1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Humanistja shqiptare Nënë Tereza nderohet me aktivitete të posaçme

26 Gusht 2010

Shqipëria përkujton me një sërë aktivitetesh 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Studiuesit shqiptarë e shikojnë figurën e Nënë Terezës si një model që me urtësinë dhe kontributin e saj ka dhënë shumë për njerëzimin

https://p.dw.com/p/Owtd
Nënë Tereza - shpresë për të varfrit
Nënë Tereza - shpresë për të varfritFotografi: AP

Duke e konsideruar vitin 2010 si "Vitin e Nënë Terezës”, autoritetet në Shqipëri kanë nisur prej më shumë se dy javësh një axhendë mjaft të larmishme veprimtarish, në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së saj. Gjithçka është e dukshme qysh kur kalon nëpër rrugë e sheshe, ku postera, banderola e banera të të gjitha madhësive me portretin e humanistes së madhe, me thënie e dedikime të saj janë varur në ndërtesat me të larta të kryeqytetit, anës rrugëve dhe bulevardeve. Veç anës dekorative, qytetarët kanë mundësi të shikojnë një inventar retrospektiv nga ekspozita me foto, botime dhe dokumenta të aktivitetit të Gonxhe Bojaxhiut. Ato janë ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në një shesh të hapur përballë parlamentit.

Monumenti i Nënë Terezës në Tiranë
Monumenti i Nënë Terezës në TiranëFotografi: DW

Kalendar i pasur veprimtarish kulturore e historike

Më herët janë shpallur disa konkurse krijimtarie, ku në qendër është po bamirësja me origjinë shqiptare. Në bazë të kalendarit të aktiviteteve për 100 vjetorin e Nënë Terezës, një meshë mbahet në kishën që mban emrin e saj, rreth 75 km larg Tiranës, do të ketë dhe koncerte me pjesëmarrje të artistëve më të njohur nga trevat shqiptare, sesione tematike, shfaqje të filmave dhe dokumentarëve të sapoprodhuar në ambjente të hapura publike, do të lancohet projekti për një memorial të saj etj.

Baner nga qendra e Tiranës për Nënë Terezën
Baner nga qendra e Tiranës për Nënë TerezënFotografi: DW

Akademiku Muzafer Kerkuti, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e shikon si mjaft pozitive atmosferën festive, që ka nisur prej ditësh në përkujtimin e figurës dhe aktivitetit të Nënë Terezës, jo vetëm në Tiranë, por dhe në zona të tjera të Shqipërisë. Por ai thotë se kujtimi i saj duhet të lidhet me aspekte konkrete, sepse kështu një figurë, që njihet brenda dhe jashtë vendit vjen më natyrshëm për gjeneratat e sotme, por dhe ato që do të vijnë.

“Në Tiranë duhet të ketë një pikë muzeale, qoftë dhe modeste, në atë kalimin që ajo ka bërë e ndejtjen e shkurtër të saj këtu. Kam parasysh vendin ku ka banuar familja, ajo shtëpi. Jo të sajohen e të mendohen gjëra të krijuara sot. Sepse çdo gjë e vërtetë, reale, është e lidhur me atë figurë dhe se vetëm kështu i shërben brezave. Ajo shtëpi të kthehet në pikë muze modeste. Nuk ka nevojë për madhështira, gjëra të sajuara, të krijuara sot”.

Nënë Tereza - shembull si duhet punuar me mendjen

Studiuesi dhe publicisti, Ramiz Lushaj kujton se ka lexuar për herë të parë për aktivitetin e Nënë Terezës në mes të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, atëhere kur ishte e ndaluar që një gjë e tillë të bëhej publikisht. Ai i ka krejt të freskëta momentet, kur është përshëndetur dhe ka shtrënguar duart me Nënë Terezën në vitin 1991, në Tiranë.

Ramiz Lushaj, publicist
Ramiz Lushaj, publicistFotografi: DW

“Dhe mendoja me vete se një njeri kaq i thjeshtë si e mban gjithë atë madhështi me vete. Nënë Tereza është një model, që me urtësinë dhe kontributin e saj ka dhënë shumë për njerëzimin. Shembulli i saj na mëson se si duhet të punojmë me mendjen. Ajo është shembulli se si duhet ringritur Shqipëria: duke ndërtuar së pari vetë shpirtin tonë, pastaj shtëpinë tonë dhe vendin tonë”.

Lushaj, që ka në duar një studim për jetën e bamirëses thotë se polemika që zhvillohet sot për aspekte të jetës së saj, sidomos të prejardhjes, është e pashmmangshme për vetë karakterin ndërkombëtar të misionit të saj bamirës. Ai shton se klasa politike shqiptare duhet jo vetëm të bëjë respekt dhe homazhe për figurën e saj, por dhe të arrijë të kuptojë mirë nga kujdesi dhe përkushtimi i Nënë Terezës për të mbështetur njerëzit e pamundur dhe në nevojë.

Nevojë për më shumë botime në shqip për Nënë Terezën

Prof. dr Shefqet Hoxha ka qëmtuar dhjetra dokumenta për aktivitetin e Nënë Terezës. Ai thotë se fondi i botimeve, që ka ardhur deri tani në gjuhën shqipe është shumë më i pakët se ai që ekziston në të vërtetë. Ai shprehet për DW se një personazh të tillë me jehonë në çdo cep të globit e kujton dhe e çmon gjithkush, pavarësisht racës e përkatësisë fetare, sepse dhe kontributi i saj ishte pa dallim.

Libra shqip për Nënë Terezën
Libra shqip për Nënë TerezënFotografi: DW

“Si një njeri i thjeshtë, ajo bëri aq shumë për t'i ardhur në ndihmë njerëzimit.Tregoi se çfarë dhe se sa mund të bëjë një njeri, kur e do popullin e kur i do njerëzit. Për mua Nënë Tereza është e veçantë, sepse megjithëse në kushte të vështira nuk e harroi kurrë atdheun, prej të cilit kishte rrjedhur. Dhe këtë e tregoi me fjalë, e tregoi me shprehje gjatë vizitave, që ka bërë në Shqipëri”.

Prof. dr Hoxha për të karakterizuar koherencën e kontributit të Nënë Terezës kujton një thënie të saj: "E djeshmja iku. E nesërmja ende s'ka mbërritur. Jetojmë vetëm të sotmen. Le t'ia fillojmë”.

Autor: Arben Muka/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi