1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

141011 Anerkennung Berufsabschlüsse

18 Tetor 2011

Diskutimi ka zgjatur me vite. Më në fund më 29. Shtator 2011, Bundestagu gjerman ka vendosur për ligjin e njohjes së diplomave të huaja. Tashmë pritet vetëm fjala e fundit e Këshillit Federal që ligji të hyjë në fuqi.

https://p.dw.com/p/12tQg
Pamje ilustruese. Në Gjermani mungon fuqia e kualifkuar punëtore në disa degë të ekonomisë
Pamje ilustruese. Në Gjermani mungon fuqia e kualifikuar punëtore në disa degë të ekonomisëFotografi: picture alliance/dpa

Kur Iris Kahan erdhi në vitin 1993 nga Izraeli në Gjermani, ndjehej shumë e kualifikuar. Pas studimit bachelor dhe një kualifikimi dy-vjeçar, ajo mendonte se e zotëronte profesionin e mësueses për shkollat e fëmijëve me aftësi të kufizuara si edhe atë të fizioterapistes. Në Gjermani fillimisht ajo nuk u lejua të punonte, por duhej të paraqiste të gjitha shkresat e saj në Ministrinë e Arsimit. Dëftesa shkolle, vërtetime dhe dëftesën e studimeve bachelor të Universitetit.

"Brenda këtij procesi njohjeje sigurisht futej edhe përkthimi i të gjitha dokumentave. Unë nuk kisha vetëm një profesion ekzotik, por kisha ardhur edhe nga një vend ekzotik, e gjithçka e kisha në gjuhën hebraike. Përkthimi i të gjitha dokumentave jo vetëm që kërkoi shumë kohë, por ishte edhe shumë i shtrenjtë."

Instituti Gjerman i Ekonomisë
Instituti Gjerman i EkonomisëFotografi: DW

Akademikë të papranuar si të tillë

Rreth 1.000 euro gjithsej pagoi ajo për përkthimin e të gjitha dokumentave - dhe si përfundim mori vetëm një njoftim me shkrim që diploma e saj si mësuese për shkollat me aftësi të kufizuara nuk njihej në Gjermani. Kështu mësuesja me arsim të lartë, jo vetëm punoi disa vite si trajnere e psikomotorikës në kopshte, duke pranuar një rrogë më të ulët se sa kolegët e saj gjermanë, por duhej të studionte edhe disa vite në universitet, para se të kishte në Gjermani një profesion që njihej. Ky nuk është rast i vetëm. Për disa dekada, gjenerata të tëra akademikësh kanë përjetuar injorimin që i është bërë shkollimit të tyre në Gjermani.

Ilona Riesen, referente për politikën e punës dhe arsimit në Institutin Gjerman të Ekonomisë e quan këtë një gabim politik. "Në tregun gjerman të punës, i vihet shumë rëndësi formalitetit të diplomës. Problematike bëhet kjo, kur diplomat apo kualifikimet e sjella nga jashtë nuk njihen këtu. Shumë degë të tregut gjerman të punës janë të paarritshme për emigrantët pa një diplomë gjermane. Pa njohje formale, ata nuk njihen si njerëz me diplomë gjermane, përjashto këtu kur e përsërisin edhe njëherë të gjithë rrugën universitare. Ky është një problem strukturor."

Me ligjin e ri të huajt do të marrin përgjigje të shpejtë për njohjen e diplomës
Me ligjin e ri të huajt do të marrin përgjigje të shpejtë për njohjen e diplomësFotografi: picture alliance/Dinodia Photo Library

Shpresa tek ligji i ri

Ligji i ri do ta ndryshojë këtë gjendje. Ndryshimet më kryesore: Vlerësimi i diplomave nga jashtë do të bëhet brenda tre muajsh,- pavarësisht në cilin vend të botës janë lëshuar ato. Për vlerësimin e diplomave do të ketë një qendër për të gjithë Gjermaninë, dhe jo më dikastere të ndryshme nëpër ministri të ndryshme. Megjithatë derisa rregullat e reja të jenë bërë vërtet realitet, do të rrjedhin ende shumë ujëra. Sipas referentes Ilona Riesen, shpresa është që kjo urë e re të ngrihet për emigrantët e rinj që nuk kanë shumë kohë në Gjermani.

Ligji i ri është një jo vetëm një trajtim i drejtë i të huajve, por edhe një nevojë urgjente e kohës në Gjermani. "Ky ligj ka një rëndësi të veçantë si nga pikëpamje ekonomike ashtu edhe ajo shoqërore." Ata që preken drejpërdrejt nga ky rregull i ri janë rreth 300.000 vetë, mendon Ilona Riesen. Do të ishte e padrejtë të injoroje diplomat e kësaj pjese të popullsisë.

Në vendin tim do të kisha gjetur prej kohësh një vend pune...

Për mësuesen izraelite Iris Kahan ligji i ri vjen me shumë vonesë, por megjithatë ajo e vlerëson faktin që qeveria gjermane më në fund ka arritur tek një vendim i tillë. "Mendoj se është një zhvillim shumë pozitiv. Sepse: është shumë zhgënjyese, të vish në Gjermani me një profesion të përfunduar, dhe ai nuk të njihet. Në të vërtetë do të duhej të bëja universitetin edhe njëherë nga e para, por për fat të mirë një pjesë e shkollimit u njoh. Por në Izrael do të kisha gjetur prej kohësh një vend pune."

Autor: Armin Himmelrath/Lindita Arapi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi