1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Imigrantët shqiptarë dhe festat në Greqi

31 Dhjetor 2010

Greqia e zhytur në krizë përjeton sivjet festat më të varfëra të fundvitit. Pjesë e këtij realiteti janë edhe imigrantët shqiptarë,që ndërkohë e duan tavolinën festive me të gjitha të mirat.

https://p.dw.com/p/zrvC
Athinë
AthinëFotografi: AP

Rrobaqepësi Artan Anagnosti hap sirtarin dhe me një melankoli të dukshme në fytyrë thotë: “22 euro, kjo është xhiroja për sot, ditë festash!”. Xhiroja e rrobaqepsisë së tij në bulevardin Patisiu, një nga rrugët më tregtare të Athinës, është barometri më i saktë i “zhytjes melankolike” të tregut dhe, sigurisht, të vetë njerëzve këtë fundviti të krizës së thellë. “Nuk ka festa sivjet, vetëm trishtim” thotë pronari i njërit prej dyqaneve më të famshme të veshmbathjes, Vasilis Spanos, që nxiton ta argumentojë me shifra. “Kemi një xhiro 50-60% më poshtë në krahasim me vitet e mëparshme, në disa raste edhe 70%. Njerëzit nuk kanë para”, konstaton Spanos dhe duke ngritur supet plotëson: “Nuk e di se ç'po bëhet”.

Tregtari Vasilis Spanos ankohet për rënien e xhiros
Tregtari Vasilis Spanos ankohet për rënien e xhirosFotografi: DW

Te dyqanet e shtrenjta shihen vetëm vitrinat

Për rënie 40% të xhiros flet edhe Federata e Tregtarëve të Greqisë, që u bën apel njerëzve të heqin frikën dhe të blejnë ç'të mundin, por pa rezultat. “Njerëzit shkojnë kryesisht tek dyqanet me çmime të ulëta ose të konsumit masiv. Tek ato me artikuj të shtrenjtë shikojnë vetëm vitrinat” thotë dhe tiranasi imigrant që prej 18 vjetësh Gëzim Bodinaku, i cili bën fjalë për “konsumatorë të shtrënguar” kur vjen fjala dhe për bashkatdhetarët e tij.

Të gjitha janë me pakicë, që nga xhiroja e ulët dhe deri tek dekori i vakët festiv dhe pa pemën e Vitit të Ri në sheshin qendror Sintagma. Është viti i dytë pa pemën, që në dhjetor të vitit 2008, kur shpërtheu kriza, plasën trazirat dhe policisë iu desh ta mbrojë me mburojat e saj nga mbeturinat që hidhnin autonomët. Sheshi mbetet ndërkohë edhe sivjet vendqëndrimi i preferuar i shitësve të llotarive që nuk shohin të shitet as malli i tyre i... shpresës. “Lloto e Vitit të Ri është kjo. Siç e shikoj nuk ka shumë punë, njerëzit ankohen, nuk kanë para. Shpresojmë të shesim diçka më shumë”, thotë Ademi me frikën se mund t'i mbeten në dorë llotaritë që i mori me para borxh.

Dita sikur e zbeh më tepër atmosferën festive. Që nga bulevardet që “pushtohen” nga tregtarët ambulantë afrikanoaziatikë, por edhe lypësit, sapo largohet policia, deri tek sheshi Kumunduru ku dynden përditë rreth 1.500 të papunë, të vobektë dhe të margjinalizuar, për të marrë drekën që ofron kisha dhe bashkia. Ndërkohë pipëza indiane në sheshin Omonia si edhe daullja dhe gajda e një grupi muzikor ambulant që endej nëpër rrugët e Athinës dhe këndonte kolendrat i përfshinin njerëzit në atmosferën festive.

Tregu i mishit - atmosferë festive

Aty ku padyshim rreh me forcë pulsi i festave është Varvaqios, tregu qendror i mishit, me gati shumicën e shitësve shqiptarë. “Pothuajse 80% e tyre janë shqiptarë. Iu uroj shëndet e lumturi familjeve të tyre” thotë shitësi Pirro Mika që sapo nuhat ndonjë patriot e kthen në shqip dhe i ofron “mish Picari”, sikurse thotë.

Pirroja e di se edhe tavolina më e varfër festive e ndërrimit të viteve në familjet e bashkatdhetarëve të tij vështirë se do të jetë pa mish. “Si zakonisht shqiptarët duan ta shohin tavolinën të plotë, që të ngopin syrin. E tillë do të jetë tavolina ime. Me të gjitha. Sipas mundësive, kuptohet. Por besoj se do të jetë plot, që nga qëngji i pjekur dhe deri te shumë gjëra të tjera që do të shoqërojnë qëngjin” thotë Jani Duka nga Piqerasi i Sarandës, që na fton në shtëpinë tij. Kriza e la pa punë që në muajin gusht. Atë por edhe një nga tri vajzat e tij, që është me arsim universitar.

Heqja e vizave për Shqipërinë shton vizitorët: emigranti Zisi njeri nga ata që mirëpret
Heqja e vizave për Shqipërinë shton vizitorët: një emigrant mirëpret vizitorëtFotografi: DW

Edhe pse me gjysmën e familjes të papunë, Janaqi, me 23 vjet si mjek veteriner në Shqipëri dhe 17 vjet në punë të ndryshme këtu në Greqi, nuk e jep veten. “Diçka kam arritur. Gjithë shqiptarëve iu uroj një vit të gëzuar. Gjithçka do të ndryshojë për mirë. Unë jam optimist. Pavarësisht se jam i moshuar dhe nuk besoj se do të gjej punë”.

Është ndoshta forca e një optimizmi të tillë, që në kulmin e krizës e shndërroi heqjen e vizës në një fluks të paparë udhëtimi të shqiptarëve drejt Greqisë. Ndryshe nga çdo vit tjetër në pikëkalimet kufitare të Kakavisë dhe Kapshticës sportelet punonin në të dy drejtimet. Dominonte fluksi i kthimit në atdhe, por edhe rreth 3.000 në ditë hynin në Greqi. Për herë të parë tavolinat familjare në imigracion janë plot dhe me gjithë pjesëtarët e tyre.

“Sivjet do të festoj këtu, sepse më vjen motra për herë të parë nga Shqipëria me rastin e hapjes së kufijve. Ishte një hap shumë i mirë dhe shumë i saktë i Evropës. Shqiptarët duhet të jenë sa më të lirë, të dalin, të festojnë në çdo vend të Evropës” thotë Alfred Zisi, i cili ndjen siguri për punën e tij, si pjekës, por siç thotë “kriza është shumë e rëndë” dhe këto “janë festat më të varfëra”. “Vëllanë e kam këtu në Greqi. Me mall të madh. Këta janë me letra. Shyqyr që na u hap edhe ne rruga” thotë e motra Mariana, që e përlumturuar uron: “Sa më këndshëm, sa më mirë. Njerëzit të kenë shëndet!”.

Ndonjë punë në Shqipëri

Disa kriza ekonomike i rikthen në Shqipëri
Disa kriza ekonomike i rikthen në ShqipëriFotografi: DW

Por tjetër ishte itenerari dhe tjetër aspirata e Dod Prenges nga Shkodra për vitin 2011: “Ndonjë punë andej nga Shqipëria, çfarë tjetër të pres. Jam këtu në Greqi 12 vjet dhe kam ngelur pa punë. Gjithë 2010-ën s'kam punuar fare. Ndërtimi mbaroi. Do të shkoj në Shqipëri dhe nuk besoj se do të kthehem më. Çfarë të bëj këtu. Paguaj bukë, dritë, ujë qira. Nuk më leverdis të ri këtu. Po gjeta punë në Shqipëri mirë. Por këtu mbaroi." Valixhet e mëdha, që mban në duar nuk lenë asnjë dyshim për vendimin e tij. E shoqja ishte kthyer që në gusht bashkë me të birin.

Gjithkush me problemin dhe aspiratat e tij. Viti i sivjetshëm ndërkohë u dha shqiptarëve rekordin e vizitorëve të Greqisë në mesin e krizës. Një rekord domëthënës për ata, por edhe vetë aspiratën mbarënjerëzore ashtu si urimi i Joni Zisit 15-vjeçar: “Gëzuar gjithë shqiptarët. Gëzuar Evropa!”.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Auron Dodi