Grupi negociator: I bindur se Marti Ahtisari do të rekomandojë pavarësinë e Kosovës
14 Mars 2007Anëtarët e Grupit negociator të Kosovës u shprehën të bindur se propozimi për statusin i ndërmjetësit, Marti Ahtisari, do të kalojë në KS-it dhe rezoluta e re për Kosovën do t’i mundësojë vendit të fitojë pavarësinë. Këtë qëndrim, anëtarët e grupit negociator të Kosovës, e shprehen para deputetëve të kuvendit, në ditën kur ndërmjetësi, ndërkombëtar për statusin i dorëzon pakon e tij, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në fjalën e tij, thotë se, pakoja e Ahtisarit, në esencë përmban të gjitha elementet e krijmit të shtetit të Kosovës, ndërsa vetë presidenti ka besim në ndërmjetësin ndërkombëtar.
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, thotë se, që nga sot procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës ka hyrë në fazën më dinamike, ndërkohq që u shpreh i bindur se Marti Ahtisari do të rekomandojë pavarësi për Kosovën.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe anëtari tjetër i grupit negociator të Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, 14 marsi, do të jetë një ditë e shënuar për Kosovën.
Sidoqoftë, udhëheqësit politik kosovar janë optimistë se procesi i zgjidhjes së statusit do të përfundojë shumë shpejtë ashtu siç dëshirojnë qytetarët e Kosovës. Ata shpresojnë se diskutimet për Kosovën në OKB, do të përfundojnë shumë shpejt, ndërsa, konkludimi thonë ata pritet të bëhet gjatë muajit prill, kur Britania e Madhe do të kryesojë KS-it.
Udhëheqësit kosovarë janë të vetëdijshëm për mundësinë që Rusia të perdorë veton e saj në KS-it, kundër pavarësisë së Kosovës, por ata janë të bindur se shumica e shteteve anëtare të OKB-së, do të mbështesin propozimin e Marti Ahtisarit dhe gjatë verës Kosova do të njihet si shteti më i ri në botë.