1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IAEA e kalon çështjen e Iranit në Këshillin e Sigurimit

Gerwald Herter10 Mars 2006

El Baradei deklaroi të mërkurën në Vjenë se raporti i tij mbi bashkëpunimin e Teheranit do t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit brenda dy ditëve të ardhshme. Baradei mendon se ka ende vend për negociata.

https://p.dw.com/p/AqfR
I deleguari iranian në IAEA Ali Asghar Soltanieh
I deleguari iranian në IAEA Ali Asghar SoltaniehFotografi: AP

Konflikti rreth programit bërthamor iranian do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore Mohamed el Baradei deklaroi të mërkurën në Vjenë se raporti i tij mbi bashkëpunimin e Teheranit do t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit brenda dy ditëve të ardhshme. Pesë anëtarët e përhershëm pritet të diskutojnë më pas mbi rrugët për të bindur Iranin për bashkëpunim dhe ndërprerje të pasurimit të uranit.

Në Berlin ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se ka ardhur koha që me këtë çështje të merret instanca më e lartë e Kombeve të Bashkuara. Kolegu i tij francez Philippe Douste-Blazy ka deklaruar nga ana e tij në Paris se tani i ka ardhur rradha Këshillit të Sigurimit të veprojë.

Këshilli i Sigurimit do të merret së shpejti me programin bërthamor iranian.

Kështu konflikti njëherë për njëherë nuk do të diskutohet më nga IAEA. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore synon megjithatë të vazhdojë përpjekjet për mbikqyrjen sa më mirë të jetë e mundur të centraleve nukleare iraniane. Megjithë vizitat e shumta inspektuese, megjithë pyetjen e zyrtarëve iranianë nga ekspertët e IAEA-s, vazhdon të jetë e paqartë se çfarë objektivash ndjek në të vërtetë Teherani me programin e tij bërthamor.

Drejtori i përgjithshëm i IAEA-s Mohammed el Baradei i ka dërguar në rrugë elektronike Këshillit të Sigurimit raportin e tij. Dokumenti origjinal do të shkojë më pas me postë diplomatike. Kështu është Nju Jorku që do të merret tani me këtë çështje.

El Baradei u përpoq deri çastet e fundit të pengonte atë çka Këshilli i Guvernatorëve e kishte vendosur një muaj më parë. Në fillim të kësaj jave ai foli për kompromise të mundshme dhe përparime të dukshme në negociatat rreth programit bërthamor. Por në përfundim të bisedimeve optimizmi i shefit të IAEA-s ishte reduktuar dukshëm:

"Nuk jam i zhgënjyer por pata shpresuar që brenda kësaj jave të arrinim një marrëveshje që do të hapte rrugën për negociata. Kjo megjithatë mund të ndodhë edhe javët e ardhshme. Ne do të bëjmë ç'është e mundur për të ulur palët në tryezën e bisedimeve. Edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund të punojë në këtë drejtim."

ShBA besojnë se nga Këshilli i Sigurimit Teheranit mund ti ushtrohet më shumë trysni. Ambasadori amerikan në IAEA Greg Schulte nuk foli në fakt në Vjenë për sanksione por tha megjithatë se është koha që Këshilli i Sigurimit të marrë vendime: "Udhëheqja iraniane duhet të ndryshojë kurs: bashkëpunim dhe negociata të mirëfillta në vend të konfrontimeve. Populli iranian gëzon vërtet të drejtën të shfrytëzojë energjinë bërthamore. Ai meriton respekt ndërkombëtar në vend të izolimit në rritje për shkak të dështimit të udhëheqjes së tij."

Nga ana e tij i deleguari iranian Ali Soltanieh paralajmëroi ShBA. Pa i përmendur me emër ai tha se "se kush do t'i shkaktojë dëme dhe dhimbje Iranit" duhet të presë reagime përkatëse. Diplomati bëri megjithatë të qartë se Irani nuk ka interes në shkallëzimin e konfliktit: "E rëndësishme është që qëllimi ynë nuk ka qenë konfrontimi. Irani vazhdon të jetë i vendosur të gjejë një zgjidhje paqësore. Çdo shenjë në këtë drejtim është e mirëpritur nga ne. Por ne paralajmërojmë palën tjetër dhe i këshillojmë të mos e përkeqësojnë situatën."

Në centralin e Natanit teknikët iranianë kanë filluar me pasurimin e uranit në masë të kufizuar. Nga materiali i pasuruar mund të prodhohet energji bërthamore. Teherani pretendon se bëhet fjalë vetëm për përdorim civil të teknikës nukleare. Por e vërtetë është se udhëheqja iraiane i ka mbajtur të fshehta 18 vjet me rradhë disa pjesë të këtij programi civil. Urani shumë i pasuruar përshtatet për prodhimin e armëve atomike. ShBA prej kohësh supozojnë se pikërisht ato i interesojnë Iranit. Europianët kanë dyshime. Edhe vetë Rusia ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për përhapjen e armëve bërthamore, as në rastin e Iranit.