1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hombach: Televizioni në Shqipëri punon shumë seriozisht

3 Gusht 2010

Bodo Hombach drejtori menaxhues i WAZ-it, thotë se kompania e tij do të shesë pjesën e vet në mediat ballkanike në rast se ofertat e të interesuarve janë të favorshme.

https://p.dw.com/p/OajD
Bodo Hombach drejtori menaxhues i WAZ-it.
Bodo Hombach, drejtori menaxhues i WAZ-it.Fotografi: picture-alliance/dpa

Deutsche Welle: Si duken planet tuaja në lidhje me investimet në gazetat bullgare? A do të ndryshojë këtu diçka?

Bodo Hombach: Fillimisht duhet të them se kritika ime e javës së kaluar i referohet grindjeve serioze verbale që kemi patur në Serbi. Atje qëndron thelbi. Atje kemi marrë vendim të tërhiqemi. Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i ekonomisë deklaroi publikisht se një grup mediatik, i cili kritikon vendin, nuk ka vend në Serbi. Unë iu përgjigja atij publikisht: Këtë të mirë mund t'ua bëjmë. Ne do të tërhiqemi: kjo do të jetë një tërheqje e rregullt, natyrisht jo arratisje. Pra jo duke lënë pas pasurinë tonë, por ne duam të shesim në mënyrë të rregullt dhe serioze. Dhe ne presim që atje të mbizotërojë shteti ligjor dhe kritere të arsyeshme. Të gjitha këto nuk kanë të bëjnë aspak me konsideratat e tjera, veçanërisht në lidhje me tregun e gazetave në Bullgari.

Deutsche Welle: Dhe si është gjendja në Shqipëri?

Bodo Hombach: Në Shqipëri nuk kemi investim në gazeta. Në Shqipëri jemi pjesëmarrës në një televizion mjaft të njohur, privat. Për të ngazëllohesh dhe me sa dëgjojmë, ai punon shumë seriozisht. E vetmja gjë që është me Shqipërinë dhe këtë e kam thënë në mënyrë korrekte edhe kur jam pyetur, është se stacioni televiziv qëndron disi i vetmuar në pejzazh. Pra ne nuk kemi efekte sinergjie me medie të tjera. E megjithatë, duke qenë se ai realizon rezultate ekonomike të mira ne nuk gjendemi nën kurrfarë trysnie atje.

Deutsche Welle: Çfarë roli mund të luajë një ofrues mediatik si Deutsche Welle në një,"treg medieje të helmuar"?

Bodo Hombach: Deutsche Welle është diçka shumë e veçantë dhe që ia vlen të mbështetet. Si përfaqësues i një sipërmarrjeje mediatike private unë megjithatë i mbështes sistemet mediatike publike, kur ato janë të pavarura nga ana gazetareske dhe kur punojnë pa ndikim shtetëror dhe të lira. Këto janë sisteme që kanë shansin e madh të përhapin gazetari të pavarur dhe të ndershme. Jam i lumtur që kemi sisteme të tilla publike në Gjermani. Ato janë një makinë cilësie dhe kjo vlen sigurisht edhe për Deutsche Welle-n. Nga pikëpamja përmbajtësore flasim këtu për diçka shumë të mirë. Është shumë mirë që e kemi. Shumë mirë që është kështu, sepse gazetaria ka nevojë për një shkallë të madhe pavarësie. Ne përpiqemi t'ua garantojmë këtë gazetarëve të medieve tona dhe sisteme mbi bazë publike, të cilat në të njëjtën kohë janë larg ndikimit shtetëror, janë gjithashtu në gjendje ta bëjnë këtë.

Autor: Mariya Ilcheva/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama