1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hidhet shorti i Euro 2008-ës në futboll

Elert Ajazaj27 Janar 2006

Në qytezën zvicerane Montreux u hodh shorti për grupet eliminatore të Kampionatit Evropian të Futbollit 2008

https://p.dw.com/p/AsJw
Jürgen Klinsmann dhe Otto Rehhagel gjatë hedhjes së shortit
Jürgen Klinsmann dhe Otto Rehhagel gjatë hedhjes së shortitFotografi: AP

Faza finale e Kampionatit Evropian 2008 do të zhvillohet në dy vende, Zvicër dhe Austri, të cilat kualifikohen automatikisht. Që prej Kampionatit Botërore të vitit 1954 për Zvicrën kjo është veprimtaria më e rëndësishme sa i përket futbollit, ndërsa stadiumi Ernst Happel i Vjenës do të jetë për të parën herë mikpritës i ndeshjes finale të kampionatit.

Një ndryshim thelbësor në krahasim me mënyrën e mëparshme të kualifikimit për në Evropian është fakti se nuk do të ketë më fazë play-off-i pas ndeshjeve në grupe. Do të krijohen gjashtë grupe me nga shtatë ekipe dhe një grup me tetë ekipe. Dy të parët e çdo grupi shkojnë në Zvicër dhe në Austri, pra këta të katërmbëdhjetë kompletojnë gjashtëmbëdhjetëshen pjesëmarrëse.

Krerët e grupeve janë ekipet e Greqisë, mbajtëses së titullit, Holandës, Portugalisë, Anglisë, Çekisë, Francës dhe Suedisë. Ato janë përcaktuar në bazë të rezultateve në kampionatin e fundit evropian dhe atë botëror.

Shqipëria gjendet këtë herë në enën e pestë së bashku me Hungarinë, Finlandën, Estoninë, Uellsin, Lituaninë dhe Islandën.

Mbështetur në ecurinë e ekipit kombëtar shqiptar pritjet janë të mëdha nga ana e tifozëve që Shqipëria të synojë pjesëmarrjen për të parën herë në një kampionat evropian.

Tërheqja e shortit u bë nga dy ish-lojtarë të kampionatit gjerman: zviceranit Stéphane Chapuisat dhe austriakut Andreas Herzog.

Dhe shorti nuk i solli Shqipërisë kundërshtarin e parapëlqyer, Gjermaninë, por këta kundërshtarë në grupin D: Luksemburg, Bjellorusi, Slloveni, Bullgari, Rumani dhe Holandë; grupi nuk është më i forti, por është relativisht i fortë.

Për Maqedoninë kundërshtarët do të jenë: Anglia, Kroacia, Rusia, Izraeli, Estonia dhe Andorra. Ndoshta grupi më i fortë është ai B, ku janë: Franca, Italia, Ukraina, Skocia, Lituania, Gjeorgjia dhe Ishujt Faroe. Gjermania ndeshet me Çekinë, Sllovakinë, Irlandën e Veriut, Uellsin, Qipron dhe San Marinon. Ndeshjet eliminatore do të zhvillohen në harkun kohor: shtator 2006 - nëntor 2007. Ndërsa shorti për finalet e Evropianit 2008 është parashikuar të hidhet në dhjetor 2007.