1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iniciativë qytetare e migrantëve shqiptarë në Greqi

13 Prill 2011

Imigrantët shqiptarë të ishullit grek Lesbos, me punë vullnetare krasitën pemët dhe pastruan një plazh të tërë në prag të hapjes së sezonit turistik. Kjo po bëhet shembull frymëzimi për nisma të tjera qytetarësh.

https://p.dw.com/p/10sUv
Ishulli grek Lesbos në Egje.
Ishulli grek Lesbos në Egje.Fotografi: picture-alliance / Bildagentur Huber

Ishte hera e parë që Nikos Katranis, nënkryetari i Bashkisë Poliknitu, njërës prej 13 njësive të Unionit Bashkiak të Mitilinit, në ishullin Lesbos, në kufi me Turqinë, pati aq shumë ftesa për të folur në median e shkruar dhe elektronike, lokale, por edhe qendrore.

Këtë “telash” ia krijuan imigrantët shqiptarë të bashkisë, të cilët në mungesë të fondeve dhe personelit për shkak të krizës iu përgjigjen të parët apelit të tij dhe të dielën e parë të prillit me punë vullnetare krasitën pemët dekorative dhe pastruan plazhin, në prag të hapjes së sezonit turistik.

“Ishte një mesazh vullnetarizmi dhe për gjithë të tjerët dhe mendoj se mbollëm mirë se pamë reflektim dhe nga grupe të tjera...”, thotë nënkryetari i bashkisë. Plazhi ndërroi pamje por edhe imigrantët bënë një hap të prekshëm integrimi në shoqërinë lokale.

Kryebashkiaku Dhimitris Vunacos përgëzon imigrantë shqiptarë për punën vullnetare.
Kryebashkiaku Dhimitris Vunacos përgëzon imigrantë shqiptarë për punën vullnetare.Fotografi: Press Office Lesvos

“Ishte një ftesë nga ana ime e cila ishte shumë e ndërgjegjshme. Me kushtet dhe vështirësitë që kemi mendova se mund të kontribuojnë edha ata që të mund të pastrojmë plazhet tona, të pastrojmë mjedisin që është edhe i tyre”, thotë Katranis. Më shumë se plazhin e pastruar, pas aksionit vullnetar, ai vlerëson pastrimin e paragjykimeve raciste për të huajt. Ata treguan se nuk janë dhe aq të huaj.

“Kryebashkiaku Dhimitris Vunacos që erdhi edhe i përshëndeti u premtoi se me rastin e Shën Gjergjit, që është edhe një festë lokale, do t'i ftojë me familjet e tyre për tu bërë një drekë dhe për t'u dhënë një dhuratë fëmijve. E cilësoi ngjarje politike dhe kështu është. Se është tej çdo margjinalizimi, racizmi dhe çdo gjëje tjetër negative”, thotë Katranis.

Pas vullnetarëve imigrantë ai sheh “njerëz punëtorë, familjarë, që për 15 vjet bashkëjetojnë në mënyrë shumë harmonike dhe pa probleme të veçanta me vendasit.

“Pas këtij veprimi qytetar pati një tjetër afinitet me popullsinë vendase këtu. Njerëzit janë bërë më të afërt”, thotë Adriatik Plaka, kryetari i Shoqatës së Imigrantëve, që është në formim e sipër.

Ai flet për “kuvendin” që u bë pas apelit dhe vendimin që u mor. Plaka e cilëson ndihmën si “shumë modeste, por të nevojshme në kushet e krizës” dhe u drejton apel bashkatdhetarëve të tij për nisma dhe lëvizje të ngjashme: “Në qoftë se munden ta bëjnë një ditë hallall, të ndihmojnë vendin ku jetojnë, se fëmijtë këtu i kemi, të jetë një jetë më e lumtur dhe për ne”.

Imigrantët shqiptarë pas pastrimit të bregut në ishullin e Lesbosit.
Imigrantët shqiptarë pas pastrimit të bregut në ishullin e Lesbosit.Fotografi: Press Office Lesvos

Akti i 30 imigrantëve shqiptarë të Mitilinit mund të kalonte fare në heshtje ashtu si jo në pak raste ndodhi me kontributin e madh të imigrantëve 20 vitet e fundit në Greqi. Në këtë kuptim, ka të drejtë gazetarja e imigracionit Sonila Laci, kur thekson: “Për mua që jam shqiptare është më se i pritshëm një veprim i tillë. Thjesht, vendasve iu mori paksa kohë për të kuptuar se gjatë gjithë këtyre viteve kanë patur në krah, dhe jo vetëm në punë, njerëz me ndjenja vullnetare dhe shpirt human, të predispozuar të ofrojnë në mënyrë të pashtershme kontributin e tyre në çdo sferë, shpesh herë edhe kundrejt asnjë pagese. Dhe të themi të drejtën e kanë bërë mjaft herë këtë gjë, veçse nuk ka marrë përmasa kaq të mëdha sa në Mitilini".

Kjo është edhe arsyeja me sa duket e satisfaksionit që ngjalli ngjarja e Mitilinit tek imigrantët e tjerë shqiptarë të Greqisë.

"Shqiptari është zemërgjerë, mjafton që të njohësh punën e tij", thotë Atmir Ago, i papunë, i cili do të mirëpriste siç sqaron “një apel të ngjashëm edhe nga kryetari i Bashkisë së Athinës për të bërë një gjë pozitive së bashku me 200-300 imigrantë të tjerë”.

Puna vullnetare është “kapitali” që imigrantët ofrojnë për përballjen e krizës. "Se kjo krizë do që t'i japim dorën njëri tjetrit... Një fjalë e urtë thotë se 'aty ku ha, ku pi, është edhe vendlindja jote'", thotë Atmiri.

Gjërat e vogla ndonjëherë fshehin brenda tyre gjëra të mëdha. Diçka e tillë ndodhi edhe në rastin e vullnetarizmit të imigrantëve, që zgjoi reflekset më të mira edhe të shoqërisë vendase.

“Por natyrisht do të duhej që edhe vendi t'u garantonte atyre një status juridik më të sigurtë, të barabartë me vendasit, në mënyrë që kontributi i tyre të jetë më real, më i prekshëm, të mund të shtrihet në të gjithë Greqinë dhe ata të ndjehen, nëse e dëshirojnë, banorë të përhershëm të këtij vendi”, thotë gazetarja Sonila Laci.

Autor: Niko Anagnosti / Athinë

Redaktoi: Eliana Xhani