1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapën siparin “Javët e Kulturës Gjermane 2010” në Shqipëri

28 Shtator 2010

“Javët e Kulturës Gjermane 2010” hapën mbrëmë siparin në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, me premierën e shfaqjes teatrale ”Emili dhe dedektivët", të bazuar në librin e shkrimtarit gjerman për fëmijë Erich Kästner

https://p.dw.com/p/POow
Nga premiera e shfaqjes teatrale ”Emili dhe dedektivët"(27.09.2010)
Nga premiera e shfaqjes teatrale ”Emili dhe dedektivët"(27.09.2010)Fotografi: DW

Kur Akademia Bavareze e Arteve vendosi më 1974 çmimin letrar ” Erich Kästner” për të nderuar menjëherë pas vdekjes shkrimtarin, vështirë se anëtarët e saj do të kishin mundur të përfytyronin që libri" Emili dhe Dedektivët", i përshtatur si pjesë teatrale, do të interpretohej me një sukses absolut, në një mbrëmje fundshtatori 2010, në skenën e Akademisë së Arteve të Bukura, në Tiranë. Kur ai çmim u vendos Tirana ishte kryeqyteti më i izoluar në të gjithë Evropën ish komuniste. Kur kthen kokën pas në atë vit të largët kupton që hapja e javëve të kulturës gjermane 2010 në Shqipëri pikërisht me këtë pjesë nuk është e rastësishme. Ajo është kuptimplote. Me një sërë elementësh kjo pjesë gazmore flet me gjuhën e artit për ndryshimet epokale që kanë ndodhur në në Gjermani dhe në Shqipëri pas Rënies së Perdes së Hekurt. Për t'i bërë këto ndryshime më të perceptueshme regjizori berlinez Stefan Neugebauer ka zgjedhur spostimin gjeografik të ngjarjeve nga versioni original.

Në foto Stefan Neugebauer
Në foto Stefan NeugebauerFotografi: DW

Mbrëmë, në Tiranë spektatorët e shumtë ndoqën fatin e një Emili, që nuk u nis nga qyteti i tij i lindjes Neustadt drejt Berlinit me 120 marka, që ia vodhën, por një Emil nga Shqipëria, që u nis drejt Berlinit për të vizituar të afërmit e tij, me euro të mbërthyera me një paramanë në xhep. Por njëlloj si Emili i versionit origjinal ai gjeti miq moshatarët e vet, që si dedektivë të vërtetë zbuluan vjedhësin dhe sollën policinë berlineze për ta arrestuar.

Shqiptarë dhe serbë interpretojnë së bashku

Në foto, Vasil Ziu
Në foto, Vasil ZiuFotografi: DW

Për ndryshimet e mëdha flet edhe trupa e aktorëve të vegjël. Ata janë shqiptarë dhe serbë që interpretuan gjermanisht, anglisht dhe shqip. Vasil Ziu, vogëlushi nga Tirana që interpretoi rolin e Emilit nuk flet dot nga emocioni por pranon me gëzim të dalë në fotografi. Një vajzë tjetër nga trupa pozon në një fotografi me regjizorin Stefan Neugebauer. Ndërsa Milica Samaç nga Serbia e përjeton shfaqjen si ngjarjen më të bukur deri tani të jetës së saj. “ Jam kaq e lumtur- thotë ajo. Kam bërë kaq shumë miq nga Shqipëria. Ishte e mrekullueshme. Jam nga Serbia" përsërit Milica Samaç.

Të emocionuar janë edhe prindërit spektatorë.”Ishte vërtet e mrekullueshme. Jam fanse e kulturës gjermane. Më pëlqejnë sidomos koncertet me instrumentistë gjermanë", thotë Edlira, nëna e njërit prej aktorëve të vegjël.

Ura që bashkojnë popujt

Ky është i katërti vit i zhvillimit të javëve të kulturës gjermane në Shqipëri. Nga viti në vit ndryshon programi por jo filozofia mbi të cilën ai ndërtohet, thotë Harald Schindler, atasheu kulturor në Ambasadën Gjermane në Tiranë, një nga organizatorët kryesorë të Tetorit Gjerman. “Filozofia jonë qëndron në përpjekjet për ta bërë më të dukshme Gjermaninë dhe institucionet gjermane në Shqipëri dhe treguar interesin tonë të madh ndaj marrdhënieve me Shqipërinë", thotë ai.

Kjo filozofi shfaqet e qartë në moton e javëve të sivjetme të kulturës gjermane në Shqipëri.

Pamje nga premiera
Pamje nga premieraFotografi: DW

Motoja e Tetorit të sivjetëm Gjerman është ”20 vjet nga bashkimi i Gjermanisë” por edhe se si janë zhvilluar Gjermania dhe Shqipëria në këta 20 vite të fundit, çfarë ka ndodhur në të dyja vendet, si është trajtuar në të dyja vendet e kaluara komuniste në ish Gjermaninë Lindore dhe në Shqipëri. Janë interesante ngjashmëritë dhe ndryshimet në mënyrën e trajtimit të kësaj të kaluare të përbashkët. Ndërkohë aktivitetet e përbashkëta ngrejnë ura bashkëpunimi. Psh po përmend ekspozitën fotografike të disa fotografëve shqiptarë që tregojnë sesi është zhvilluar Gjermania në këta 20 vite apo atë të fotografëve gjermanë me foto nga Shqipëria. Është shumë interesant këndvështrimi tyre për historinë, shoqërinë, gjetja e të përbashkëtës dhe të veçantës, mësimi nga njëri – tjetri”.

Dritare drejt Evropës

Javët e kulturës gjermane ofrojnë më shumë se kaq për publikun shqiptar. Harald Schindler thotë se ajo që pret të shohë gjatë zhvillimit të tyre në qytetet kryesore të Shqipërisë është:

Të shohim njerëz të interesuar për Gjermsaninë, Bashkimin Evropian, për Evropën””

Me rreth 30 aktivitete kulturore të përzgjedhura nga teatri, letërsia, muzika, kinematografia, arti i fotografisë shtatë javët e kulturës gjermane do të eksplorojnë rrugë të reja për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve.

Aktivitetet e Tetorit Gjerman 2010 janë mbështetut financiarisht nga rreth 30 institucione dhe kompani gjermane të pranishme në Shqipëri.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: Esat Ahmeti