"Iniciativa të guximshme" kundër varfërisë
10 Dhjetor 2006Në fjalën e tij të falenderimit Yunus bëri thirrje për më shumë "iniciativa të guximshme" për të luftuar varfërinë në botë. Muhamed Yunus u nderua me këtë çmim për idenë e tij të mikro-kredive dhe angazhimin e tij. Qysh prej 30 vjetësh Yunus u jep para njerëzve të varfër, të cilët duan të krijojnë sipërmarrje të vogla, por që nuk kanë siguri të vetën financiare.
Varfëria duhet t´i përkasë muzeumeve dhe ne kemi mundësi që t´ia arrijmë kësaj. Kjo ishte deklarata kryesore e fjalimit të nobelistit të paqes Muhamed Yunus, i cili të djelën në Oslo në prani të mbretit norvegjez Harald morri në dorëzim çmimin: "Unë besoj me bindje, se ne mund të krijojmë një botë pa varfëri, nëse vërtetë duam t´ia arrijmë kësaj. Në këtë botë varfëria e ka vendin në muzeum. Nëse fëmijët e shkollave do të shkojnë një herë në muzeun e varfërisë, ata do të tronditen dhe do të pyesin paradhësit e tyre, se përse mund të ekzistonte kaq gjatë varfëria."
Varfëria nuk është ligji natyrës, por një produkt i sistemeve sociale dhe ekonomike, e kjo mund të ndryshojë. Yunus u shpreh për ekonominë e lirë të tregut, qëllimi i së cilës nuk duhet të jetë përfitimi maksimal.
Që Yunus është njeriu që e ka merituar këtë çmim, këtë e theksoi në fjalimin vlerësues profesor Ole Danblod Mjoes, kryetar i komitetit norvegjez Nobel. Pikërisht gazetarët fillimisht nuk mund ta kuptonin këtë: "E megjithatë ky është problemi i tyre. Unë kujtoj Bill Clintonin, që ka thënë, nëse e ka merituar dikush këtë çmim ai është Muhamed Yunus. Unë do ta përsëris këtë derisa ai ta marrë çmimin."
Mjoes theksoi, se janë 95 përqind gra ato që marrin mini-kreditë nga Banka Grameen, gjë që shkon në favor të familjeve në Bangladesh: "Burrat i shpenzojnë paratë për vete, ndërsa gratë për familjen. Banka ka bërë një revolucion social në Bangladesh, ose siç është shprehur një nga përfitueset e kredive: prindërit e mi më kanë lindur, ndërsa Banka Grameen më ka dhënë një jetë."
Muhamed Yunus kish përzgjedhur nëntë gra, që e shoqëruan atë nga Bangladeshi në Oslo. Këto janë nëntë prej shtatë milionë grave që kanë marrë kredi prej kësaj banke. Për ato, sipas Yunus, kjo e djelë ishte si një ditë feste: "Ky çmim u plotëson dëshirën qindra grave në të gjithë botën, të cilat çdo ditë luftojnë për t´u mundësuar fëmijëve të tyre një jetë më të mirë. Për to ky është një çast historik."
Yunus kujtoi fillimet e Grameen Bank, teksa ajo përpiqej të bindte bankat e tjera, për t´u dhënë kredi të varfërve dhe për t´u mundësuar atyre një jetë të pavarur. Por përgjigja e rëndomtë prej bankave ishte, që këta njerëz nuk janë në gjednje për të marrë kredinë. Ndërsa Yunus kishte tjetër përvojë: "Banka e themeluar prej tij në vitin 1983 ka dhënë deri më sot kredi mbi gjashtë miliardë dollarë, kuota e shlyerjes së kredive është 99 përqind. Suksesi i Grameen Bankës i ka dhënë atij besimin e palëkundur për mundësitë e njerëzve. Këta njerëz nuk kanë lindur për të jetuar në varfëri dhe uri, theksoi Yunus në çastet e festës për marrjen e çmimit në dorëzim.