1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I nevojshëm dhe praktik - Botohet "Manuali për komunikimin politik” në Shqipëri

19 Nëntor 2010

“Manuali për komunikimin politik” përbën një eksperiencë nga përgatitja dhe realizimi i fushatave elektorale në Gjermani. Në kuadër të zgjedhjeve lokale në Shqipëri, manuali ofron një ndihmesë konkrete.

https://p.dw.com/p/QDab
Qendra e fondacionit Konrad-Adenauer është në Berlin, por një zyrë e tij ndodhet edhe në Tiranë
Qendra e fondacionit Konrad-Adenauer është në Berlin, por një zyrë e tij ndodhet edhe në TiranëFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

“A do të shkonit ju për të pirë një birrë me kandidatin ose kandidaten ? A mund t'iu drejtojë ai ose ajo? A mund t'i besohet dhe a preokupohen ata që do të zgjidhen për njerëz si unë dhe familja ime?” Me këto dhe të tjera pyetje të thjeshta nga realiteti i përditshëm nisi të prezantohet në Tiranë “Manuali për komunikimin politik” i përgatitur në gjuhën shqipe nga Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” për Shqipërinë. Prezantimi i njërës prej eksperiencave të shumta nga jeta politike e elektorale në Gjermani vjen në një moment kur selitë e partive politike kanë shpallur hapur objektivin për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. Eksperti për fushatat elektorale, Dr. Karsten Grabow, ka bërë prezantimin e disa prej aspekteve kryesore të manualit, duke e ilustruar nga shembuj të performancës së klasës politike në Gjermani.

Dr. Karsten Grabow, ekspert për fushatat elektorale
Dr. Karsten Grabow, ekspert për fushatat elektoraleFotografi: DW

Pse botimi KAS është i vlefshëm edhe për realitetin shqiptar?

Dr. Grabow thotë për DW se vetë filozofia e manualit është e adaptueshme dhe për dinamikën e zhvillimeve në Shqipëri, apo vende të tjera. “Është me një orientim të qartë praktik dhe jo thjesht akademik. Një pamje e përgjithshme e mirë në hapat praktikë se si të përgatitesh dhe të vijosh një fushatë. Si të jesh në kontakt të vazhdueshëm me votuesit potencialë. Ne tregojmë një eksperiencë që në realitetin tonë ka qënë e sukseshme, ku mesazhet kanë depërtuar tek njerëzit, votuesit janë qartësuar për alternativën dhe me koshiencë kanë shkuar të ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të të zgjedhur atë ose ata, që janë dhe më pranë me gjykimet dhe perspektivën e tyre”.

Sipas Grabow fushatat vijnë në mënyrë të natyrshme për një forcë politike. Për zhvillimin e tyre nuk mendohet vetëm pak kohë para votimeve, por kontakti dhe marrëdhënia mes politikanëve dhe elektoratit duhet të jetë e qëndrueshme. “Nuk duhet të mobilizojmë njerëzit vetëm pak para se të mbahen zgjedhjet. Kjo nuk është efektive, kjo të ndëshkon në zgjedhjet e radhës. Ndaj ajo që përpiqemi të ofrojmë është qëndrueshmëria e komunikimit politik. Trajtat e larmishme të realizmit të saj duke përdorur gjitha burimet e mundshme: qoftë nga kontaktet e drejtëpërdrejta e deri tek kanalet komunikuese që ofron teknologjia dixhitale ne ditët e sotme. Jo të moblizohemi vetëm në fushatë, por në mënyrë të qëndrueshme të shpjegojmë për njerëzit projektet politike dhe idetë në të gjithë periudhën”.

Në kohë fushatash Tirana mbushet nga pllakatet
Në kohë fushatash Tirana mbushet nga pllakatetFotografi: DW

Në Shqipëri dhe në vende të tjera ish komuniste janë bërë shumë përmirësime në organizimin e fushatave elektorale apo në konceptin e komunikimit të qëndrueshëm politikë - votues, mendon eksperti gjerman Dr. Karsten Grabow. Sipas tij ajo që mbetet për t'u përsosur edhe më tej, janë aspekte që kanë të bëjnë me raportet mes mobilizimit emocional me atë racional gjatë fushatës, me paraqitjen në publik të personaliteteve që e udhëheqin forcën politike, me stafet konkrete që ata do të punojnë etj.

Ylber Lili, ekspert komunikimi mendon se kundërshtarët politikë në fushata përbaltin njëri-tjetrin
Ylber Lili, ekspert komunikimi mendon se kundërshtarët politikë në fushata përbaltin njëri-tjetrinFotografi: DW

Në Shqipëri partitë politike bëjnë fushatë me përbaltjen e kundërshtarit

Nisur nga realiteti shqiptar në fushën e komunikimit politik, Ylber Lili, pedagog i Komunikimit në Universitetin e Tiranës thotë se partitë politike më shumë se prioritetet dhe alternativat e tyre bazohen gjatë fushatave elektorale tek përbaltja e kundërshtarit.

“Pra zhvillohen beteja elektorale ku më shumë anatemohet kundërshtari se sa i ofrohet elektoratit një platformë apo një program i detajuar. Në këtë kontekst shoh që opinioni publik tashmë është më i kultivuar dhe ka një ndjenjë refuzimi. Këtë e bazoj tek pjesëmarrja e dobët e votuesve në kutitë e votimit. Klasa politike në tërësi duhet të kuptojë dhe të reflektojë që marrëdhëniet me publikun duhet të orientohen për nga prioritetet, për nga alternativat dhe vizioni që ata kanë për një qeverisje më të mirë.”, thotë Lili për DW.

Roland Lami
Roland LamiFotografi: DW

Sociologu Roland Lami shikon një defekt tjetër në përcjelljen e mesazheve dhe performancën e partive politike në Shqipëri. Sipas tij në një fushatë elektorale për qeverisjen vendore mbizundon tematika dhe problematika për qeverisjen qëndrore dhe në rastin e një fushate elektorale për zgjedhjet e përgjithshme ndodh e kundërta. “Fakti që kemi këtë përzierje të çështjeve qëndrore, të cilat trajtohen si çështje lokale dhe çështjet lokale shikohen si pjesë e zgjidhjes së problemeve kombëtare, ne nuk kemi akoma një decentralizim. Një pushtet mikro, pra lokal. Dhe nga ana tjetër jemi akoma nën autoritetin e pushtetit makro, pra të pushtetit qëndror”, thotë Lami për DW.


Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi