Grindja për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë tani edhe në plan tregtar
27 Nëntor 2010Përgjigja zyrtare u kërkua nga Komisioni Evropian në Bruksel. Drejtoria e përgjithshme për bujqësi në Bruksel konfirmoi, se vera me emrin "maqedonase" mund të importohet vetëm nga Greqia, sepse Athina zyrtare e ka siguruar licencën me këtë emër në vitin 1989.
Burime të Komisionit Evropian në kushte anonimiteti konfirmojnë për Deutsche Wellen, se në të ardhmen prodhimet me emrin "Maqedoni" ose "maqedonase" do të kontrollohen më shumë. Maqedonia në 20 vitet e fundit ka eksportuar verë me emrin "maqedonase" pa asnjë problem në të gjitha vendet e BE-së. Fjala ishte për verë të lirë dhe ky mbase është shkaku pse askush nuk e ka vërejtur këtë problem. Por vitet e fundit gjërat kanë ndryshuar, sepse disa prodhues vere në Maqedoni kanë bërë përpjekje, që në tregun evropian të depërtojnë me verë me çmime më të larta.
Athina dhe Shkupi grinden rreth emrit të ish-republikës jugosllave për gati 20 vite me radhë, që prej shpalljes së pavarësisë prej Shkupit zyrtar. Greqia ka refuzuar ta njohë vendin fqinj me emrin që kërkon të mbajë. Të gjitha përpjekjet e deritanishme të ndërmejtësuesve për zgjidhjen e këtij problemi kanë dështuar. Greqia ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Grindjet e përhershme mes Shkupit dhe Athinës janë prezente jo vetëm në politikë, por edhe në sport e tani dhe shitjen e prodhimeve.
Ndalimi i eksporteve maqedonase në BE mund të dëmtojë ekonominë
Prodhuesit e verës në Maqedoni kanë frikë se ndalimi i futjes së prodhimeve të tyre në territorin e BE-së, mund të ketë pasoja shumë të rënda për eksportin edhe ashtu të vogël të këtij vendi. Kjo mund të thellojë edhe më shumë krizën ekonomike në këtë sektor. Pjesën më të madhe të verës Maqedonia e eksporton në tregun gjerman. Sipas vlerësimeve të prodhuesve, fjala është për rreth 33 milionë tonë verë në vit.Sipas normave të BE-së, në të ardhmen në etiketa duhet të shpjegohet edhe rajoni prej nga vjen vera maqedonase. Mirëpo problemi është që autoritetet në Shkup nuk kanë miratuar ndonjë rregull për mbrojtjen dhe kontrollin e prodhimeve të veta nga rajone të ndryshme, thonë ekspertët.
Vera maqedonase duhet të mbajë emrin e rajonit ku prodhohet
Brukseli pret tani që autoritetet maqedonase deri në fund të vitit të paraqesin listën me rajonet ku prodhohet vera, si për shembull pjesa e epërme e Vardarit, Povardarcije, ku prodhohet sasia më e madhe e verës në këtë vend.
"Në qoftë se prodhimet nga Maqedonia deri në fund të këtij afati nuk gjendet në listën e prodhimeve të mbrojtura, importuesit gjermanë nuk mund t'i shesin këto prodhime me emrat e deklaruar. Në këtë rast do të rrezikohet eksporti maqedonas në Gjermani dhe në territorin e Bashkimit Evropian"
, thotë për Deutschen Welle-en Koco Mocan, i firmës "Tehnometal" nga Frankfurti, e cila merret me shpërndarjen e verës maqedonase në Gjermani.Prodhuesit e verës në Maqedoni gjenden tani në një pozitë të vështirë. Disa prej tyre tani në etiketat shënojnë emrin Ish - Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) - emrin me të cilin ky vend është pranuar në OKB. Por kjo nuk është ndonjë zgjidhje afatgjatë.
Autor: Boris Georgievski / Bahri Cani
Redaktoi: Eliana Xhani