1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompjuteri portativ është "banka e punës e shekullit XXI"

21 Janar 2012

Ku qëndron Gjermania kur është fjala për çështje të internetit? Përgjigje për këtë përpiqet të japë prej 2010-s komisioni parlamentar. Rezultatet e para tregojnë se sa e vështirë është për t'u kapur kjo temë.

https://p.dw.com/p/13nUo

Kuptohet, rënia në të njëjtën kohë nuk ishte krejt rastësi, por lajmi për arrestimin e sipërmarrësit gjerman të internetit Kim Schmitz shkonte për nga koha përsosmërisht me debatin e parë parlamentar për internetin dhe shoqërinë digjitale (20.01.2012). Schmitz u arrestua në Zelandë të Re me akuzën për pirateri kibernetike me kërkesë të ministrisë amerikane të Drejtësisë. Rasti ilustron në mënyrë shtangëse se sa e shumanshme dhe e pakapshme për syrin është bota virtuale. Rasti Schmitz nuk u cek në diskutimin parlamentar, por patjetër problemi që fshihet pas tij: abuzimi me të drejtën e autorit. Schmitz dhe të arrestuar të tjerë akuzohen që me portalin "Megaupload.com" kanë shkelur masivisht të drejtat e autorëve, të muzikantëve, të prodhuesve të filmave dhe të krijuesve të tjerë, për të fituar kësisoj miliona.

E drejta e atorit dhe probleme të tjera

Sektori i gjerë i të drejtave të autorit është njëra prej 12 fushave me të cilat merret Komisioni Anketë i BParlamentit Gjerman, i caktuar në maj 2010. Raportet paraprake lejojnë të merret me mend se ç'punë e madhe i pret 17 deputetët dhe ekspertët e emëruar nga fraksionet. Në të gjitha temat e vështira ka ende nevojë të konsiderueshme për sqarim dhe marrëveshje mes pjesëmarrësve. Kjo vlen për të drejtën e autorit, pra për pronën intelektuale, gjithashtu për mbrojtjen e të dhënave, të të drejtave të personalitetit ose të asnjanësisë së internetit.

"Kopjet e palejuara nuk janë shkelje ligji të lehta!" (Angela Merkel më 26.04.2008)
"Kopjet e palejuara nuk janë shkelje ligji të lehta!" (Angela Merkel më 26.04.2008)

Bllokimet në internet nuk janë më temë

Bllokimet në internet, siç planifikohen aktualisht prej Kongresit Amerikan, kanë dalë sërish jashtë loje në Gjermani. Një ligj përkatës, i cili synonte të sillte progres para së gjithash kundër pornografisë me fëmijë, faktikisht u shfuqizua. Në fund të fundit patën sukses ata kritikues që paralajmërojnë prej censurës në internet. Këtu bëhet fjalë për një aleancë të jo të ngushtë politikanësh të spektrit liberal deri te veprimtarë të Klubit Kompjuterik të Kaosit (CCC), i cili përkudër emrit të tij paralizon ndonjëherë me mjaft precizion servera të huaj, për të vënë në dukje demonstrativisht shanset dhe rreziqet e internetit.

Me gjithë kritikën për detajet anëarët e Komisionit Anketë të parlamentit nxorën një bilanc paraprak pune kryesisht pozitiv, punë që me gjasa do të ,nyllet me një raport përfundimtar në fund të këtij viti. Meqenëse bëhet fjalë për një instancë e cila nuk ka kompetencë ligjvënëse, ai vetëm mund të japë rekomandime. Një propozim shumë konkret është hartuar tashmë: Të gjithë nxënësit do të pajisen me kompjutera portativë ose me të ashtuquajtur tablets. Në këtë mënyrë synohet të ruhet aftësia konkurruese e Republikës Gjermane të arsimit, e shpallur vazhdimisht. Kompjuteri portativ është "banka e punës e shekullit XXI", tha në debatin në Bundestag socialdemokrati Lars Klingbeil.

Deputeti Lars Klingbeil
Deputeti Lars KlingbeilFotografi: picture-alliance/dpa

Nuk ka para për WLAN?

Që kjo njohje është pasuri shpirtërore në politikën gjermane, këtë nuk ka guxuar ta pretendojë kush. Përkundrazi, kryetari i komisionit, demokristiani Axel Fischer, bëri fjalë për një "jetë larg syve të botës" të internetit në hapësirën politike. Se sa e madhe është ende prapambetja në Bundestag, këtë e tregon standardi teknik i parlamentit. Ndërtesat nuk janë pajisur ende të gjitha me qasje interneti me valë, me të ashtuquajturin WLAN. Problemi këtu nuk është teknik, po financiar.

Autor: Marcel Fürstenau / Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama