1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Habeck: Kosova të hyjë në CEFTA

24 Shtator 2024

Marrëveshja e re për tregti të lirë midis vendeve të Ballkanit dhe BE-së ishte një nga temat kryesore të ministerialit të ekonomisë në Berlin. Robert Habeck, Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë dhe organizatori i takimit, shpreson se do të gjendet një zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në këtë marrëveshje.

https://p.dw.com/p/4l2rD

Marrëveshja e re për tregti të lirë midis vendeve të Ballkanit dhe BE-së ishte një nga temat kryesore të ministerialit ekonomik në Berlin. Robert Habeck, Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë dhe organizatori i takimit, shpreson se do të gjendet një zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në këtë marrëveshje.

Robert Habeck: Ministri gjerman i Klimës dhe Ekonomisë

"Sot u fol shumë me Serbinë dhe Kosovën, pasi CEFTA varet nga ata. Po përpiqemi të gjejmë një kompromis që të mundësojë përmbylljen e marrëveshjes. Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të mbetet i varur nga konflikte rajonale. Përparimi është i rëndësishëm, si për Evropën, ashtu edhe për njerëzit e rajonit. Sado i komplikuar të jetë konflikti, është e rëndësishme të tregojmë fleksibilitet për të ecur përpara, përndryshe do të duhet të gjenden zgjidhje alternative. Është thelbësore të mbahen bashkë shtetet e Ballkanit, dhe Kosova luan një rol qendror në këtë proces. Interesi i përbashkët është zhvillimi i një rajoni të integruar, dhe ky është fokusi i punës tani."

Para takimit ministror në Berlin u mbajt një forum biznesi, ku morën pjesë rreth 250 kompani nga Ballkani Perëndimor dhe Gjermania.Ekonomia gjermane ka një interes të madh për Ballkanin Perëndimor. Deri tani, ajo ka hapur 130,000 vende pune të kualifikuara në rajon. Ndërsa vëllimi tregtar midis Gjermanisë dhe rajonit është trefishuar gjatë dekadës së fundit. Në periudhën janar-korrik 2024 ai arriti në 10.7 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 2% krahasuar me vitin e kaluar.