Ish-Presidenti Nishani la pas gruan dhe dy fëmijë.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana