1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hip-hop për pavarësinë

Jodi Hilton / Amarildo Topi28 Nëntor 2012

Një muzikant suedez me rrënjë kurde është mjaft i njohur në diasporën kurde dhe i pëlqyer në Stamboll.

https://p.dw.com/p/16qqS
Fotografi: Jodi Hilton

Të gjithë fansat këndojnë në kor, ndërkohë që volumi rritet akoma më shumë. Në skenë një person jo shumë i madh në trup kërcen nga njëra anë e skenës në tjetrën, afrohet tek turma dhe këndon. Serhado është duke kënduar në një kamp refugjatësh kurdë në Irak. Ai pothujase bëhët njësh me turmën.

Kënga quhet Ez Kurdistan im, “Unë jam Kurdistan”, dhe fillon me një instrument tradicional të quajtur balaban. Edhe para fillimit të këngës, turma ishte duke kënduar vetë. Ajo që i ekzalton papritur ata është një nga zërat e korit të këngës. Ai është  zëri i regjistruar i Suleyman Alpdogan, një luftëtar guerrillas i PKK-së i vrarë gjatë një luftimi në vitin 1999. Kënga është stili tipik i Serhados: vargje moderne të ndërthurur me muzikën tradicionale.  Muzika e tij ka lindur nga muzika tradicionale kurde Dengbeji.

"Unë besoj se muzika rep ka marrë nga Dengbeji, një muzikë që është luajtur prej mijëra vitesh. Ka disa këngë Dengbeji që janë më shumë se një orë të gjata, ndërsa disa të tjera vazhdojnë deri në tre ditë,” thotë ai për DW.

Ndikime të ndryshme

I lindur në Suedi nga dy prindër kurdë të ikur nga Turqia, emri i vërtetë i Serhado's është Serhad Ayaz. Në vitin 2007, albumi i tij Xewna Jiyan, që përkthehet  Ëndërra e Jetës, ishtë albumi i parë hip-hop i nxjerrë në shitje në tregun turk. Dy vite më vonë ai krijoi albumin, Xeyala Evin, Ëndërra e Dashurisë.

Tani në moshën 27 vjeçare Serhado është një nga artistët kurdë më të njohur në botë. Por sërish të japë koncerte në Turqi është e vështirë. Serhado është një avokat i fortë i pavarësisë së kurdëve, gjë të cilën qeveritë turke e kanë hedhur gjithmonë poshtë. Kjo e bën atë jo fort miqësor me autoritetet.

Partia Punëtore Kurde, PKK, është duke luftuar gjithashtu për pavarësinë e Kurdistanit. Në shumë vende të botës ata konsiderohen si terroristë.

Muzikë profesionale

Një nga këngët më të njohura të Serhado's është “Lo Dilo” dhe është pak më shumë se tri minuta e gjatë. Videoja që mund të shihet në Youtube, është xhiruar në rrugët e Diarbakirit, një qytet në zemër të rajonit Kurd në Turqi. Është shtëpia e miliona kurdëve. 

"Kënga është me përmbajtje politike. Unë flas shpesh për liderin tonë, i cili është prej 14-të vitesh në burg. Unë e vë veten në pozicionin  e tij.”

Videoja muzikore nis me një djalë, i cili hedh një pëllumb në ajër. Më pas nga qielli bie një kasetë. Djali vrapon tek një shoku i tij që punon në një radio, por ai ndalohet nga policia dhe arrestohet. Videoja ndërpritet dhe më pas shfaqet Serhado. Ai është në një qeli burgu dukë bërë rep dhe treguar grushtin në mënyrë kërcënuese.

"Kur u shfaq për herë të parë në televizionin kurd, kjo video pati mjaft debate,” shton Serhado.

Wahlkampf in Diyarbakir Türkei
Performancë e Serhado's në DiarbakirFotografi: Jodi Hilton

Fansa në gjithë Turqinë

Murat Yapistiran është një fans i artit të Serhado's. Ai punon si teknik zëri në një studio muzikore kurde në Stamboll dhe i njeh shumë mirë efektet e muzikës së tij.

"Hip-hopi është diçka e rë për shoqërinë kurde. Është një muzikë që më duhet të them se nuk është familjarë për ne. Por që nga koha që në skenë doli  Serhado, hip-hopi është pranuar nga shoqëria kurde."

Në Turqinë juglindore koncertet e Serhados tërheqin gjithmonë turma të mëdha njerëzish, të cilët e këndojnë muzikën e tij me zemër. Në një koncert në Diarbakir, muzikanti fton turmën të këndojnë së bashku këngën “Zimane Kurdi”, që do të thotë të kuptoni më mirë gjuhën kurde.

“T'u japësh njerëzve një eksperiencë pozitive, kjo është arsyeja se pse unë jam në skenë. Unë dua të jap shpresë dhe të mbaj gjallë besimin,” përfundon artisti i ri.