141208 Bundesliga Zusammenfassung
15 Dhjetor 2008Është një nga çuditë e kampionatit gjerman, skuadra e Hofenhajmit kryeson tabelën e vjeshtës të kampionatit gjerman të futbollit. Djemtë nga provinca luajtën mirë në fundjavë edhe kundër Shalkes.
Kjo nuk ka ndodhur kurrë në bundesligën gjermane. Si skuadra më e re Hofenhaimi është kampion i vjeshtës. Skuadra e trajnerit, Ralf Rangnik, që vetëm para një viti e gjysëm luante në kategorinë rajonale, të dielën (14.12) arriti që me një barazim 1:1 me Shalke 04 të dalë sërish para Bajernit. Selim Teber arriti barazimin në minutën e 72-të me një goditje të lirë, duke e nxjerrë në krye skuadrën e një fshati prej 3500 banorësh.
Shalke kryesonte që nga minuta e 40-të. Rezultati shkoi sinkron me mënyrën si u luajt. Shalke la përshtypje me paraqitjen e sigurtë në fillim, por më vonë i humbi shanset.
Vetëm nga mesi i gjysmës së dytë të lojës, mikpritësi u kthye në lojën pasionante, që në të vërtetë u luajt kështu nga të dyja palët. Hofenhajmi u përpoq të gjuante golin e fitores, por nuk arriti atë futboll kombinues të mrekullueshëm si në javët e fundit. Edhe lojtari i mbrojtjes, Vedad Ibiseviç (Vedad Ibisevic) nuk doli si zakonisht në pah. Për këtë arsye trajneri i Hofenhajmit, Rangnik u tregua pjesërisht i kënaqur: "Tani bëhet fjalë që të stabilizojmë këtë nivel e ndoshta megjithatë të përmirësohemi hap pas hapi. Ngjitja që tani qe e mundshme, nuk do të ndodhë më me aq galop. Nuk ka pse të jetë ashtu."
Bajerni i Mynihut të shtunën kishte arritur me zor barazimin me Vfb e Shtutgartit, por për shkak të barazimit, që arriti Hofenihajmi, u gëzua vetëm një natë me kryesimin e tabelës. Dy golat erdhën nga Borovski dhe Toni. Shtutgartasit me Sami Khedira-n arritën, që të bënin golin e barazimit nga fundi, duke ua prishur miqve shijen e fitores së trepikëshit.
Shefi i skuadrës, Markus Babel, u tregua jashtëzakonisht i kënaqur: "Gëzohem për djemtë se u shpërblyen për punën e madhe, që kanë bërë. Mendoj se ka qenë një lojë plot emocione për spektatorët. "Bayer Leverkusen, që po ashtu kishte shpresuar për vendin e parë para pushimit të dimrit, nuk arriti ndaj Kotbusit më shumë se një barazim 1:1. Bruno Labadia (Bruno Labbadia), trjaneri i Leverkusenit nuk e fshehu zhgënjimin: "Kjo është shumë, shumë e hidhur për ne. Nuk ia dolëm asaj që donim, pra të kishim 34 pikë para krishtlindjeve. Një barazim i tillë është si ndjesia e humbjes. Pas zhvillimit të lojës, por edhe pas asaj që ka investuar skuadra, zhgënjimi është shumë shumë i madh."
Me 32 pikë, Leverkuseni ka zënë vendin e pestë në klasifikim. Ndërsa Herta BSC e Berlinit, që fitoi 4:0 ndaj skuadrës së Karlsruhes SC, festoi kështu fitoren e pestë në fushën e vet dhe me 33 pikë ka zënë vendin e tretë.