1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervista: Rivalët politikë shqiptarë në prag të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni

Mimoza Cika-Kelmendi27 Qershor 2006

Në bisedë për Deutsche Welle- n, kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti si edhe kryetari i PDSH-s, Arben Xhaferri

https://p.dw.com/p/Arem
Parlamenti maqedonas
Parlamenti maqedonasFotografi: aptn

Ahmeti: Shqiptarët kanë ndryshuar statusin në Maqedoni duke kultivuar vlerat e tyre

Xhaferri: Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit është i dështuar në shumë segmente për shqiptarët

Pyetje: Zoti Ahmeti, fushata elektorale vazhdon të shoqërohet me incidente mes dy partive shqiptare rivale. Cili është qëndrimi i partisë suaj që prej katër vjetësh është në pushtet?

Ahmeti: Për ne është e dënueshme. BDI është e përcaktuar që këto zgjedhje të jenë të lira, të pranueshme për të gjithë qytetarët e Maqedonise, si dhe të pranueshme për komunitetin ndërkombëtar. Ne ndodhemi përpara një situate jashtëzakonisht të rëndësishme. Në Maqedoni, punët deri më tani kanë shkuar mirë. Jemi në rrugë të mbarë për zgjidhjen e të gjitha problemeve, qofshin ato të aspektit nacional, qofshin ato të aspektit ekonomik. Kuptohet që në fushën e ekonomisë sigurisht që ne kemi patur probleme si çdo vend në tranzicion. Kështu që të gjitha obligimet, qoftë si parti dhe si shtet, sigurisht që ka vend edhe për kritika në këtë drejtim. Mirëpo jemi në një rrugë të mbarë edhe për krijimin e kushteve, për një mirëqënie sa më të mirë sociale për qytetarët.

Pyetje: Zoti Xhaferri, a ka arsye për acarime të tilla mes shqiptarëve në fushatën elektorale? Si opozitë kë bëni fajtor për këto incidente?

Xhaferri: Burimin e një antagonizmi të këtillë e shoh tek mos suksesi i partisë politike që është në qeveri në këtë mandat katër vjeçar. Unë e fajësoj me këtë rast edhe sistemin politik maqedonas që është tepër refraktar dhe nuk krijon hapësira për realizimin e objektivave, kërkesave elementare të shqiptarëve në Maqedoni. Po ashtu një pjesë të fajit e shoh tek komuniteti ndërkombëtar që nuk arbitron raste të tilla. E kam fjalën, për të bërë vlerësimin e procesit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shtylla e parë është përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Ne nuk kemi përdorim zyrtar të gjuhës shqipe definitivisht, por kemi një variant që përbuz në fakt mënyrën e përdorimit të gjuhës shqipe.

E dyta është çështja e përforcimit adekuat të shqiptarëve. Ne nuk kemi përfaqësim të shqiptarëve, veç në lëmi shumë të ngushta për të krijuar një përshtypje statistikore se punët janë në rregull. E treta është shtylla e decentralizimit. Edhe në këtë segment nuk shohim që pushteti është bartur në të gjitha mekanizmat e tij, por në fakt është bërë dekoncentrimi i pushtetit, ndërsa segmentet e tjera nga kjo marrëveshje ose nuk janë realizuar fare ose janë degjeneruar në trajta përbuzëse për shqiptarët. Ekziston pabarazia etnike që prodhon konflikte apo fërkime të vazhdueshme. Dhe kjo është e natyrshme për faktin se një parti politike shqiptare krijon iluzion se konflikti nuk ekzsiton, ndërkohë që kemi fakte që të trondisin që këto konflikte egzistojnë dhe janë në dëm të shqiptarëve.

Pyetje: Zoti Ahmeti, sipas Xhaferrit, marrëveshja e Ohrit ka dështuar, nuk janë arritur objektivat për shqiptarët. Ju keni fakte që e kundërshtojnë këtë vlerësim të kryetarit të partisë opozitare?

Ahmeti: Këtë vlerësim mund ta thotë zoti Xhaferri, por kjo nuk qëndron fare, sepse të gjitha vlerësimet, jo vetëm nga BDI, që është pjesë e implementimit të kësaj marrëveshje, por të gjitha vlerësimet edhe nga palët që garantojnë implementimin e marrëveshjes së Ohrit, si SHBA, BE dhe NATO kanë vlerësime mjaft të mira për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sigurisht që Marrëveshja e Ohrit është një dokument që është arritur në kushte të jashtëzakonshme dhe është një kompromis dhe sigurisht që të gjitha palët nuk mund të mbesin të kënaqura nga kompromiset. Kjo do të thotë që pakënaqësi ka pasur edhe komuniteti maqedonas, por edhe komuniteti shqiptar. Marrëveshja e Ohrit është dokument i rëndësishëm që ndërpreu luftën dhe i hapi rugë paqes.Për këtë mund të japë edhe shembuj konkretë.

Ne në vitin 2001 e gjetëm Maqedoninë me 150 policë shqiptarë, kurse sot janë mbi 1800. Ne në 2001 e gjetëm Maqedoninë me 60 oficerë apo nënoficerë shqiptarë, sot janë 1100 të tillë. Ne në 2001 e gjetëm Maqedoninë pa flamurin kombëtar të shqiptarëve, sot flamuri kombëtar i shqiptarëve valëvitet i lirë dhe i mbrojtur me ligj. Ne e gjetëm Maqedoninë në 2001 pa përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, sot në parlamentin e Maqedonisë flitet gjuha shqipe, sot gjuha shqipe është në komunikim në administratën vendore, pra ka përdorim të gjërë. Sigurisht që për sa i takon nivelit qëndror, pra në kabinetin qeveritar, në Marrëveshjen e Ohrit ka disa mjegullnaja, për të cilat ne e kemi përmendur disa herë që duhet një ligj gjeneral që këto paqartësi të zbardhen brënda Marrëveshjes së Ohrit. Për këtë ne kemi marrë disa inisiativa në këtë drejtim.

Pyetje: Vlerësimet tuaja zoti Xhaferi për Marrëveshjen e Ohrit bien ndërkohë ndesh me vlerësimet jo vetëm të BDI-së por edhe te ndërkombëtarëve. Si e shpjegoni ju këtë?

Xhaferri: Por ndërkombëtarët kanë për qëllim që të japin këshilla të mira, të mos nxisin antagonizma kombëtare, kërkojnë që të gjithë të sillemi në mënyrë të arsyeshme, mirëpo në këtë mes, në këtë dimension, shqiptarët dalin të humbur. Ja ku e kemi fenomenin e pajtimit ndëretnik ose fenomenin e risocializimit të ish pjesëtarëve të UÇK-së. Ne nuk kemi asnjë projekt për risocializim të kësaj kategorie, të popullatës, e cila është bërë madje objekt i survejimeve dhe ndjekjeve të vazhdueshme.

Pyetje: Zoti Ahmeti, a ka përpjekje nga qeveria për trajtimin e kësaj kategorie të popullatës që përmend zoti Xhaferri?

Ahmeti: Ne maksimalisht jemi përpjekur që të gjithë ushtarët t'i ndihmojmë. Vazhdimisht kemi bërë përpjekje edhe me institucione jo qeveritare ndërkombëtare që merren më këtë fushë të veprimtarisë që të organizohen trajnime të ndryshme. Jemi në rrugë të mbarë edhe në këtë drejtim për trajtim adekuat të të gjithë ushtarëve.


Pyetje: Nëse fitoni zoti Xhaferri, çfarë qëndrimi do të mbajë partia juaj lidhur me Kosovën, me statusin e saj në të ardhmen?

Xhaferri: Ne prej fillimit e kemi shpalosur qëndrimin tonë lidhur me Kosovën. Kosova ka fituar të drejtën e vetvendosjes me vetë faktin se Jugosllavia po shthurret dhe me vetë faktin se ka qenë element konstituiv i federatës. Të gjitha teoritë e dominoefektit, të gjitha teoritë idjotike se me pavarësimin e Kosovës rrënohen principet kryesore të mosndryshueshmërisë së kufijve, janë të kota, meqë Kosova i kishte kufijtë e vet brenda Jugosllavisë, meqë Kosova ishte entitet konstituiv i Federatës jugosllave dhe pse Kosova nuk mund të krahasohet fare me Republikën Srpska. Kosova ishte element konstituiv i Federatës. Me shthurjen e kësaj federate, ajo fiton të drejtën për pavarësi dhe kjo nuk mund të kontestohet me asnjë teori tjetër politike.

Pyetje: Ju zoti Ahmeti jeni shprehur në mbështetje të opcionit për pavarësi të Kosovës, a është ky qëndrim që do të vazhdojë së bashku me patnerët tuaj edhe në të ardhmen, dhe nëse po pse?

Ahmeti: Pavarësia e Kosovës prodhon stabilitet për Maqedoninë, pavarësia e Kosovës prodhon stabilitet për rajonin, pavarësia e Kosovës është në të mirë të Maqedonisë. Ne fund të fundit në Maqedoni jetojnë më shumë se 25% shqiptarë dhe asnjë shqiptar nuk është kundër pavarësisë së Kosovës. Ne si shtet duhet të mbajmë qëndrim në këtë drejtim. Unë i jam shumë mirënjohës edhe partive politike në pozitë dhe atyre në opozitë që ndërtuam një qëndrim të përbashkët dhe qëndrimi i vetë shtetit maqedonas është: Ne do të mbështesim çdo zgjidhje që do arrihet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por nuk na pengon edhe pavarësia e Kosovës.

Pyetje: Së fundi zoti Xhaferri, kush mbetet patneri më i favorshëm për koalicion në rast se fitoni në zgjedhje?

Xhaferri: Ne vetveten e përceptojmë si parti e Qendrës së djathtë dhe do të ishte e natyrshme që të bëjmë koalicion me parti politike maqedonase të po kësaj linje. Tani për tani jemi të orientuar që të hyjmë në koalicion me VMRO, por megjithatë varet nga bisedimet dhe rezultatet e zgjedhjeve.

Pyetje: Në rast se BDI fiton përsëri zgjedhjet, a do ti ndryshoni patnerët e koalicionit, zoti Ahmeti? A jeni të kënaqur për këto vite me këtë koalicion?

Ahmeti: E vërteta është se brenda partive ka përplasje ideore apo mospajtime dhe unë nuk mund të them se gjithçka ka shkuar si në vaj brenda këtyre katër viteve me patnerët e koalicionit. Mendoj se punët që na presin në të ardhmen janë shumë më të mëdha. Dua të theksoj, se shqiptarët, në këto katër vite të qeverisjes me këtë koalicion, kanë ndryshuar statusin e tyre në Maqedoni dhe nuk janë popull i rangut të dytë apo të tretë, por kultivojnë vlerat e tyre në Maqedoni. Unë nuk them që historia ka filluar me Ali Ahmetin, as me BDI-në, pasi gjenerata të tëra kanë kontribuar që shqiptarët të jenë zot në shtëpinë e tyre.