1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet në Athinë Muzeu i Ri

20 Qershor 2009

Muzeumi i Ri i Akropolit hapet me pjesëmarrjen e shumë kryetarëve të shteteve dhe qeverive të botës. Muzeumi rihap mosmarrëveshjet greko-britanike rreth mermerëve të Partenonit, të marra nga lordi Elgin para 207 vjetesh.

https://p.dw.com/p/IV9R
Muzeumi i AkprolitFotografi: picture-alliance/ dpa

Me pamjet e tij si dekor nëpër autobusa dhe stacione të metrosë, Partenoni “ka zbritur” nëpër rrugët e Athinës, e cila që prej disa ditësh jeton në ritmin e klimës festive të përurimit të Muzeumit të Ri të Akropolit. Ai do të kurorëzohet me ceremoninë madhështore të së shtunës në darkë, në prani të 300 personaliteteve të politikës dhe kulturës nga gjithë bota, duke përfshirë edhe shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish. Muzeumi i shumëpritur, një tempull modern i kryeveprave të artit antik grek dhe të traditës kulturore botërore, që mban firmën e arkitektit zviceran Bernard Tschumi, është realitet.

“Muzeumi i Ri i Akropolit pas disa ditësh do të bëhet një strehë unikale e kulturës për gjithë botën”, thotë ministri i Kulturës Antonis Samaras, i cili paralajmëron një “atmosferë magjike”. Por edhe dy “sensacione muzeale” për të cilat mbahet konspiracion i plotë.


"Lumi" i vizitorëve

Akropolis Museum Athen
Fotografi: AP


Ky “mister” i ceremonialit dhe sidomos i përmbajtjes së Muzeumit, sikur e bën më të madhe kërshërinë dhe padurimin e njërëzve, kryesisht të turistëve të huaj, që ditët e fundit formojnë një lum vizitorësh mbi Akropol dhe netët me hënë shëtisin në rrëzë të tij, në rrugën e kalldrëmtë Dionisiu Areopagjitu, apo mbushin lokalet e shumta përreth pa ia shqitur sytë Akropolit me ndriçimin fantazmagorik.

“Jam Qipriote nga Australia. S' kam për të humbur rastin, do të shoh patjetër Muzeumin”, thotë një turiste.

Për tri ditë rresht, fill pas përurimit, nga data 21 deri më 23 Muzeumi do të jetë i hapur për publikun me biletë elektronike, përkundrejt çmimit simbolik një euro. Me këtë çmim bilete deri në fund të vitit në vijim – nga viti tjetër do të bëhet 5 euro - sigurohet akces për njerëzit e thjeshtë, kur priten 2.5 milionë vizitorë në vit.

“Bëhet fjalë për një mrekulli të vogël, përballë së cilës nuk ka njeri në botë që të mos sugjestionohet”, thotë një vajzë vullnetare e përlumturuar.


Kukuvajkat e shenjta

Beleuchtetes Parthenon in Athen, Griechenland Akropolis
Fotografi: AP


Në hyrje të Muzeumit vizitorëve u “urojnë” mirëseradhjen dy kukuvajkat e shenjta të mermerta të perendeshës Athina për të vazhduar vizitën e tyre në tri katet me konstrukte xhami dhe në mjedise ekspozimi prej 14.000 metrash katrorë, me rreth 4.000 eksponante dhe 330 statuja të lashtësisë. Me teknologji bioklimatike, ndërtim antisizmik për t'i rezistuar dhe tërmetit 10 ballësh dhe aftësi për të pranuar 10.000 vizitorë në ditë, vepra e Tchumisë është një muzeum modern, “dhe jo një imitim i Partenonit me kollona dorike”, siç iu përgjigj zërave kritikë vetë arkitekti. Muzeumi është i ndërtuar në bazë të Akropolit dhe ofron një pamje direkte të Gurit të Shenjtë, që i praruar në dritë projektohet brenda sallës së Mermerëve të Partenonit.

“Mermeret e Partenonit dhe të gjitha ato vepra të rëndësishme, që kanë qenë baza e kulturës perëndimore në shumë fusha, që u hymnizuan nga Rilindja deri në vitet më të reja, ekspozohen në një mjedis, që është modern dhe që u shkon për shtat këtyre veprave”, thotë presidenti i Komisionit për Ngritjen e Muzeumit, Dhimitris Pandermalis.


Mermerët dhe mosmarrëveshjet greko-brianike


Ekspozimi edhe i ekzemplarëve të mermerëve të grabitur të Partenonit prej 75 metrash (nga 160 të origjinalit), para 207 vjetësh, nga lordi anglez Elgin, që ndodhen në Muzeumin Britanik, u kujton vizitorëve kërkesën këmbëngulëse greke për kthimin e tyre në mjedisin e tyre natyral. Ministri grek i Kulturës Samaras iu përgjigj negativisht ofertës britanike për kthimin e tyre në Greqi dhe ekspozimin vetëm për tre muaj me kusht që të legjitimohet mbajtja e tyre prej Muzeumit Britanik.

“Në qoftë se dikush nuk dëshiron të thotë se i takojnë Greqisë, gjithsesi i takojnë botës dhe nuk u takojnë anglezëve”, thotë ministri grek i Kulturës Samaras. Çështja pas edhe publicitetit të madh të këtyre ditëve u kthye në një sherr greko-britanik. Anglia nuk do të jetë e pranishme në përurim, pasi mbreteresha, kryeministri dhe ministri i Kulturës refuzuan menjëherë ftesën.

Muzeumi u heq britanikëve argumentin e deritanishëm se Greqia nuk dispononte mjedisin e duhur për ruajtjen e mermerëve dhe grekët mendojnë se e drejta është në anën e tyre.

“S'ka nevojë për replika rreth copëzimit të Mermerëve të Partenonit, që është fakt. Mënyra e ekspozimit është një protestë e vazhdueshme për kthimin e tyre”, thotë Dhimitris Pantermalis, i cili si gjithë bashkatdhetarët e tij, beson se një ditë Mermerët do të kthehen në vendin e tyre. Gjithçka ndërkohë është gati për festën e përurimit, festën e kulturës botërore.


Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Bahri Cani