1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrimi i ukrainasve: "i suksesshëm", por edhe "sfidues"

23 Gusht 2022

I Ngarkuari federal për Integrimin, Alabali-Radovan, mendon se integrimi i refugjatëve ukrainas është shembullor. Nga ana tjetër, Shoqata e Qyteteve e cilëson “shumë të tensionuar” situatën në banesa e shkolla .

https://p.dw.com/p/4Fvul
Deutschland I Ukraine-Konflikt - Flüchtlinge I Schule
Fotografi: Waltraud Grubitzsch/dpa-Zentralbild/picture alliance

Sipas Të Ngarkuarit federal të Integrimit të Qeverisë Federale, Reem Alabali-Radovan, pritja dhe integrimi i refugjatëve të luftës nga Ukraina ka funksionuar mirë deri tani dhe prandaj duhet të shërbejë si shembull. Alabali-Radovan-i tha se me qasje të menjëhershme në tregun e punës dhe me kurset e integrimit, si dhe shërbimet nga një burim i Jobcenters, mbërritja ishte në tërësi e suksesshme.

"Ky duhet të jetë një model për politikën tonë të imigracionit dhe integrimit, që të jemi një vend imigrimi dhe integrimi në nivele të larta”, tha politikani socialdemokrat.

Në këtë kuadër, ministri i Shtetit vlerësoi edhe një herë angazhimin e vullnetarëve të shumtë që ndihmuan në stacione dhe akomodime emergjente ose që hapën vend në banesat e tyre. Perspektivat e besueshme për refugjatët e luftës janë të rëndësishme, "sepse shumë prej tyre do të qëndrojnë te ne për muaj, vite, apo edhe gjithë jetën e tyre," tha Alabali-Radovan.

Refugjate ukrainas ne Berlin
Refugjatë ukrainas në BerlinFotografi: Hannibal Hanschke/Getty Images

Shoqata e Qyteteve sheh një situatë të tensionuar

Nga ana tjetër, Shoqata e Qyteteve Gjermane nuk sheh ndonjë lehtësim për komunat për sa i përket kujdesit për refugjatët nga Ukraina. Drejtori i përgjithshëm i Shoqatës, Helmut Dedy, foli për një situatë mjaft të tensionuar në tregun e banimit, si dhe për ambientet në çerdhe dhe shkolla. "Qytetet gjermane vazhdojnë të ndihmojnë me të gjitha forcat e tyre," tha Dedy. Por kjo është  një sfidë veçanërisht në qytetet e mëdha.

Aktualisht, në qytete po mbërrijnë më pak refugjatë ukrainas sesa disa javë më parë. Por "shumë ukrainas kanë nevojë për ndihmë financiare, strehim dhe leje qëndrimi, sepse vizat e tyre kanë skaduar," tha Dedy.

Deutschland | Ankunft ukrainischer Flüchtlinge in Berlin
Fotografi: Hannibal Hanschke/Getty Images

Që nga korriku, refugjatët ukrainas kanë pasur qasje në përfitime dhe oferta të rregullta sociale nga qendrat gjermane të punës, - më herët se refugjatët nga vendet e tjera. Këtë Dedy e përshëndeti si "hap të rëndësishëm për integrimin e shpejtë". Shumica e përfitimeve sociale paguhen nga qeveria federale. Sipas Dedy, bashkitë përballojnë një të tretën e kostove të banimit dhe ngrohjes.

Kërkohet një shpërndarje më e drejtë

Qender regjistrimi per ukrainasit
Fotografi: Marcus Brandt/dpa/picture alliance

Dedy u bëri thirrje qeverive të Landeve federale që t'i shpërndajnë më mirë personat që vijnë dhe që kërkojnë mbrojtje. Është e rëndësishme që refugjatët nga vendet e tjera të shpërndahen në qytete dhe qyteza që nuk kanë pranuar ende kaq shumë njerëz nga Ukraina, tha Dedy. "Nuk është e drejtë që disa qytete të mëdha të pranojnë në mënyrë shproporcionale shumë më shumë refugjatë nga Ukraina sesa komunat e zakonshme dhe veç kësaj të marrin refugjatë nga vende të tjera të origjinës," tha ai.

Që nga sulmi i Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt, në Gjermani janë regjistruar rreth 970,000 refugjatë ukrainas, sipas të dhënave të Ministrisë Federale të Brendshme. Nuk mund të thuhet saktësisht se sa prej tyre janë ende sot në Gjermani, janë kthyer apo kanë vazhduar udhëtimin e tyre në vende të tjera. Në fillim të lëvizjes së refugjatëve, shumë refugjatë gjetën strehim privat.

aud (tgsch, ndr)