1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Russland Erdgas

Christina Nagel24 Dhjetor 2008

Varësia e Evropës nga gazi natyror që vjen nga dhe nëpërmjet Rusisë, është reale. Por frikërat ndaj një karteli për gazin, sipas modelit të OPEC-ut, janë pa themel.

https://p.dw.com/p/GMTA

"OPEC-u për gazin" është një fjalë me të cilën mund të bëhet për mrekulli politikë. E shkurtër dhe e prerë, e përshtatshme për kryetituj. Por në të njëjtën kohë ajo përcjell edhe shumë asociime. Dëgjuesi evropian i ulur në dhomëzën e tij të ngrohtë, tmerrohet prej saj kur mendon për marrëveshjet e fshehta, reduktimin artificial të ofertës së gazit, dhe çmimet gjithnjë në rritje. E të gjitha këto, në një kohë krize!

Kur evropiani mendon pak më gjatë, dhe i kujtohet se cilat vende bashkohen në këtë kartel, situata i duket edhe më e zymtë. Atje bën pjesë Irani, i cili cilësohet si një shtet i pabesë, Libia dhe Venezuela me presidentët e tyre kokëfortë, dhe natyrisht fqinji i paparashikueshëm në Lindje, Rusia.

Kremlinit i pëlqen kur të tjerët kanë pak frikë prej tij. Pasi frika është edhe respekt. Për Rusinë respekti është i rëndësishëm, pasi ajo dëshiron ta njohin dhe të luajë në koncernin e të mëdhenjve dhe të fuqishmëve. Në këtë kuadër vëmendja ndërkombëtare për themelimin e një karteli për gazin është e dobishme, për më tepër kur prapa saj në thelb nuk fshihet gjë tjetër, veçse një përmirësim i strukturës së deritanishme organizative. Do të ngrihet një seli e përbashkët qëndrore, dhe një sekretariat i përhershëm.

Gas Symbolbild
Pamje simbolikeFotografi: dpa

Por le të supozojmë për një çast se do të themelohet vërtet një OPEC për gazin. Shumë shpejt do të konstatonim, se ai nuk mund të ekzistojë. Modeli i vendeve eksportuese të naftës nuk funksionon, dhe këtë e dinë edhe pjesëmarrësit e forumit për gazin në Moskë.

Mekanizmi bazë i OPEC-ut bazohet në rregullimin e sasisë së prodhimit, për të ndikuar kështu mbi çmimin. Kjo nuk funksionon në rastin e gazit dhe kjo jo vetëm për faktin që çmimi i tij varet nga çmimi i naftës. Edhe për shkak të kushteve të transportit nuk ka një treg botëror funksionues për gazin. Vendet që prodhojnë gazin natyror nuk kanë mundësi të transportojnë me anije apo kamionë gazin, në destinacionet e zgjedhura prej tyre. Ato janë të varura nga sistemet përçuese të gazit. Dhe ato kushtojnë shumë para.

Për këtë arsye Rusia është edhe më tej e interesuar në kontrata afatgjata. Me koncernet energjetike gjermane E-On, dhe firmën bijë të koncernit BASF në Wintershall, gjigandi rus i energjisë Gazprom, ka lidhur për shëmbull marrëveshje respektivisht deri në vitin 2036 dhe 2046. Një fakt ky që flet vetë, dhe i bën të pakuptimta diskutimet mbi rrezikun nga OPEC-u për gazin, të paktën përsa kohë tregu i gazit të lëngshëm është shumë i shtrenjtë.

Por nëse ngushtica artificiale dhe lidhur me të rritja e çmimit nuk vihen në diskutim, pse është interesant një kartel? A është ai vallë thjesht një demonstrim force ndaj Perëndimit? Jo plotësisht! Rusia, e cila kontrollon 22 për qind të tregut botëror të gazit, është para së gjithash e interesuar në marrëveshjet në sektorin e transportit dhe shitjeve. Ajo do të ketë ndikim në vendimet për livrimin dhe shitjet e gazit të saj. Kështu Evropës, e cila synon të blejë gaz pa përfshirjen e Rusisë, ka të ngjarë t'i prishen planet, pasi do të ishte edhe më tej e varur nga kontratat me Rusinë, si vend prodhues apo tranziti.

Por edhe Rusia është e varur. Me kartelin e synuar për gazin ajo përpiqet të sigurojë të ardhmen e saj. Kremlini i di, se vendi ekonomisht varet ende nga energjia. Pa shitjen e gazit dhe naftës me çmime të qëndrueshme, planet e tij të bukura për modernizimin dhe zgjerim nuk mund të arrihen deri në vitin 2020.