Hapet fshati Olimpik: Dy javë para fillimit të lojrave
28 Korrik 2008Dje (27.07) u hap si të thuash zemra e Lojërave Olimpike: fshati olimpik në Pekin. Dhe sportistët e parë gjermanë tashmë kanë mbërritur.
Pesë sportistë kanotazhi dhe ish-kampioni i botës në kanotazh, Marsel Haker janë të parët nga 440 olimpiadistët, që janë strehuar në fshat. Federata gjermane e Lojërave Olimpike, rreth Jerg Ciglerit dhe Bernhard Shvankut i ka përgatitur sportistët: "Ka dy lloje apartamentesh: për 6 persona, në tri dhoma dyshe atje banojnë nga dy atletë dhe pastaj ka apartamente për 3 persona, ka madje edhe dhoma të veçanta për ata që kanë probleme me gjumin. Apartamentet janë shumë të bollshëm, janë organizuar shumë mirë," thotë Bernhard Shvanku dhe shton:
"Ky është vërtet një nga fshatrat më të bukur që kam parë deri tani. Kudo sheh liqene të vegjël, pemë, shumë gjelbërim, është me të vërtetë shumë, shumë bukur."
Në territorin prej 66 hektarësh të fshatit olimpik atletëve u ofrohet komfort jo vetëm në 42 shtëpi banimi. Banesat e pajisura në pjesën më të madhe në stil perëndimor kanë një madhësi prej 170 metrash katrorë. Ato u ofrojnë vend gjashtë banuesve, që ndajnë dy banja. Përballë temperaturave prej mbi 30 gradë Celsius, lagështirës së madhe të ajrit dhe ndotjes së tij, pajisjet e ajrit kondicionuar të instaluara në secilën nga dhomat janë veçanërisht të nevojshme për t'u ndierë mirë.
Por për një veçanti të Pekinit, trajneri federal i kanutazhit në slalom, Jyrgen Këler ka rënë në mendime:
"Varet sa të izoluara nga zhurmat do të jenë. Atletët përgatiten dikur për garat, dhe në raste të tilla do të kesh qetësi. Nëse kjo do të jetë e mundur në një bllok kaq të madh banimi, kur të tjerët festojnë fitoret e tyre, kjo mbetet të shihet."
Megjithatë, thuajse i gjithë ekipi olimpik gjerman do të banojë në fshatin olimpik. Për fare të gjatët, sic është ylli prej 2 metra e 13 i basketbollit, Dirk Novicki, komiteti kinez i olimpikut ka kërkuar krevate ekstra të gjatë.
Përsa i përket ushqimit në fshatin olimpik, ai kontrollohet me rreptësinë më të madhe për sigurinë, theksonë mikpritësit. Por, megjithë premtimet e kundërta, kontrollohet edhe interneti. Si në qendrën mediale, ashtu edhe në internet-kafe, shumë faqe janë të bllokuara