1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heintschel-Heinegg: "Perkovići kishte gjithçka në dorë"

Nenad Kreizer6 Janar 2014

Ish- shefin e Shërbimit të Fshehtë kroat e arrestuan. Gjermania kërkon dorëzimin e tij, për shkak të një vrasjeje në Bavari. Ish-gjykatësi Bernd von Heintschel-Heinegg shpjegon sfondin.

https://p.dw.com/p/1Alab
Bernd von Heintschel-Heinegg
Fotografi: Thomas von Heintschel-Heinegg

DW: Josip Perkovići dyshohet se ka dorë në vrasjen e një disidenti kroat në Bavari në vitin 1983. Shtysën për këtë rast e jep procesi kundër një ish-punonjësi të Shërbimit të Fshehtë, Krunoslav Prates, ku ju keni qenë kryegjykatës. Pratesin e dënuan për shkak të bashkëpunimit në këtë vrasje me burgim të përjetshëm. Por pas procesit shumë medie thanë se fajtorët kryesorë janë ende të lirë. A e perceptuat atëherë Perkovićin vetëm si dëshmitar në proces, apo edhe si bashkëpunëtor të mundshëm në vrasje?

Bernd von Heintschel-Heinegg: Në fund të fazës kryesore të procesit ne ishim të bindur se Perkovići ishte bashkëautor në atentatin kundër migrantit kroat, Stjepan Djurekovic.Perkovići ishte ai që ka dhënë urdhërin dhe që kishte gjithçka në dorë. Por nuk ishte puna se ai kishte interes vetjak për këtë akt, akti u thurr në nivelet më të larta. Se çfarë ka ndodhur atëherë konkretisht me qeverinë jugosllave, këtë nuk e dimë.

Dëshmitari kryesor në procesin kundër Prates ishte Vinko Sindičić. Shumë vëzhgues në Gjermani dhe në Kroaci dyshonin për kredibilitetin e tij, për shkak të rolit të tij në veprimet e errëta të shërbimeve të fshehta. Si e gjykoni me këndvështrimin e sotëm personin e Sindičićit?

Vinko Sindičić ishte një dëshmitar i rëndësishëm. Ne ishim të bindur se në lidhje me vrasjen e Djurekovicit ai tregoi të vërtetën. Por është e saktë se si bashkëpunëtor i shërbimit të fshehtë ai kishte për të larë edhe disa hesape. Por me këtë ne u morëm dhe natyrisht edhe me çështjen: a ka dyshime për besueshmërinë e këtij deponimi? Ne arritëm në përfundimin se të dhënat që na dha neve ishin korrekte.

Pas këtij procesi në Mynih (2006-2008) ju e akuzuat të gjithë udhëheqjen kroate për mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar. Në atë kohë, Kroacia nuk ishte ende anëtare e BE. Por edhe qeveria aktuale ndërmorri disa përpjekje për të mos e dorëzuar Perkovićin. Parlamenti kroat miratoi pak para anëtarësimit në BE një ligj, që e ndalon dorëzimin e personave të dyshuar si kriminelë në BE, kur ata i kanë kryert aktet e tyre para vitit 2002. Vetëm pas presionit masiv nga Brukseli e ndryshoi Kroacia këtë ligj. Si e gjykoni sjelljen e autoriteteve kroate atëherë dhe sot?

Në kuadër të procesit ne patëm në Mynih disa dëshmitarë nga Kroacia dhe mësuam pas marrjes në pyetje se pas kësaj ata kanë pasur vështirësi për shkak të pjesëmarrjes në proces, për shembull në punë. Pas përfundimit të procesit gjyqësor unë iu drejtova organeve evropiane për t'u thënë: bashkëpunimi, siç e përjetuam, nuk i përgjigjet standardeve, që presim kur të bëhet Kroacia anëtare e BE. Përsa u përket gjërave që kanë ndodhur tani konkretisht muajt e fundit, unë ato i kam mësuar vetëm nga shtypi. Tani ka disa përpjekje. Por atëherë ne kishim përshtypjen se qeveria kroate nuk ishte e interesuar për ta sqaruar plotësisht çështjen.

Si i vlerësoni si jurist shanset që Perkovićin t'ia dorëzojnë autoriteteve evropiane?

Për këtë pyetje nuk mund të jap përgjigje, sepse nuk e njoh gjendjen juridike në Kroaci. Në Gjermani krimi i vrasjes nuk parashkruhet (vjetërohet), prandaj edhe ekziston urdhëri evropian i arrestit. Po duket se autoritetet kroate kanë interes që procesi gjyqësor të paktën të zhvillohet në Kroaci. Një mundësi tjetër do të ishte që ai të përballet me procesin gjyqësor në Gjermani - dhe për rastin se do të dënohet - ta vuajë dënimin në Kroaci.