Inagurohet gazsjellësi Greqi - Turqi
19 Nëntor 2007Të djelën, më 18 nëntor në zonën e Evros, në kufirin greko-turk, kryeministrat e dy vendeve fqinj Kostas Karamanlis dhe Tajip Erdoan inaguruan një gazsjellës të ri që mundëson transportimin e 3 miliardë metrave kub gazi natyror të zonës së Kaspikut drejt tregjeve të perendimit. “Momenti i tanishëm i vënies në funksionim të gazsjellësit greko-turk është dhe momenti më i përshtatshëm për të falenderuar Bashkimin Evropian,” tha Karamanlis duke nënvizuar faktin e përfshirjes së tij në 5 rrjetet kryesore prioritare të furnizimit me energji të Evropës Qendrore. Karamanlis theksoi gjithashtu rendësinë e energjisë së gazsjellësit “jo vetëm për zhvillimin por edhe për forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy fqinjëve”.
Burim i sigurt furnizimi
“Me bashkimin e gazsjellsave dhe transportimin e gazit përmes tyre u shtua një tjetër hallkë në miqësinë greko-turke,” tha nga ana e tij edhe kryeministri Erdoan, i cili e quajti “një burim të sigurt furnizimi të perëndimit me burimet e pasura energjitike të Kaukazit dhe Kaspikut” dhe jo pa qëllim e cilësoi si vëllazëror bashkëpunimin e Azerbaxhanit presidenti i të cilit, Ilham Aliaj, ishte i pranishëm në ceremoninë e inagurimit. Kuptimplote ishte edhe prezenca e ministrit amerikan të Energjisë, Samuel Bodman kur amerikanët kërkojnë diversitetin e burimeve të energjisë dhe mosvartësinë evropianeve nga monopoli rus.
Edhe Shqipëria përfiton
Gazsjellësi Greqi-Turqi, ose Interconnector Greece-Turkey, siç emërtohet ndryshe, është pjesë e një projekti më të gjerë, atij Turqi-Greqi-Itali, që do të jetë gati në vitin 2012 dhe do të mund të transportojë në brigjet italiane përmes Kanalit të Otrantos 11 miliardë metra kub gaz të zonës së Kaspikut. Një degëzim i tij në zonën e Tesprotisë parashikohet, që të furnizojë me gaz Shqipërinë. Segmenti i parë i tij i inaguruar sot është 285 km i gjatë, prej të cilave vetëm 85 në territorin grek, dhe për dy vitet e ardhshme do të mund të transportojë vetëm nga 750 milionë metra kub, aq sa është sasia e gazit të disponueshëm nga firma turke Botas. Mbetet pra problem i madh furnizimi i gazsjellësit deri në kompletimin e burimit të madh të Shah Deniz të Azerbaxhanit në vitin 2012.
Gazsjellësi rrit rëndësinë gjeostrategjike të dy vendeve fqinj në kuadrin e një loje më të gjerë për energjinë, ku protagonistëve ballkanas u duhet të ruajnë ekuilibra të hollë midis aktorëve kryesorë, rusëve edhe amerikanëve. Këtij ekuilibri do t'i sherbëjë edhe vizita e programuar e kryeministrit grek Karamanlis më 18 dhjetor në Moskë.