1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heqja e vizave dhe emigrantët shqiptarë në Greqi

15 Dhjetor 2010

Liberalizimi i vizave përjetohet si eveniment edhe nga ana e imigrantëve shqiptarë të Greqisë. Por shqetësimet e tyre për lejeqëndrimin dhe lëvizjen e lirë janë të një natyre tjetër.

https://p.dw.com/p/QcC0
Vetëm me pashaporta biometrike mund të udhëtohet pa viza në EvropëFotografi: DW-TV

Për shqiptarët që jetojnë në Greqi qëndrimi i ligjshëm lidhet me rinovimin e lejes së qëndrimit. Ky u siguron atyre qarkullim të lirë në Evropë deri në skadimin e tyre. Por për shkak të papunësisë së madhe ata nuk mund të sigurojnë numrin e nevojshëm të pullave të siguracionit për rinovimin.

Sotir Bahollari nga Erseka, nuk e di se si do të sigurojë jo vetëm për mbijetesën, por edhe pullat e siguracionit. "Enigmë” thotë ai. Por ai e di se pa pullat e nevojshme ai nuk përfiton të drejtën e qëndrimit të ligjshëm në Greqi. Po ndodh ajo që thotë një fjalë e urtë se “e keqja pason të keqen”, të papunët bëhen dhe të paligjshëm në vend, thotë ai.

Albanien Griechenland Migranten Visum
Sotir Bahollari nuk di si t'i sigurojë pullat e siguracionitFotografi: DW

Ndërsa Tajar Xhanari kritikon mungesën e diferencimit të ligjit për lejeqëndrimin. "Duam 200 ensima në vit. Punojmë s'punojmë. Mund të më thoni ju si mund të bëhet?” thotë ai për pullat e nevojshme të siguracionit.

Sipas kategorive të ndryshme duhen nga 150 deri 200 pulla, që me mungesën e parave për shkak të papunësisë nuk mund t'i sigurojnë as me nënshkrimin edhe të kontratave fiktive të punës që shpesh u kushtojnë shtrenjtë me haraçin që u paguajnë punëdhënësve “zemërgjerë”. “Kam shumë problem me rinovimin e lejës së qëndrimit. Pas 20 vjetësh që kam këtu jam si një njeri që vjen tani dhe është pa letra” thotë Kujtimi.

Reagimet e politikës greke

Deputetja e partisë së majtë Sinaspismos Iro Dhioti në krye të një grupi deputetësh priti dhe dëgjoi për këtë problem në parlamentin grek një përfaqësi të federatës së imigrantëve shqiptarë.“Në thelb duhet të shkëputet leja e tyre e qëndrimit nga puna, pasi shumë kanë mbetur pa punë për shkak të krizës së thellë” thotë Dhioti për Deutsche Welle.

Albanische Migranten aus Griechenland
Emigrantë shqiptarë në GreqiFotografi: DW

Sipas saj, së shpejti problemi do të afirmohet dhe në rrugë parlamentare me pyetje të posaçme dhe do të dalë në pah “statusi i mbajtjes peng” të imigrantëve në kushtet e një krize “ku asnjë nuk mund të gjejë punë dhe as vetë qytetarët grekë nuk mund të rinovojnë librezat e tyre shëndetësore”.

Shqiptarët në Greqi dhe lëvizja e lirë

Në sfondin e një shqetësimi dhe pasigurie të tillë imigrantët në Greqi e shohin si një zhvillim pozitiv lirinë që u jep ligji i liberalizimit të vizave qytetarëve shqiptarë për të qarkulluar në zonën Schengen. “Kuptohet, e pres me padurim... Gëzohem për iniciativën që kanë marrë. Është gjë e madhe për shqiptarët që të lëvizin lirshëm, të venë te fëmijët e tyre pa viza” janë fjalët që ndajnë këto ditë gjithë imigrantët.

Por kjo masë nuk ka efekt të drejtëpërdrejtë në jetën e tyre, pasi zgjidhjen ua jep vetëm leja e qëndrimit dhe jo viza që u ndryshon statusin dhe pas 3 muajsh i kthen pas, në vendlindje. “Kuptohet që u prit shumë mirë. Por nuk pati ndonjë entuziazëm aq të madh ashtu si edhe tek shqiptarët që jetojnë në Shqipëri. Kjo dhe për arsye se një pjesë e shqiptarëve që janë këtu janë me leje qëndrimi, që do të thotë se mund të udhëtojnë brenda Evropës pa problem. Mjafton të kthehesh brenda skadencës së lejës së qëndrimit” i thotë DW-s bashkëpronarja e agjencisë turistike “Iliria” Linda Stefani.

Albanien Griechenland Migranten Visum
Linda StefaniFotografi: DW

Saktësimi i liberalizimit të vizave do të ndihmonte shqiptarët në Greqi

Për atë do të kishte interes vetëm në qoftë se ligji do të përfshinte edhe atë masë shqiptarësh të emigracionit të Greqisë që janë me vërtetim aplikimi për rinovim dhe lejohet të udhëtojnë deri në fund të vitit tjetër vetëm në Shqipëri. Linda Stefan përshkruan rastin e një shqiptari, për nevojën e të cilit ajo nuk dinte të jepte një përgjigje: “Më erdhi një klient që është me leje qëndrimi këtu në Greqi, ndërsa bashkëshortja e tij ishte me leje vërtetimi, që nuk i lejohet udhëtimi në Evropë. Personi donte të shkonte në Suedi dhe pyeste a mund të udhëtonte me të shoqen, që është me leje vërtetimi. Për këtë gjë unë nuk mund t'i përgjigjesha. Kështu që ky ligj duhet të saktësohet dhe më tepër edhe për shqiptarët që janë në emigracion dhe që janë me leje vërtetimi dhe jo qëndrimi”.

Gjithsesi ligji do do të mundësojë ardhjen e shumë pjesëtarëve të familjeve të imigrantëve në Greqi, që nuk munden të përfitojnë nga bashkimi familjar i këtyre viteve. Por ai nuk mundëson bashkimin familjar.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Lindita Arapi