Heiko Maas: „Gjermania përfiton, kur Europa është mirë"
18 Qershor 2020DW: Zoti Maas, përpara se të flasim për presidencën gjermane në BE: Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale në kufirin mes Indisë dhe Kinës?
Heiko Maas: Kjo na krijon shqetësim, ndaj ne jemi në dialog me të dyja vendet. Këto janë dy vende të mëdha, për të cilat as që dëshiroj ta imagjinoj, se çfarë sjell konflikti, nëse ai kthehet në një përshkallëzim të mirëfilltë ushtarak. Për këtë arsye ne përpiqemi, në të gjitha nivelet të influencojmë tek të dyja palët, që gjendja të mos përshkallëzojë.
DW: Cili është mesazhi juaj ndaj palëve të konfliktit dhe si mund të ndërmjetësojë Gjermania?
Heiko Maas: Ne në korrik do të marrim presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. E gjithë bashkësia ndërkombëtare pret, që India dhe Kina të mos zhyten në një konflikt, që mund të prekte jo vetëm dy vendet, por të gjithë rajonin. Ndaj ne bëjmë ç'është e mundur, për të influencuar me mesazh të qartë ndaj palëve, që konflikti të shmanget dhe të mos ketë përshkallëzim të mëtejshëm, para së gjithash të mos ketë konfrontim ushtarakisht.
"Europa është një fitim i madh për Gjermaninë"
DW: Le të ndalemi tek presidenca gjermane në BE, që fillon në korrik: Ç‘është e gatshme të sakrifikojë Gjermania për ta shpëtuar Europën?
Heiko Maas: Unë besoj që Gjermanisë nuk i duhet të sakrifikojë asgjë, por që Europa është një fitim i madh për Gjermaninë. Si një komb eksporti Gjermania përfiton, kur Europa është mirë. Ndaj ne duhet të kujdesemi që vendet e prekura fort prej pandemisë Corona si Italia dhe Spanja, të dalin sa më shpejt nga kriza.
DW: Kjo ndihmë e masive financiare nga Gjermania e ka befasuar pozitivisht Europën. A është kjo një Gjermani e re, që po përjetojmë tani?
Heiko Maas: Ne e dimë, që kemi një përgjgjësi të madhe në Europë. Ne kemi vendosur të japim një kontribut, në mënyrë që konfliktet, që kanë ekzistuar dhe që dukej se mund të krijoheshin, si veri – jug, të mos shtrihen më tej. Për këtë arsye e kemi bërë këtë propozim bashkë me Francën. Unë besoj, që ky propozim do të jetë baza për një unitet brenda Bashkimit Europian. Kjo është rruga, që ne duam ta vazhdojmë gjatë presidencës sonë.
"Gjermania mund të jetë një urë mes lindjes dhe perëndimit"
DW: Ka edhe një linjë konflikti mes lindjes dhe perëndimit në Bashkimin Europian. A doni ta trajtoni edhe këtë në mënyrë konseguente?
Heiko Maas: Po. Ka në Europën Qendrore dhe Lindore shumë shtete, që kryesisht në politikën e sigurisë janë të orientuar ndryshe nga Europa Perëndimore. Në këto vende ka kujtime nga Bashkimi Sovjetik, që reflektohen ndaj Rusisë së sotme. Gjermania mund të jetë një urë në Europë mes perëndimit dhe lindjes. Ndaj unë jam që ne të ndjekim një politikë të re ndaj lindjes, e cila të orientohet për t'i mbajtur shtetet fqinje europiano-qendrore dhe europiano-lindore në Bashkimin Europian dhe të shmanget përshtypja e tyre sikur janë anëtarë të kategorisë së dytë.
DW: Në Poloni e Hungari p.sh. ka probleme me shtetin ligjor. Si do të komportoheni ndaj tyre gjatë presidencës?
Heiko Maas: Duhet të jetë e qartë, që shteti ligjor është një vlerë themeltare e Bashkimit Europian. Ne do të kemi edhe një diskutim, nëse duhet kushtëzuar më fort respektimi i shtetit ligjor me ndihmat financiare të Bashkimit Europian. Edhe kjo do të jetë një temë.
"Ne duhet të bëjmë më shumë për sigurinë tonë"
DW: Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar tërheqjen e një pjese të trupave nga Gjermania. Duket, sikur nuk mund t'i varësh më shpresat te SHBA-ja. Çfarë prisni ende prej Donald Trump përpara zgjedhjeve në SHBA?
Heiko Maas: Lufta elektorale amerikane zhvillohet sipas ligjeve të veta. Por pavarësisht kësaj, kushdoqoftë tani në Shtëpinë e Bardhë, europianët dhe amerikanët i bashkojnë vlerat e përbashkëta të një demoktracie liberale dhe të lirisë. Kjo është ndryshe në rajone të tjera të botës. Ndaj mes nesh vazhdon të ketë më shumë gjëra që na lidhin me Shtetet e Bashkuara se sa të tilla që na ndajnë. Pavarësisht se aktualisht marrëdhëniet janë disi të ndërlikuara.
DW: A duhet t'ia dalin në të ardhmen europianët vet pa amerikanët?
Heiko Maas: Nuk besoj, që ne duhet t'ia dalim vet. Unë besoj, se edhe Shtetet e Bashkuara kanë interes, që të jenë të lidhur ngushtë me Europën sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë. Por ndoshta Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë më mburoja e Europës, sikurse e njohim nga e kaluara. Si rrjedhojë ne do të duhet të bëjmë më shumë për sigurinë tonë, e që në NATO duhet të ketë një shtyllë europiane.
DW: Mos vallë do të duhej që Europa të synojë të jetë e pavarur ushtarakisht?
Heiko Maas: Unë nuk dua aspak, që Europa të bëhet e pavarur ushtarakisht. Unë dua, që ne me Shtetet e Bashkuara si aleatë në NATO t'i garantojmë bashkarisht interesat e sigurisë. Unë nuk mund ta përfytyroj as që Shtetet e Bashkuara afatgjatë të kenë interes, që SHBA dhe Europa të shkëputen në politikën e sigurisë.
"Ne kemi marrë ndërkohë shumë përgjegjësi"
DW: Por sidoqoftë ndërkohë SHBA lenë një boshllëk të madh gjeopolitik. A mundet Europa ta zëvendësojë këtë boshllëk? Në çfarë roli mund ta bëjë ajo këtë?
Heiko Maas: Ne nuk mund të jemi kudo nga tërhiqet SHBA-ja për të mbyllur boshllëkun atje. Ndërkohë ne kemi marrë shumë përgjegjësi, p.sh. në Afrikë, konkretisht në Sahel, e po ashtu edhe në Afganistan, ku Gjermania tani duhet të luajë edhe një rol në procesin e brendshëm afgan të paqes. Gjithmonë synohet siguria, por edhe diplomacia. Sepse pas luftërave në fund nevojiten marrëveshjet e paqes dhe ato mund të arrihen vetëm politikisht dhe jo ushtarakisht.
DW: Së fundi edhe një pyetje personale: Tek shihni gjendjen e brishtë botërore, a mund të flini qetë natën?
Heiko Maas: Kur ndodhem në udhëtim nëpër botë, takoj shumë njerëz mjaft të përgjegjshëm. Këta njerëz përbëjnë shumicën dhe kjo më bën që të fle qetë natën.