1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300908 US-Rettungsplan gescheitert

Paulert, Rüdiger Washington (NDR) 30 Shtator 2008

Paketa prej 700 miliardë dollarësh për shpëtimin e tregjeve financiare dështoi në votimin në dhomën e përfaqësuesve në SHBA. Jo demokratët por pikërisht disa prej republikanëve lanë të dështojë kompromisi i negociuar.

https://p.dw.com/p/FRgw
Presidenti Bush duke folur për krizën financiare të martën, 30 shtator 2008Fotografi: AP

Pasojat ishin shkatërrimtare. Bursa e Wall Street reagoi e shokuar. Indeksi Dow Jones shënoi një humbje prej 700 pikësh, për të rënë në nivelin më të ulët në historinë e bursës amerikane. Përballë tronditjes së shkaktuar në bursë pas votimit, dhoma e përfaqësuesve vendosi mbajtjen e një votimi të ri të ditën e enjte (2.10.).


Ishte një votim për të cilin që në fillim nuk ishte e qartë nëse paketa e ndihmës prej 700 miliardë dollarësh do të siguronte një shumicë. E megjithatë frika ishte e madhe kur zëdhënësja e dhomës së përfaqësuesve bëri të ditur rezultatin


"205 vota pro, 228 vota kundër. Ligji refuzohet."


Pasi bursianët kishin ndjekur të pasigurtë votimin nisi një pikatë e fortë në bursën e Wall Street. Më shumë se 7 për qind humbi indeksi Dow Jones. Vetëm pas rihapjes së bursës dhjetë ditë pas atentateve të 11 shtatorit 2001 ka qenë më e rëndë rënia e kurseve.


Të trembur parlamentarët u vunë në kërkim të fajtorëve. Nën trysni të fortë e panë veten në rradhë të parë republikanët nga të cilët vetëm një e treta kishte votuar pro paketës së shpëtimit. Por këta bënë zëdhënësen demokrate Nancy Pelosi përgjegjëse për rezultatin. John Baynor, kryetari i fraksionit republikan në dhomën e përfaqësuesve u shpreh:


"Pas një fjalimi shumë të njëanshëm krahasuar me mënyrën se si kishim punuar bashkë për këtë ligj morën fund të gjitha shpresat tona për t'i bindur disa nga 12 deputetët republikanë të votonin pro ligjit."


Por Nancy Pelosi kishte folur vetëm për shkaqet e krizës së tregjeve financiare duke sulmuar republikanët:


"Ata kanë thënë se janë avokatët e tregut të lirë. Përfaqësues të një mentaliteti sipas të cilit gjithçka është e mundur, pa rregullim, pa mbikqyrje, pa disiplinë."


Për qeverinë Bush pas vendimit të dhomës së përfaqësuesve e mori i pari fjalën ministri i financave Henry Paulsen dhe kërkoi të hartohej bashkarisht diçka që të funksiononte.


Por kjo nuk është e lehtë të vihet në jetë pasi aktualisht nuk ka aktorë vërtet të fortë në këtë lojë miliardëshe. Krahas bursës dhe ekonomisë, lista e humbësve është e gjatë: në krye të saj është presidenti Bush i cili konsiderohet si një personalitet pa influencë në këtë proces. Tetë herë ka kërkuar ai mbështetjen e parlamentit në fjalimet publike dhe pas dështimit në dhomën e përfaqësuesve, për herë të nëntë deklaroi:


"Ne do të hartojmë një strategji e cila do të na japë mundësi të ecim përpara."


Edhe kandidati republikan për president John McCain bën pjesë tek humbësit. Ai kishte ushtruar trsyni për bisedimet por edhe ai nuk pati sukses:


"Unë kam punuar shumë për të luajtur një rol konstruktiv, për t'i ulur të gjithë në një tryezë. Tani plani është mjaft i përmirësuar..."


Por projekt-ligji dështoi.


Edhe kandidati demokrat Barack Obama i cili deri tani ka patur një qëndrim të tërhequr në negociata i bëri thirrje parlamentarëve:


"Demokratë, republikanë, ka ardhur koha të bëni atë që duhet bërë."


Ndoshta të enjten mund të jepet mundësia për këtë pasi pritet që atëherë të gjithë pjesëtarët e dhomës së përfaqësuesve të ndërpresin sërisht fushatën elektorale dhe të mblidhen në Uashington për të votuar sërisht për ligjin e ndryshuar vetëm pak.