1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindje për një libër të ndaluar

24 Janar 2012

Një botues britanik kërkon të publikojë në Gjermani, pjesë nga libri i Hitlerit "Mein Kampf"- "Lufta ime". Kjo ndalohet në Gjermani. Diskutimet bëhen për një bestseller të dyshimtë, që është shkruar në burg.

https://p.dw.com/p/13oeT
"Zeitungszeuge- Dëshmitarë gazete"- Numri i 16 janarit tregon për pjesë nga «Mein Kampf»
"Zeitungszeuge- Dëshmitarë gazete"- Numri i 16 janarit tregon për pjesë nga «Mein Kampf»Fotografi: picture-alliance/dpa

I burgosuri ndodhet që prej 11 nëntorit 1923 në burg për tradhëti të lartë, përpjekja për puç dështoi, marrshimi nacionalsocialist në një sallë të komandaturës në Mynih përfundoi me gjakderdhje. Adolf Hitler-i është me sa duket në fund t‰ tij. Ai ka tani kohë për të menduar për të ardhmen dhe shfrytëzon këtë pushim të detyruar. Përjashta sundon kaos politik, ekonomia është përtokë, papunësia në rritje, në rrugë forcat e majta luftojnë me ato të djathta. Republika e Vajmarit ndodhet në agoni. Aty ku është, pas hekurave Hitleri formulon vizionin e tij politik. Për pak muaj ai shkruan „Mein Kampf“ "Lufta ime" një përzierje e papërpunuar manifesti ideologjik, autobiografie dhe copësh të marra nga libra të tjerë e pamflete politike. Ai tematizon idetë rraciste dhe antisemitiste, flet për luftën dhe revolucion nacionalsocialist dhe hedh themelet për pretendimet e mëvonshme për të marrë drejtimin. Libri publikohet vite më vonë, kur Hitleri ishte sërish i lirë, dhe rikrijoi me besnikët e tij partinë nacionalsocialiste NSDAP, të shpërndarë tashmë në të katër anët.

Fjalimi  i ashpër si Bestseller

Deri në vitin 1933 shiten rreth 300 mijë kopje me një botim të lirë popullor, më pas libri kthehet në bestseller dhe botohet në miliona ekzemplarë, duke u kthyer në lexim të detyruar në çdo familje me pikëpamje nacionaliste, libër shkolle, dhuratë shteti për çiftet gjermane që martoheshin. Historianët ngrenë dyshime që librin ta kenë lexuar vërtet miliona njerëz. "Mein Kampf" pati sidoqoftë sukses ekonomik për partinë dhe shtëpinë e saj botuese dhe Adolf Hitleri pati me të edhe përfitimet e veta personale. Libri mund të lexohej edhe jashtë Gjermanisë, përkthime pati në frëngjisht, anglisht, spanjisht dhe gjuhë të tjera.

Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, kërkush nuk donte të dëgjonte më për bestseller-in e Hitlerit.

Miliona kopje u zhdukën nga shtëpitë gjermane ku kishin mbetur si një trashëgimi e turpshme. Por me sa duket jo të gjitha kopjet. Në Angli përshembull janë gjetur në vitin 2005 dhe 2009 ekzemplarë të nënshkruar me dorë, të cilat janë nxjerrë në shitje për shumë para. 

Shpikje

Gjykimi i historianëve është prej dekadash shumë i qartë. Ata e quajnë "Mein Kampf" irracional, të shkruar keq, egocentrik, pa stil, politikisht për faqe të zezë. "Një erë e çuditshme e prishjes, godet lexuesin nga të gjitha anët," ka thënë një herë Joachim C. Fest në librin e tij për Hitlererin. "Mein Kampf" është përpjekja krejtësisht e dështuar për të formuluar një botëkuptim. Historiania Brigitte Hamann mendon se mënyra e të shkruarit të tij është e mërzitshme dhe në një intervistë të shkurtër me gazetën "Die Zeit" ajo thotë: "Hitleri nuk ka krijuar asgjë nga vetja e tij. Ai ka kopjuar gjithnjë, kryesisht nga predikimet politike ekstreme."

Propogandë e dëmshme?

Në Gjermani është i ndaluar publikimi i librit. Ai vlerësohet si propagandë me parrulla armiqësore dhe mjet për nxitjen e urrejtjes në popull. Me ndalimin, kërkohet të pengohet shpërdorimi dhe ndikimi politik mbi lexuesit, një argument që shumë vetë e shohin si të pakuptimtë, duke patur parasysh raportet demokratike të forcuara prej kohësh. Historiani britanik Ian Kershaw, pati thënë nje herë se përpjekja për të censuruar lexuesit, është një ushtrim i pakuptimtë në kohën e internetit. Në fakt libri është pjesërisht, apo komplet në internet dhe gjendet në antikuaret brenda dhe jashtë Gjermanisë. Në Indi, Rusi, Turqi apo Kroaci, "Mein Kampf" e gjen në shumë vende.

Kufijtë e të drejtës së autorit

Por tani, konflikti që ka shpërthyer për një publikim të librit, kësaj here nga një botuesi Peter McGee i cili ka planifikuar ta botojë "Mein Kampf" në serinë e tij "Dëshmitarë gazete", ka ndeshur në kufijtë e të drejtës gjermane të autorit. Të drejtën e manuskriptit të Hitlerit, forcat aleate ia kaluan pas luftës qeverisë së landit të Bavarisë, sepse qendra e banimit të Hitlerit deri në fund ka qenë në Munih. Prona e tij u konfiskua, dhe në të bënte pjesë edhe e drejta e përdorimit të shkrimeve politike polemike. Qeveria e landit të Bavarisë është përpjekur deri tani me sukses të pengojë me rrugë juridike çdo përpjekje për publikimin e pjesëve të teksteve. Edhe tani ajo ka thënë se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të penguar botimin. Sigurisht, që 70 vjet pas vdekjes së autorit të drejtat shuhen. Dhe kjo do të thotë se shtatë dekada pas vetëvrasjes së diktatorit më 1945, "Mein Kampf" mund të botohet plotësisht.

Aktualisht, ka ardhur koha që një publik më i gjerë të ketë mundësinë të përballet me tekstet origjinale, thotë botuesi McGee për revistën gjermane "Der Spiegel". Disa mendojnë se britanikët nisen vetëm nga interesa komerciale.

Publikim shkencor

Libri është përpunuar ndërkohë shkencërisht. Instituti i Munihut për historinë bashkëkohore është duke përgatitur një edicion serioz me komentare. Ai do të publikohet para publikimit të librave të tjerëve që kanë synime komerciale. Historiania nga Vjena, Brigitte Hamann është skeptike sa i përket kësaj. Në këtë mënyrë publikohet një vepër me dhjetë volume, thotë ajo. "Kështu "Mein Kampf" nderohet më shumë se kur u krijua." Një botim i thjeshtë, mendon ajo, mund të bëhet, nuk është e nevojshme që të bëhen përpjekje për të shpjeguar gjithë historinë e botës në një libër. Çështja, nëse pjesë të librit do të shiten në kioskat gjermane, mbetet e diskutueshme. Ministrja për çështjet e familjes, Kristina Schrödër mendon se kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Për të kuptuar veprat çnjerëzore naziste, nuk ka pse nevojitet një gjë e tillë, duke pasur parasysh numrin e madh të vendeve historike në gjithë Gjermaninë.

Dieter Graumann, presidenti i Këshillit Qëndror të hebrejve në Gjermani, e sheh publikimin e këtij libri me qetësi duke shpresuar që me leximin e tij "të vijë edhe zhgënjimi". 

Autor: Cornelia Rabitz / Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica