1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hollivudi në Bullgari

12 Nëntor 2011

Bullgaria shpesh përmendet për shkak të korrupsionit dhe kriminalitetit. Por ajo ofron edhe gjëra të tjera. Për shembull, projekte të mëdha me yjet e Hollivudit.

https://p.dw.com/p/139M0
Sylvester Stallone
Sylvester Stallone: Skenë nga filmi "The Expendables"Fotografi: AP/Twentieth Century Fox

Bullgaria, ka fituar emër në kinematografitë botërore që në vitet 90-të kur në këtë vend janë inçizuar filma me aktorët si Sylvester Stallone, Arnold Schwarzeneger, Bruce Willis apo dhe Jean-Claude Van Damme. Këto aktorë janë edhe tani prezent në inçizimin e vazhdimit të dytë të filmit "The Expandables". Pjesë e parë e këtij filmi ka shënuar sukese të jashtëzakonshme në kinema. Në shumë vende ishte në vendin e parë në listat Charter.

Buxheti për "The Expendables 2" kap shumën prej rreth 80 milionë dollarë. Një pjesë e madhe e këtyre parave do të shpenzohet në Bullgari. Prandaj nuk është ndonjë çudi që kryeministri Bojko Borissov, vizitoi menjëherë ekipin realizues, ku u takua edhe me ish-guvernatorin e Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger.

Boiko Borisow dhe Arnold Schwarzenegger
Boiko Borisow dhe Arnold SchwarzeneggerFotografi: picture-alliance/dpa

"Natyrisht, që po mendojmë se si të mbështesin industrinë e filmit edhe në të ardhmen, sepse kjo është një reklamë e mirë për vendin tonë. Konkurrenca është shumë e madhe. Shumë vende fqinje ofrojnë edhe subvencione, por edhe ne po bëjmë të gjitha që janë në mundësitë tona", tha ai.

Përparësitë e Bullgarisë

Bullgaria ka përparësi në një çështje: kostot e prodhimit janë shumë më të vogla. Këtë e di edhe David Varod, shefi i firmës për prodhimin e filmave "Nu Image" në Bullgari. "Në film kërkohen gjithnjë mundësitë më të lira për prodhim. Bullgaria është një prej atyre që ofron këto kushte. Prodhimi i një filmi në Bullgari kushton sa gjysma e shumës që harrxhohet në Gjermani", shpjegon Varod.

Për një rol statisti në Gjermani, për shembull, duhet ndarë mesatarisht rreth 50 euro. Statistët në SHBA marrin në ditë rreth 120 euro, plus shpenzimet për ushqim. Ndërsa angazhimi i statistëve në Bullgari për një ditë kushton rreth 15 euro.

Sylvester Stallone
Sylvester StalloneFotografi: AP

Bullgaria përfiton edhe për shkak të taksave më të ulëta në Evropë me rreth 10 % për persona privat dhe për firma. Megjithatë jo vetëm shpenzimet e ulëta janë ato që Bullgarinë e bëjnë atraktive për industrinë e filmit, thotë Varod:

"Studiot këtu kanë një përvojë të gjatë. Në Bullgari kemi inçizuar deri tani rreth 100 filma, pra mesatarisht 10 - 12 filma në vit," thotë ai.

Zanafilla

"Nu Images" ka bashkëpunuar që nga fundi i viteve 90-të me studion shtetërore "Boyana Film". Kjo sipërmarrje e Kalifornisë ka blerë në vitin 2005 për 19 milionë euro studion „Boyana Film“ dhe e ka ndërruar emrin e saj në "Nu Boyana Film Studios". Ajo tani ka pajisje shumë moderne dhe një ekip prej rreth 250 ekspertësh kompjuterash dhe efektesh speciale. Vetëm në këtë mënyrë mund të sillen në Bullgari emrat e mëdhenj të Hollivudit.

Nga këta filma mund të përfitojë edhe ekonomia bullgare, tha Arnold Schwarzenegger pas takimit me kryeministrin Borissov në "Nu Boyana Film Studios":  "Hotelet, restorantet, dyqanet dhe të gjithë të tjerët mund të përfitojnë nga inçizimi i filmave të këtillë."

Nga projekti "The Expendables 2" ka përfituar edhe infrastruktura, sepse për qëllimet e këtij filmi janë ndërtuar një rrugë dhe një urë, të cilat ishin në një gjendje shumë të keqe. Kryeministri bullgar e di se vendi i tij mund të përfitojë shumë. Prandaj që tani i ka bërë thirrje Arnold Schwarzenegger-it dhe ekipit që edhe vazhdimin e tretë të filmit "The Expendables" ta regjistrojnë në Bullgari.

Autor: Blagorodna Grigorova/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama