1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IOM mbështet "Rrjetin e sporteleve të emigracionit" në Shqipëri

Arben Muka / Tiranë28 Korrik 2008

Në vazhdën e promovimit të emigracionit të rregullt dhe të kontrolluar, Ministria e Punës, Përkrahjes dhe Shanseve të Barabarta ka nisur aplikimin e një projekti që quhet “Rrjeti i sporteleve të emigracionit”.

https://p.dw.com/p/ElCg
Aeroporti
Aeroporti i Tiranës, Kontrolli i pasaportaveFotografi: DW / Cama

Në vazhdën e promovimit të emigracionit të rregullt dhe të kontrolluar, Ministria e Punës, Përkrahjes dhe Shanseve të Barabarta ka nisur aplikimin e një projekti që quhet “Rrjeti i sporteleve të emigracionit”. Me mbështjen e drejtëpërdrejtë të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, IOM, secili prek këtyre sporteleve do të ofrojnë infromacion të domosdoshëm dhe plotësues, si dhe shërbime këshillimi dhe referimi për të gjithë shqiptarët të cilët duan të jetojnë jashtë territorit të vendit, apo për të huajt të cilët do të jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë.

Këto zyra, të cilat do të jenë në funksion pranë strukturës së Shërbimit të Punësimit në çdo rreth të vendit, do t`i ofrojnë çdo të interesuari info për situatën në 36 vende të botës, ku përfshihen të drejtat dhe detyrimet e tyre.

Ministri i Punës, Përkrahjes dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, shprehet se ky program do të jetë një mbështetje konkrete për emigrantët dhe familjet e tyre.

“Informimi për emigrimin dhe nevojat e tregut të punës në vende të ndryshme ndihmon shumë që shtetasit shqiptarë të mos bien pre e abuzimeve të ndryshme për shkak te mos informimit të duhur, si dhe politika për cështje të ndryshme të emigracionit do të lidhet me zgjerimin e cështjeve të mbrojtjes së të drejtave të shtetasve tanë. Si ata që duan të emigrojnë me letra të rregullta, ata që aktualisht janë në emigracion, apo ata që janë kthyer tashmë në vendlindje.” shprehet ministri Kosta Barka.

Autoritetet shqiptare janë të bindur se projekti nxit emigracionin e rregullt. Çdo aspekt i informimit dhe këshillimit është bërë me asitencën e Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, IOM, që është mbështetës i Ministrisë së Punës, Përkrahjes dhe Shanseve të Barabarta. Po ekspertët e IOM-it janë duke asistuar dhe mbarëvajtjen e të gjitha zyrave që përbëjnë rrjetin e sporteleve të emigracionit në rrethe të ndryshme të vendit. Autoritetet në Shqipëri kanë adaptuar dhe disa pjesë të legjislacionit vendas, që ka të bëjë me krijimin e disa lehtësirave në tatime dhe taksa për ata emigrantë të cilët vendosin të kthehen në vendlindje për të hapur një biznes të tyrin. Këtu përfshihen dhe shkurtimi i kohës për të përfunduar procedurat për hapjen e sipërmarrjes.